VOAL

VOAL

Kushtet e Bullgarisë- Pse po sulmohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

July 11, 2022

Komentet

Ish ambasadori Hysa: RMV gradualisht është duke u rreshtuar krah Orbanit e Vuçiqit, po bëhet fushatë antishqiptare

Ish-ambasadori i Kosovës Ylber Hysa, ka folur për situatën në Maqedoninë e Veriut, për sigurinë në rajon dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Situatën në Maqedoninë e Veriut, Hysa e vlerësoi si shumë serioze. Ai tha se brenda 100 ditëve të qeverisë së këtij shteti, ajo që dukej fushatë zgjedhore, tani po duket edhe si program qeverisës.

“Të gjitha ato që i kanë folur liderët e VMRO-së, përfshirë këtu edhe presidenten e vendit, Gordana Silanovska-Davkova, por edhe kryeministrin Mickoski, praktikisht janë realizuar”, tha Hysa.

Sipas tij, partia në pushtet, përveç se ka kundërshtuar BE-në ka pasur një përqendrim të theksuar të një fushate antishqiptare, duke i cilësuar si fajtor për degradimin identitar të Maqedonisë.

Duke folur për letrën e Ali Ahmetit dërguar liderëve ndërkombëtarë, por edhe të liderëve shqiptarë, Hysa tha se Ahmeti bën përgjegjës kryeministrin Albin Kurti për atë që po ndodhë tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Hysa përmendi mekanizmin e quajtur “balancer”, i cili e ruan përfaqësimin e shqiptarëve në bazë të kuotave në administratën shtetërore.

“Vendimi i cili e ka hequr ‘balancuesin’ për shqiptarët është serioz, sepse në arsyetimin që i bëhet në gjyqin kushtetues praktikisht mohohet etnia, si princip i punësimit dhe në rastin e Maqedonisë së Veriut, mohimi i etnisë do të thotë mohimi i vet Kushtetutës dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha Hysa.

“Me vendim të tillë, praktikisht Maqedonia e Veriut kthehet para vitit 2001”, tha më tutje, Hysa.

Ai tha se qeveria e Maqedonisë së Veriut gradualisht është duke u rreshtuar krah bllokut ‘konservativ problematik në BE, që ka të bëjë me popullistët si Orban e Vuçiq.

“Kjo qeveri e kryesuar nga VMRO sikur dëshiron t’u thotë shqiptarëve se tani është një Maqedoni tjetër, nuk është si në vitin 2001, sikur dëshiron ta bëjë një revizionizëm historik të këtyre ngjarjeve”, tha Hysa.

Hysa tutje përmendi afrimin e kësaj qeverie me Beogradin zyrtar, i cili tha se brenda 100 ditëshit në qeveri, ka pasur shumë takime me zyrtarët serbë.

Kurse për partnerin qeverisës nga radhët e shqiptarëve VLEN, Hysa tha se karshi këtyre zhvillimeve nuk ka reaguar thuajse fare, përkundrazi, ka fajësuar BDI-në, që çështjet e tilla do të duhej të zgjidheshin në kohën kur BDI ishte në pushtet.

Ai tutje tha se situata gjeopolitike në botë ndikon që të mos ketë vëmendjen e duhur për gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut.

“Nëse Maqedonia nuk brengoset për rrugëtimin e saj në BE, kur tani ka marrë një “flakareshë” me ndarjen nga Shqipëria, atëherë kjo tregon për një frymë jo shumë miqësore dhe properëndimore të Maqedonisë”, tha Hysa, teksa shtoi se kjo do të duhej të ishte shqetësuese edhe për vetë shqiptarët, të cilët ishin garantues të një Maqedonie properëndimore.

Hysa më tej tha se nëse kjo qeveri vazhdon me këtë logjikë dhe nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte vendim cenues ndaj përdorimin e gjuhës shqipe, atëherë do të ishte një alarm edhe për rajonin.

Hysa tutje, pohoi se ka një sinkron në mes të ngjarjeve që po ndodhin në Maqedoni të Veriut dhe të asaj në Serbi, ku pak ditë më parë është krijuar një gjykatë ku Kosova është shpallur “zonë e veçantë”. Sipas tij, kjo mund të prodhojë probleme serioze dhe politike, jo vetëm të sigurisë.

Qëllimi i Serbisë, sipas Hysajt, është që të krijojë një atmosferë nervozizmi karshi Kosovës.

Mes tjerash u diskutua edhe Raporti i Progresit. Hysaj tha se ky raport, ndonëse nuk është publikuar në tërësi, zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane është në thelb të reflektimi të raportit në fjalë, si dhe të rrugëtimit të anëtarësimit ën BE.

Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi dhe për Asociacionin, ish ambasadori kosovar tha se më shumë ka qenë përpjekje për ta mbajtur gjallë dialogun, sesa të arrihet ndonjë përparim esencial.

