Përpjekjet për miratimin e një Kushtetute demokratike nisën më 1991, por një komision kushtetues i ngritur nga ish PPSH nuk arriti të prodhonte dokument të besuar dhe as të marrë miratimin e opozitës. Në kushtet e anullimit të kushtetutës së vitit 1976 sistemi i ri miratoi me konsensus të plotë (PPPSH-PD-Omonia) Dispozitat Kryesore Kushtetuese, – një paketë kushtetuese që rregullonte parimet bazë të funksionimit të sistemit të ri qeverisës.
Këto dispozita u plotësuan më 1992 dhe 1993, duke pësuar ndryshime konsensuale dhe të njëanshme, për shkak të mazhorancave solide të krijuara në parlament. Më 1993 një komision tjetër kushtetues i ngritur nga demokratët dështoi gjithashtu të kalojë një mënyrë të njëanshme draftin kushtetues në parlament (i mungonin 6 vota, aq sa ishte numri i deputetëve të larguar nga radhët e saj).
Për pasojë, në nëntor 1994 u zhvillua i pari referendum në historinë e shtetit shqiptar, referendumi për kushtetutën. Mazhoranca (PD dhe aleatët) ishin pro, opozita (PS, PSD dhe aleatët) ishin kundër, si dhe një pjesë tjetër partish (kryesisht të djathta) ishin abstenuese në votim. Për rrjedhojë, KQZ deklaroi se në referendum morën pjesë 84,30% e zgjedhësve, nga të cilët 53% votuan kundër draftit kushtetues dhe 41% pro.
Drafti humbi votbesimin dhe vendi mbeti pa kushtetutë. Pas rotacionit 1997 mazhoranca e re (PS, PSD, PAD, PAA dhe aleatët) nisi punën për kushtetutën e parë demokratike të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1998 drafti ishte gati dhe vendi shkoi në referendum tjetër popullor. Nën presionin ndërkombëtar opozita (e djathta) deklaroi abstenimin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, kurse mazhoranca votën pro draftit kushtetues. Për pasojë, Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me votim direkt (referendum) 21 tetor 1998.
Drafti final i Kushtetutës u votua në parlament me rreth 80 vota, parlamenti gjithashtu bëri ndryshime në ligjin e vitit 1994 mbi referendumet duke hequr kufizimin e vlefshërisë së tij për pjesëmarrje mbi 50% të votuesve. Në votimin për rerefendumin u regjistruan 1.929 813 zgjedhës, nga të cilët rezultoi se morën pjesë vetëm 50,57% e tyre, prej të cilëve votuan për draftin kushtetues 93,5% e zgjedhësve. Demokratët e kundërshtuan rezultatin zyrtar të pjesëmarrjes duke thënë se shifra reale ishte vetëm 39,60%. Nuk pati verifikim të pretendimeve, ndaj ky vendim i dha fuqi ligjore kushtetutës duke e bërë atë dokumentin kryesor të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit shqiptar.
Presidenti Meidani përmes një akti ceremonial e firmosi Kushtetutën e re ditën e festës kombëtare. Vendimi për miratimin e Kushtetutës u përshëndet menjëherë nga shtete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë SHBA, BE, KE, si dhe shumë prej shteteve anëtarë të tyre. Midis viteve 1998 dhe 2008 vendi u qeveris nga dy mazhoranca të ndryshme (1998-2005 nga e majta dhe 2005- 2008) nga e djathta. Dy palët politike filluan të legjitimojnë aktet e tyre politike duke iu referuar Kushtetutës, dhe kështu, dokumenti themelor i shtetit filloi të marrë rëndësinë dhe rolin që i takon në sistemin politik dhe qeverisës në vend.
Gjithësesi, secila palë, në raste të ndryshme të ngerceve apo krizave politike alibinë e kërkonte tek hapësirat apo klauzolat kushtetuese, duke premtuar rishikimin e saj në të ardhmen. Pretendimet për ndërhyrje në Kushtetutë u bënë aq të mëdha dhe të shpeshta, sa më 2008 kishte një konsensus të gjerë politik për ndërhyrje në Kushtetutë. Përpara kësaj, një debat rutinë për KQZ dhe balancimin politik të tij coi në krizën politike të vitit 2007 dhe konsensusin midis palëve politike parlamentare për rritjen e numrit të anëtarëve të KQZ nga 7 në 9 anëtarë.