“Dialogu deri më tani ka qenë një lojë tenisi, ku palët kanë hedhur faje ndaj njëra-tjetrës, kurse pala ndërkombëtare dukej si një arbitër tenisi duke përcjellë topin”, theksoi ai.

Ndërkaq pas zgjedhjeve në SHBA, sipas Hysajt, pavarësisht se kush do të zgjidhet president, gjërat do të ndryshojnë, sepse do të ndryshojnë prioritetet në gjeopolitikën amerikane. /RTK/

Intervista- Mickoski: Jam i përgatitur për kompromis, por të mos marrim në thua në pengesa të reja drejt BE-së

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski gjatë intervistës dhënë për Radion Evropa e Lirë.

 

Sanja Vasiq

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, pret përgjigje nga Brukseli se si do të vijojnë negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nëse miratohen ndryshimet kushtetuese dhe nëse do të vlejnë me zbatim të prolonguar.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka ndikim rus në vend, por se euroskepticizmin e nxit një pjesë e politikanëve bullgarë. Ai nuk pret ndryshim në politikën amerikane për Ballkanin edhe pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, e as nuk favorizon ndonjërin nga dy kandidatët pavarësisht takimeve me Richard Grenellin.

Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur qartë se i vetmi hap deri në fillimin e negociatave janë ndryshimet kushtetuese, për të cilat shteti tashmë ka rënë dakord. A morët një “jo” për ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

Hristijan Mickoski: Mendoj se duhet t’i japim kohë, kohës. Së pari, të shterim këtë hap e pastaj të flasim për hapat e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Për cilin hap mendoni, ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

Hristijan Mickoski: Epo, po, diçka e ngjashme.

Radio Evropa e Lirë: Këtë e lidhni edhe me zgjedhjet e së dielës në Bullgari?

Hristijan Mickoski: Kjo është një çështje e brendshme e Bullgarisë. Mendoj se asgjë nuk është e përjetshme dhe se nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Jam i bindur se diktati nuk është zgjidhje, se ultimatumi nuk është zgjidhje, se është e nevojshme të bisedohet, deri në momentin kur të arrihet një zgjidhje që, siç shpesh thonë bashkëbiseduesit, të jetë win-win, ku fitojnë edhe të dyja palët, unë kam mendim të kundërt që të jetë lose -lose, që të dyja palët të humbin diçka. Nuk është mirë nëse njëra palë humb gjithçka, ndërsa tjetra fiton. Ky nuk është kompromis. Fundja, i tillë ishte edhe i ashtuquajturi propozimi francez. Ne kërkojmë që Bashkimi Evropian t’i respektojë parimet e veta dhe vlerat e veta. Kaq.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përgjigje nga Komisioni Evropian. Por, do të nevojitet edhe mbështetja nga Bullgaria.

Hristijan Mickoski: Unë jam i gatshëm të bisedoj me këdo, jam i gatshëm të ulem, shprehimisht, me këdo që ka qëllim të mirë që të gjejmë zgjidhje për këtë problem, sepse qëllimi ynë është të jemi pjesë e familjes evropiane. Edhe pse jam i bindur se këtë kemi merituar shumë më herët, madje edhe para disa vendeve të tjera anëtare të BE-së. Fatkeqësisht, për shkak të padrejtësisë që iu shkaktua qytetarëve maqedonas dhe neve si shtet, ne sot ende nuk mund t’i fillojmë as negociatat. Kjo nuk është një garë në të cilën ju duhet vetëm të merrni pjesë. Tani jemi në një situatë që kur do të fillojmë garën duhet të dimë qartë se do ta përfundojmë atë garë. E jo që në ndonjërën nga pengesat e radhës të marrim në thua dhe përsëri do të duhen poshtërimi e kështu me radhë. Unë nuk jam një bashkëbisedues i tillë. Unë jam një bashkëbisedues që është i gatshëm për kompromis, por vetëm nëse ky kompromis nënkupton rezultat, përkatësisht një përfundim, në rastin tonë fundi do të nënkuptojë anëtarësimin e plotë në kuadrin e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Sa më larg të jetë Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Evropian, aq më shumë ka hapësirë për ndikime të tjera. Kemi një rritje të euroskepticizmit. Sa është ndikimi rus në këtë dhe në ngjarjet politike në vend?

Hristijan Mickoski: Nuk do të thosha se kemi ndikim rus këtu. Nëse shohim historikisht, ne kurrë nuk kemi qenë si popull në prioritetet kryesore të diplomacisë ruse.

Radio Evropa e Lirë: Por, Maqedonia e Veriut është në listën e vendeve armike të Rusisë.

Hristijan Mickoski: Ne jemi pjesë e NATO-s, kemi politikën e përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian, tërësisht jemi të harmonizuar dhe nuk ka ndryshim as edhe një milimetër nga kjo politikë dhe kjo është logjikshme. Unë më shumë do të thosha që ndikim kanë politikanë nga rajoni të cilët, në vend që ta shohin luftën, na kthejnë në mesjetë kur mbi tavolinë vendosin ultimatume dhe diktate. Dhe flasim për vlerat evropiane, flasim për të ardhmen. Ata kanë më shumë, do të thosha, ndikim këtu për të krijuar ndjenjën se jemi të tradhtuar nga vlerat evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Për cilët politikanë mendoni?

Hristijan Mickoski:Për një pjesë të politikanëve bullgarë kohëve të fundit, sepse ju nuk mund të bisedoni për të ardhmen, nëse dikush vazhdimisht ju shtyn mbrapa drejt mesjetës, ndërsa unë do të dëshiroja të bisedoj për të ardhmen.

Radio Evropa e Lirë: A lë kjo hapësirë për depërtimin e ideve, ndikimeve të tjera, investimeve të tjera, mbase nga Kina?

Hristijan Mickoski: Kina është më pak e pranishme te ne në rajon. Unë do të thosha se Kina është më e pranishme në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian sesa te ne. Dhe, vërtet jam seriozisht i habitur me tolerancën dhe lëshimet ndaj këtyre vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sepse, fjala vjen, kompanitë kineze janë pronare të objekteve serioze, siç janë portet dhe të ngjashme, në vendet anëtare të BE-së, ndërtojnë infrastrukturë. Te ne, as ekonomikisht, as politikisht, nuk kanë ndonjë aktivitet, kështu që të kenë ndonjë ndikim të veçantë, që të bëjnë diçka këtu jashtë interesave strategjike dhe jashtë partnerëve strategjikë. A ekziston ndonjë opsion tjetër? Në këtë moment jo. Bashkimi Evropian është qëllimi ynë strategjik.

Radio Evropa e Lirë:A ndryshon se kush do të jetë presidenti i ri amerikan?

Hristijan Mickoski: Mendoj se strategjikisht cilido qoftë opsioni i zgjedhur si president i SHBA-së, do ta ketë Ballkanin në optikën e tij, kështu që këtu nuk shoh ndonjë ndryshim më dramatik se do të ndodhë ndaj Ballkanit.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur takime me ish-të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Richard Grenellin. A do të thotë kjo se në një farë mënyre favorizoni Trumpin?

Hristijan Mickoski: Jo vetëm me Richard Grenellin, kam pasur takime edhe me Chris Pavlovskin, i cili është, të themi, shumë i afërt edhe në biznes, edhe privatisht, me të birin e presidentit Trump. Kam pasur gjithashtu takime edhe me Howard Lutnickun,i cili është shef, thënë kushtimisht, i ekipit tranzitor të Trumpit, zoti Munez ka qenë gjithashtu në Maqedoni [të Veriut], Robert Stefanovski, të themi, po ashtu, një njeri i afërt me familjen e presidentit Trump, por gjithashtu kam pasur shumë takime me njerëz që janë pjesë e strukturës së demokratëve dhe të afërt me nënpresidenten Kamala Harris, mirëpo kjo nuk do të thotë se favorizojmë njërin apo tjetrin.

Radio Evropa e Lirë: Maqedonia e Veriut ka pagën mesatare më të ulët në Ballkan. Ka shkallën më të ulët të rritjes ekonomike. Si do t’i mbani të rinjtë në vendin me pagat më të ulëta?

Hristijan Mickoski: Ne jemi qeveri prej katër muajsh. Ajo që trashëguam është kataklizmike. Dhe u përpoqëm ta sanojmë këtë kataklizëm brenda asaj që mundëm këto katër muaj. Treguesit e parë janë të mirë. Të themi, doli shifra për pagën mesatare në gusht, ajo është rritur për pothuajse 13 për qind neto krahasuar me vitin e kaluar, kemi rritje të pagës gjatë inflacionit të ulët. Me politikën tonë ia dolëm t’ua kthejmë vlerën atyre denarëve që i marrin si kompensim mujor në punë. A jemi më të dobëtit? Nuk jemi, ka shtete më të dobëta në rajon se ne për sa i përket pagës mesatare, por ajo që është e rëndësishme është të krahasohet indeksi Gini dhe të krahasohen të njëjtat produkte në shtete të ndryshme në kushte të njëjta. Kjo do të thotë se nuk do të mbështetemi në konsum, por do të mbështetemi në investime.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi tek investime kapitale, ministri Aleksandar Nikollovski thotë se nuk do të ndërtohet hekurudha drejt Bullgarisë, tjetri ministër, Orhan Murtezani thotë se do të ndërtohet?