Dy anëtarët e rinj do ishin, njëri i LSI dhe tjetri i PDK. Për këtë u ndërhy në Kushtetutë. Ndërhyrja e dytë kishte të bënte me mandatin e qeverisjes vendore. Prej vitit 1998 mandati kushtetues i qeverisjes vendore ishte 3 vjet, më 2007 parlamenti ndryshoi kushtetutën duke e rritur mandatin në 4 vjet. Më 2008 palët politike nisën një proces të shpejtë dhe bilateral, jo publik, të ndryshimit të kushtetutës në disa elementë thelbësor të saj. Procesi u mbyll me votim konsensual midis dy partive kryesore politike në prill 2008, por nën kritikat e shumta të disa institucioneve kushtetuese dhe të shoqërisë civile.
Me ndryshimet e reja kushtetuese u kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal, KQZ u hoq tërësisht si institucion nga kushtetuta dhe u kalua me trajtimin një ligjin zgjedhor, u vendos mandat për Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe u ndryshua mandati i qeverisjes vendore nga tre në katër vjet. Ndryshimi thelbësor i paktës kushtetuese 2008 kishte të bënte me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mbi pozitën e Kryeministrit ndaj parlamentit.
Nga modeli i zgjedhjës së Presidentit me shumicë të cilësuar u kalua me zgjedhje me shumicë të thjeshtë në dy raundet e fundit, duke e ulur ndjeshëm peshën dhe rolin e Presidentit në jetën politike dhe institucionale. Ndryshimi tjetër i dha mundësi kryeministrit të zgjerojë kontrollin mbi parlamentin përmes mocionit konstruktiv, sipas të cilit, kryeministri me mocion besimi mund të provokojë në cdo kohë zgjedhje të parakoshme dhe se shkarkimi me mocion mosbesimi bëhet teknikisht thuajse i pamundur.
Ndryshimi kushtetues solli ndryshim edhe në jetën politike dhe institucionale, duke krijuar intepretime mbi shanset reale për garantimin e parimeve kushtetuese të transparencës, ndarjes dhe balancës së pushteteve. Më 2012 palët kryesore politike, përsëri nën presion ndërkombëtar, pas muajsh debate arritën një konsensus tjetër për ndërhyrje në Kushtetutë, – kufizimin e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë.
Ndryshimet u bënë në shtator 2012 dhe premtuan të ishin rezultati më i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit të lartë. Pas tri vitesh, asnjë zyrtar i lartë me imunitet nuk është gjykuar e dënuar me ndihmën e këtij ndryshimi, gjë që shpreh kontrastin e thellë midis arsyeve që ndërhyhet në Kushtetutë dhe rezultateve reale në aplikimin e saj.
Konsensus apo vota? Dilema e dy dekadave
Referuar praktikave të deritanishme vetë kushtetuta dhe draftet kushtetuese janë miratuar ose refuzuar me referendum (1994 dhe 1998), ku palët politike kryesore kanë pasur qëndrime të kundërta politike. Të gjitha ndryshimet kushtetuese (2007, 2008, 2012) janë kryer në mënyrë konsensuale midis dy palëve kryesore politike dhe shpesh edhe me mbështetjen e partive aleate besnike, duke arritur një konsensus të gjerë politik.
Më 2015 palët janë ende në dilemën midis nevojës për konsensus politik për ndryshime kushtetuese apo rendjes pas numrave për të mundësuar votat e nevojshme për ndryshime të njëanshme kushtetuese. Të dyja janë zgjidhje ligjore e politike, çështja e zgjedhjes midis tyre është çështje që ka të bëjë me kulturën politike, pjekurinë dhe legjitimitetin moral e publik. Në një fazë të tillë politike (25 vjet pas vendosjes së pluralizmit politik) do të duhej që palët politike të kërkonin e gjenin zgjidhje e forma sa më të besueshme dhe efektive të rishikimit të kushtetues, pa u ndikuar nga nevojat politike të dilës dhe raportet e forcave politike aktuale në parlament.