Hristijan Mickoski: As njëri, as tjetri nuk ka thënë kështu. Hekurudha, korridori VIII, por edhe hekurudha e shpejtë e korridorit X, janë interesi ynë strategjik. Nuk ka prioritet më të madh për ne sesa të realizojmë interesin tonë strategjik. Kjo do të thotë që ne si shtet, natyrshëm, jemi kryqëzim i këtyre dy korridoreve VIII dhe X. Për dallim nga korridori X, për të cilin kemi rrugë të qartë, plan të qartë, zotim të qartë nga të gjitha shtetet, për korridorin VIII nuk kemi parë një gjë të tillë nga ana e Bullgarisë. Dhe kemi një pamje të paqartë se deri ku ka arritur hekurudha në Shqipëri. Tani, ekziston dialog i nivelit të lartë në Bruksel, i cili pati sesionin e parë, ai përfundoi, tani në fund të muajit duhet të jetë në Sofje dhe pres në Shkup që kjo përfundimisht të finalizohet.

Radio Evropa e Lirë: Opozita ju akuzon se keni vendosur kuadër partiak në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Hristijan Mickoski: Nëse mendoni për drejtorin e ri Bojan Hristovski, po, ai ishte pjesë e strukturës së VMRO-së, por në të kaluarën, sepse ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai është i depolitizuar, i apolitik plotësisht, i tillë është ligji. Ai si kuadër në Agjencinë për Siguri Kombëtare vjen nga kabineti i Ministrit të Punëve të Brendshme. A njihemi? Po. A duhet të bashkëpunoj me njerëz që i njoh? Po. Sepse, ja, u përpoqëm me njerëz që nuk i njihnim, që i trashëguam, nuk pati rezultate. Unë u zgjodha kryetar i Qeverisë dhe për dy, dy muaj e gjysmë nuk mora kurrfarë raportesh nga drejtori i atëhershëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Tani, është e logjikshme të punoj me njerëz të cilët i njoh dhe të cilëve u besoj, dhe nuk shoh ndonjë gjë të palogjikshme këtu. E tani, nëse ata janë të frikësuar se treguesit, edhe nga atje, edhe nga Agjencia e Inteligjencës, janë shumë serioze, prandaj nuk do të flisja publikisht, por do t’ua lë organeve ta bëjnë punën e tyre. Që këto dy agjenci në të kaluarën kanë qenë fortesa, nga ku janë shënjestruar qartë individë të opozitës, në vend se të merren me sigurinë e shtetit, kjo është një çështje tjetër.

Dhe duhet të jenë të frikësuar sepse informacionet fillestare që kam marrë janë tronditëse. Për abuzime të rënda në drejtim të punës kundër interesave shtetërore, spiunim i opozitës me të dhëna të falsifikuara dhe të fabrikuara, ndjekje të përfaqësuesve të opozitës. Kjo është diçka që do të jetë një skandal i madh dhe prandaj nuk do të doja në këtë moment të flas për detaje, t’i lëmë që, po them përsëri, kohë-kohës.

Radio Evropa e Lirë: Kur është fjala për Këshillin Gjyqësor, a keni përfundimisht një propozim për reformimin e këtij organi kyç të gjyqësorit?

Hristijan Mickoski: Kam pritur propozime dhe nuk kam marrë dhe tani po e bëj vetë detyrën time, sepse tashmë është kataklizmatike. Kam filluar të komunikoj me ekspertë ndërkombëtarë evropianë, të konsultohem me disa prej tyre, tashmë të shtunën kam një takim të dakorduar dhe ata do të vijnë te ne dhe do të diskutojmë për këtë temë, sepse qytetarët maqedonas qartazi janë të pakënaqur se si funksionojnë edhe prokurorët. Do të bisedojnë edhe me mua, me ministrin e Drejtësisë, si dhe me subjektet e tjera përkatëse, kështu që do të shohim. Shumë shpejt do të kemi një zgjidhje.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Kërkonin ryshfet, në pranga përfundojnë më shumë se 35 policë e doganierë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka realizuar sonte një aksion të madh policor në dy lokacione të vendit, ndërsa në pranga kanë përfunduar më shumë se 35 policë e doganierë.

Sipas informacioneve, aksionet janë zhvilluar në Strumicë dhe Gjevgjeli ku janë arrestuar edhe disa doganierë.

Arrestimi është bërë për shkak të punës së papërgjegjshme në shërbimin doganor dhe marrjes së parave.sn

Presidenca e Maqedonisë së Veriut “nuk njeh” gjuhën shqipe, Qeveria pjesërisht, ndërsa Kuvendi po

Portalb.mk ka analizuar përdorimin e shqipes për një javë në komunikatat me mediat dhe ueb-faqet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Presidencës dhe Kuvendit, tani që me këto institucione kryesojnë njerëz të rinj.

Gjatë shtatë ditëve të analizuara (12-18 shtator) të komunikatave të këtyre tre institucioneve, vërehet që Presidenca nuk e përfill fare gjuhën shqipe, Qeveria dërgon komunikata edhe në shqip edhe pse me vonesë dhe jo të gjitha, ndërsa Kuvendi gjithmonë e zbaton gjuhën shqipe, përveç përjashtimeve tepër të rralla.

Presidenca

Gjatë shtatë ditëve të analizuara, presidenca nuk e ka dërguar as edhe një komunikatë në gjuhën shqipe, ndërsa praktikë të ngjashme ka pasur edhe gjatë kryesimit të këtij institucioni nga ish-presidenti Stevo Pendarovski. Megjithatë sërish nuk ka qenë në këtë nivel. Edhe pse me raste shumë të rralla, dërgohej tek-tuk ndonjë komunikatë në gjuhën shqipe.

Kur bëhet fjalë për ueb-faqen, situata nuk është më e mirë, por përsëri është funksionale edhe në shqip. Megjithatë, nuk është përditësimi i njëjtë si në maqedonisht. Për shembull, gjatë kontrollit të ueb-faqes nga redaksia jonë më 19 shtator, në versionin maqedonisht të ueb-faqes komunikata e fundit e Presidencës është e datës 18 shtator, ndërsa në versionin shqip është e datës 10 shtator, ndërkohë që mes datave 10-18 shtator ka pasur çdo ditë informacione në gjuhën maqedonase. Pra, për 8 ditë të plota, ueb-faqja nuk është përditësuar me asnjë informacion shqip. Ndërkohë, në versionin shqip, pjesa e “Kategorive” është në gjuhën maqedonase, siç mund të vërehet në fotografitë e mëposhtme (djathtas):


Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së
Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së
Versioni në shqip i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së
Versioni në shqip i ueb-faqes së Presidencës së RMV-së

Kuvendi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në shtatë ditët e analizuara, pothuajse të gjitha komunikatat i ka dërguar në të dyja gjuhët, përveç një komunikate që është dërguar vetëm në maqedonisht.

Edhe sa i përket ueb-faqes së Kuvendit, njoftimet ditore dhe agjenda janë vazhdimisht të përditësuara me informacione të reja edhe në gjuhën shqipe. Ndërsa kur bëhet fjalë për të dhëna më të veçanta, nuk gjenden në versionin në shqip. Për shembull rubrika “Të dhëna të hapura” dhe “Regjistër për organizata”, nuk ndodhet në versionin shqip të ueb-faqes.

Sidoqoftë, krahasuar me Qeverinë, e me presidencën as që bëhet fjalë, Kuvendi i RMV-së e zbaton gjuhën shqipe, veçanërisht në komunikim me mediat.

Kjo praktikë në Kuvend ka qenë edhe kur kryeparlamentar ishte Talat Xhaferi. Pra nuk ka ndryshime në këtë institucione, përkatësisht mund të konstatohet që gjuha shqipe zbatohet në tërësi.

Qeveria

Kur jemi te Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk është se ka ndryshuar shumë praktika e komunikatave të dërguara në gjuhën shqipe nga koha e Qeverisë teknike apo nga ajo e LSDM-së. Në të tre rastet, komunikatat në gjuhën shqipe dërgohen në mënyrë të parregullt. Gjegjësisht, çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët njëherësh dhe dallimi midis dy komunikatave arrin deri në mbi dy orë. Kjo do të thotë, se pasi gazetarët tashmë e kryejnë punën, e përkthejnë komunikatën dhe plasojnë lajmin, arrin komunikata në gjuhën shqipe.

Më poshtë ilustrohet dërgimi për shtatë ditë i komunikatave nga Qeveria:

18 shtator – Qeveria ka dërguar 9 komunikata, pesë prej tyre edhe në gjuhën shqipe, të tjerat vetëm në maqedonisht. Njëra prej komunikatave e dërguar në shqip është dërguar pas dy orësh.

17 shtator – Në këtë datë janë dërguar 3 komunikata, dy vetëm në maqedonisht, ndërsa njëra në shqip dhe maqedonisht. Gjegjësisht, njëra prej komunikatave është dërguar njëherë në maqedonisht, ndërsa të dytën herë në shqip dhe maqedonisht.

16 shtator – Qeveria ka dërguar 11 komunikata. Të gjitha edhe në shqip edhe në maqedonisht, por si gjithmonë me 30 minuta e deri në një orë vonesë. Përkatësisht, 5 komunikata fillimisht janë dërguar në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët. Një komunikatë e kësaj date është e 15 shtatorit, e cila në këtë datë, u dërgua vetëm në maqedonisht.

15 shtator – Në këtë datë është dërguar një komunikatë vetëm në maqedonisht. E njëjta në të dyja gjuhët është dërguar më 16 shtator.

14 shtator – Në këtë datë është dërguar poashtu vetëm një komunikatë vetëm në maqedonisht.

13 shtator – Qeveria ka dërguar pesë komunikata, dy prej të cilave fillimisht vetëm në gjuhën maqedonase, pastaj në të dyja gjuhët, ndërsa një komunikatë është me lista të zëdhënësve që nuk nevojitet përkthim.

12 shtator – Në këtë datë janë dërguar nëntë komunikata, katër njëherë vetëm në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët. Njëra është dërguar vetëm në gjuhën maqedonase.