Kushtetutën e duam për sot e mot, ndaj ajo nuk duhet të reflektojë vullnetin e një individi apo grup individësh të vetëm, por një konsensus sa më të gjerë, sidomos publik. Kontrasti i thellë i sistemit tonë qeverisës është se Kushtetuta (1998) u miratua me referendum, kurse ndryshimet kushtetuese nuk kaluan as formalisht në referendum. Ato ishin produkt i politikës, ndaj kanë rezultuar afatshkurtra dhe jo efektive. Edhe ndryshimet kushtetuese 2015 pritet të mos kalojnë në referendum. Alibia se qytetarët nuk janë kompetentë për reformën në drejtësi është sa e pagjetur aq edhe fyese në një kohë kur gjithë spektri politik dhe miqtë e Shqipërisë flasin për nivelin problematik të parlamentit dhe numrin e madh të deputetëve të inkriminuar apo jo përfaqësues.
Argumenti i vetëm që vlen të konsiderohet është kostoja financiare në një vend të varfër ku çdo temë rutinë politike lehtësisht kthehet në debat politik publik dhe ka shanset të gjenerojë krizë të re politike. Draftet e propozuara për ndryshime kushtetuese meritojnë shumë më tepër konsultim publik, mendim të ekspertëve shqiptarë e të huaj, vlerësim nga institucionet dhe analizë të ftohtë nëse janë të plota, nëse janë të duhurat, nëse forcojnë sistemin kushtetues, nëse kanë pas tyre interesa të ngushta partiakë dhe nëse kanë shansin të realizojë pritshmëritë e mëdha që kanë qytetarët.
Treguesit e deritanishëm janë skeptikë nëse autorët dhe elita politike i kanë marrë parasysh këto kërkesa. Mjaftojnë dy detaje: për shkak të nenit kushtetues i la në fuqi Institucioni i Qarkut, i cili de facto është jo efektiv, abuzues, burokratik dhe pa sens për thelbin e reformës së re administrative. Së dyti, nëse nuk rishikohen nenet e procedurës së zgjedhjes së Presidentit parlamenti do jetë i detyruar të ndërhyrjë përsëri në Kushtetutë në pranverën e vitit 2017. “Në detaje fshihet djalli”, thotë një shprehje gjermane, dhe detaje të tilla na tregojnë se nuk është sasia por cilësia e ndërhyrjes në Kushtetutë që përcakton fatin e saj.
Konsensusi i gjerë për nevojën e ndërhyrjeve të reja në Kushtetutë
Prej vitit 2012 kanë kaluar 3 vjet të tjera dhe ende çdo mazhorancë politike vijon të ketë premtim periodik nevojën për ndërhyrje në kushtetutë për jetësimin e reformave në disa sektorë me mbrojtje kushtetuese, ku reforma në drejtësi mbetet kryetemë dhe shqetësimi kryesor publik.
Palët politike dhe ekspertët bashkohen në vlerësimin se reformat në drejtësi janë të pamundura pa ndërhyrje në kushtetutë, ndërkohë që ndërhyrjet shihen si zgjidhje edhe për një rishikim të disa kompetencave e sidomos formave zgjedhore në drejtim të disa institucioneve kushtetuese që zgjidhen në parlament, deri edhe tek ndërhyrja për të mundësuar plotësimin e reformës territoriale si dhe ndryshime të tjera që lidhen me detyrimet në procesin integrues në BE.
Krahas tyre, ekzistojnë edhe detyrime kushtetuese, për shembull, nevoja për ligje organike për institucionet kushtetuese, të cilat megjithëse citohen në dokumentin kushtetues të vitit 1998, ende nuk janë miratuar dhe as nuk janë pjesë e axhendës afatshkurtër parlamentare.
Komentet