Sa i përket ueb-faqes së Qeverisë, gjuha shqipe është më e zbatueshme se sa e Presidencës, e cila për tetë ditë nuk e ka përditësuar ueb-faqen në shqip me informatat më të fundit. Qeveria, përditëson me një ose dy ditë vonesë versionin shqip të ueb-faqes. Kontrolluar më 20 shtator të dy versionet, vërehet se në versionin maqedonisht ka informacione të po kësaj dite, ndërsa në shqip janë të një dite më parë, 19 shtator.

Problemi me kategoritë, ashtu sikurse në ueb-faqen e Presidencës, hasen edhe në ueb-faqen e Qeverisë. Për shembull, siç mund të vërehet në fotografitë e mëposhtme, “Meta podatoci” dhe “Sliçni objavi” në të dy versionet e ueb-faqes janë në maqedonisht.

Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Qeverisë së RMV-së
Versioni në maqedonisht i ueb-faqes së Qeverisë së RMV-së
Versioni në shqip i ueb-faqes së Qeverisë së RMV-së

Sa për krahasim, mes tre qeverive, asaj të LSDM-së, asaj teknike dhe të VMRO-së nuk është se ka ndonjë dallim të madh, ajo që vërehet si ndryshim është se në krye me Talat Xhaferin, komunikatat shqip dërgoheshin gjithmonë paralelisht me ato në gjuhën maqedonase.
Gjithashtu, gjatë Qeverisë së Xhaferit, në shqip përktheheshin vetëm komunikatat ku si “protagonist” e kishin kryeministrin Xhaferi, ndërsa lidhur me anëtarët tjerë të Qeverisë, nuk dërgoheshin fare komunikata edhe në shqip. Në raste të rralla dërgoheshin komunikata në shqip, kur nuk kishin të bënin me Xhaferin edhe atë në lajme tepër të rëndësishme.

Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.

Heqja e tabelave shqip- Flasin qytetarët e Dibrës së Madhe: Me luftë do ta mbrojmë gjuhën shqipe

Pak ditë më parë në pikën e kalimit kufitar me Kosovën në Bllacë të Maqedonisë së Veriut u hoqën tabelat e sinjalistikës rrugore që përmbanin edhe gjuhën shqipe.

Kjo krijoi një zemëratë tek shqiptarët e shtetit fqinj. Tabelat që ishin vendosur në rrugën Bllacë – Shkup nuk përmbanin gjuhën shqipe, ndërsa ato janë zëvendësuar sapo rasti u bë publik në media.

Në lidhje me këtë ngjarje, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin situatën si kthim mbrapa në kohë, por që janë të vendosur se nuk do ta lejojnë të ndodhë. Qytetarët e Dibrës së Madhe shprehen se është luftuar në gjithë këto vite për gjuhën shqipe dhe se nuk mund të ketë një kthim në vitin 2001. Të tjerë qytetarë thonë se fillimisht do të organizojnë protesta, nëse do të ketë një tentativë për ta hequr gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

Shumë tabela në rrugët e Maqedonisë së Veriut u dëmtuan duke iu hequr gjuhën shqipe. Ndërkohë, Ndërmarrja Publike për Mbrojtjen dhe Mirëmbajtjen e rrugëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se do t’i kthejë tabelat në gjendje e mëparshme, me gjuhën shqipe të mbishkruar në to, ndërsa për përgjegjësit e kësaj vepre kërkojnë veprim nga institucionet përkatëse.bw

Heqja e mbishkrimeve shqip nga tabelat, kryeministri i RMV, Mickoski: Pjesë e planit për destabilizimin e vendit

Kryeministri i RMV Hristijan Mickoski ka deklaruar se heqja e mbishkrimeve në shqip nga tabela në pikën kufitare Bllacë është pjesë e një plani për destabilizim të vendit. Ai thekson se përgjegjësia për këtë veprim nuk i përket ndonjë institucioni të veçantë, por përbën një veprim të struktura kriminale që për vite me radhë janë pasuruar në dëm të qytetarëve. Mickoski sugjeron se këto veprime janë rezultat i panikut nga disa grupe që janë të shqetësuar për afrimin e hetimeve ndaj tyre.

“Nuk mund të identifikoj një institucion të veçantë përgjegjës për këtë, sepse nuk besoj se është një institucion i caktuar, por është pjesë e një plani për destabilizim nga struktura kriminale që kanë përfituar përmes aktiviteteve të paligjshme në kurriz të qytetarëve. Kriminelët politikë që kanë manipuluar me institucionet, kanë ndarë licenca për video-lotari të paligjshme dhe lotari online, tani janë të frikësuar pasi hetimet po i afrohen. Këta individë, të cilët ndihen të kërcënuar, përpiqen të destabilizojnë shtetin, por nuk do të kenë sukses,” u shpreh Mickoski.

Nga ana tjetër, Arben Taravari nga VLEN ka kritikuar dramatizimin e rastit, duke theksuar se heqja e mbishkrimeve në shqip ishte një manovër për të shpërqendruar opinionin nga vendimi i Gjykatës së Apelit që kishte rikthyer vulat e partisë së Taravarit. Sipas tij, një arsye tjetër për këtë defokusim ishte konferenca e njëjtës ditë ku u shpalosën parregullsi nga ish-funksionarët e BDI-së.

“Rasti është dramatizuar pa arsye. Heqja e tabelave ishte një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga vendimi i Gjykatës së Apelit dhe nga parregullsitë që u zbuluan në konferencën për shtyp. Tabela ishte ndryshuar me urdhër të ish-drejtorit të ndërmarrjes për rrugë publike dhe tani është rikthyer në përputhje me standardet. Përsëri, tabela e re do të jetë në tri gjuhë,” tha Taravari.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga opozita shqiptare, të shtunën u bë e qartë se tabelat e reja që kishin hequr mbishkrimet në shqip janë zëvendësuar sërish me ato që përfshijnë edhe gjuhën shqipe. Reagimi i opozitës dhe veprimet e ndjekshme kanë sjellë rikthimin e tabelave në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet shumëgjuhëshe.bw

Krenar Lloga: Vazhdon degradimi i shqiptarëve në Armatën e RMV

Ish–Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ndaj degradimit që sipas tij ju bëhet shqiptarëve në Armatën e RMV-së.

“Vazhdojnë degradimet në Armatën e Maqedonisë së Veriut, Shefi i J2 në ARM apo ndryshe përgjegjes i seksionit për Zbulim, kundërzbulim dhe siguri, Kolonel Salija Mustafa shkarkohet dhe në vendin e tij emërohet kolonel Zlatko Stanoeski.

#VasaliteriNukVlen” – thekson Lloga.bw

Dështon nisma për mocionin e mosbesimit ndaj kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

VOA

Parlamanenti i Maqedonisë së Veriut nuk e miratoi mocionin e mosbesimit të ngritur nga partia nacionaliste ‘E Majta’ ndaj Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

21 deputetë të opozitës maqedonase, ‘E Majta’ dhe LSDM votuan pro, ndërsa 72 deputetë votuan kundër.

Nisma nuk u mbështet as nga ligjvënësit e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim në opozitë, por ata nuk morën pjesë në votim; u larguan nga salla para se nisma të hidhej në votim.

‘E Majta’, e akuzonte Gashi për shkeljen e rregullores së punës së parlamentit dhe për nxitjen e disa skandaleve. Partitë shqiptare e cilësuan nismën për interpelancë (mocion mosbesimi) si të motivuar mbi baza etnike.

Kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev theksoi se kryetari i parlamentit nuk e respekton gjuhën dhe flamurin maqedonas; se ka shkelur parimin sekular të shtetit duke organizuar një lutje fetare në parlament (me rastin e përkujtimit të përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës); se ka ndërhyrë kundër ligjeve në rastin e kontrollit në aeroportin e Shkupit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ka keqpërdorur shërbimet zyrtare dhe policore me pjesëmarrjen e tij në një dasmë në Kosovë.

Ndërkohë, kryetari i parlamentit nismën për mocionin kundër tij e vlerësoi si përpjekje për thellimin e ndasive në shoqëri, për heqjen dorë nga rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe nga anëtarësimi në NATO. Zoti Gashi iu përgjigj me kundër-akuza partisë ‘E Majta’ për qëndrimet e saj, “albanofobe dhe islamofobe”.

”Ne të gjithë flasim me zë të lartë për BE-në; qytetarët flasin për bashkëjetësën. Të gjithë themi se jemi këtu bashkë në të mirë dhe në të keqe, ndërsa vetëm kjo parti (E Majta) flet kundër tri shtyllave themelore të shoqërisë sonë: orientimin tonë euro-atlantik, përkushtimin tonë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe përkushtimin tonë për harmoni ndëretnike. Është shumë keq kur luan në kartën e nacionalizmit të gjykimit të tjetrit pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet”, tha Gashi.

Ai nuk qëndroi në seancën plenare me arsyetimin se nuk dëshironte që me praninë e tij të ndikonte tek rrjedha e debatit, teksa u bëri thirrje ligjvënësve që të votonin sipas bindjeve individuale.

Lidhja Social Demokrate e opozitës i dha mbështetje interpelancës ndaj zotit Gashi, duke e akuzuar atë për rastin në aeroportin e Shkupit dhe udhëtimin me veturë zyrtare në një dasmë në Kosovë, me ç’rast e gjithë kolona e krushqëve kishte kaluar kufirin Maqedoni – Kosovë pa iu nënshtruar kontrollit të dokumenteve personale në pikën kufitare të Bllacës.

Ligjvënësit e Frontit Evropian që hodhën mjaft kritika për punën e kryetarit të parlamentit, e kundërshtuan nga ana tjetër interpelancën, duke e cilësuar atë si të motivuar mbi baza etnike.

“Konstatojmë dhe jemi të mendimit se motivi për këtë interpelancë nuk ka të bëjë me punën e kryetarit të parlamentit, por ka të bëjë me përkatësinë e tij etnike”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Por, Xhaferi sikur se edhe disa kolegë të tij të Frontit Evropian, theksoi një sërë vërejtjesh për punën e kryetarit të parlamentit për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm, sipas tij, të procedurave të vendosura me rregulloren e punës së parlamentit.

Kryeministri dhe kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski e ka quajtur “sjellje të papjekur dhe të krisur” të Lidhjes Social Demokrate, BDI-së dhe të Majtës duke shtuar se nuk ka asnjë bazë për interpelancë ndaj kryetarit te parlamentit, Afrim Gashi.

Interpelanca në Maqedoninë e Veriut është ekuivalente me mocionin e votëbesimit. Shumica parlamentare ka 76 deputetë nga 120 sa ka githsej parlamenti i vendit.

VMRO i rikthehet idesë kundër gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

Dy muaj pas formimit të qeverisë së VMRO-DPMNE me kryeministër Hristian Mickoski dhe në koalicion me shqiptarët e VLEN, në qarqe të ndryshme siç është institucioni më i lartë i barazisë ligjore, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, po shfaqen qëndrimet e para kundër gjuhës shqipe. Dje, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski ka paralajmëruar iniciimin e një nisme kundër gjuhës shqipe. Ai tha se “me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik”.

Në bazë të kësaj deklerate të kreut të Gjykatës Kushtetuese ky ligj së shpejti mund të shfuqizohet dhe përpjekjet për një nismë të tillë mund të nisin pa humbur kohë nga faktori maqedonas.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut u arrit pas përpjekjeve të gjata të faktorit politik shqiptar, për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit e cila shënoi fundin e konfliktit të armatosur në RMV. Kujtojmë që VMRO-DPMNE ka mbajtur vazhdimisht qëndrime antishqiptare qëkur drejtohej nga ish-kryeministri Nikola Gruevski.

Pas deklaratës së kreut të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, kanë ardhur edhe reagimet e faktorit politik shqiptar.

Koalicioni VLEN, partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO e kanë konsideruar nismën për kontestimin e dygjuhësisë si tentativë për grusht shteti. Një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Fronti Europian, koalicioni i partive shqiptare opozitare i përbërë nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët të cilët bëjnë thirrje të mos preket gjuha shqipe.

Nga ana tjetër, Agjencia Për zbatimin e Ligjit për Gjuhët e pakicave ka deklaruar se “nismat e këtilla janë kryekëput me karakter politik, nacionalist dhe antinjerëzor”. “Gjuha shqipe u përket shqiptarëve dhe nuk rrezikon askënd. Tendenca për ta përjashtuar shqipen nga përdorimi zyrtar, është ide e vjetër e cila, siç e dimë, ka prodhuar tensione dhe konflikte”.

Ligji i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar. sn

Gashi përballë një interpelance për incidentin në Aeroportin e Shkupit

Interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare që do të mbahet më 3 shtator.

“Do të jetë mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike se ne jemi të hapur për debat”, tha Gashi në një prononcim për media.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit, nëse ndonjë anëtar i Kuvendit bën kërkesë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit, kjo çështje duhet të vendoset si pikë e parë e seancës së radhës plenare.

Kërkesa për interpelancë ndaj Gashit u bë nga deputetët e partisë E Majta, pas incidentit në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Atëbotë, Lidhja Social Demokrate opozitare kërkoi largimin e Gashit, duke thënë se ai ishte përgjegjës për incidentin. Deputetët opozitarë e mbajnë përgjegjës Gashin dhe i kanë kërkuar kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se nuk mbështet një interpelancë ndaj Gashit.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.

Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase. REL

Shkup, arratiset ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani

VOA/Isak Ramadani

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut konfirmoi të enjten arratisjen nga arresti shtëpiak të Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili qe ndaluar nga autoritetet policore maqedonase në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Ministria e Brendshme u tha medieve lokale se do të shpallë një “urdhër arrest qendror” për zotin Ramadani.

Autoritetet nuk japin hollësi mbi rrethanat e arratisjes së shtetasit të Kosovës, një portal në gjuhën maqedonase shkroi se zoti Ramadani është arratisur nga shtëpia e miqve të tij në Shkup, ku qëndronte nën arrest shtëpie në bazë të një urdhri të gjykatës themelore në Shkup. Sipas portalit sdk.mk, pas ankesës së Prokurorisë, tre gjykatës të Gjykatës Penale të mërkurën i kishin caktuar Ramadanit masën e paraburgimit efektiv prej 30 ditësh për shkak të rrezikut se mund të arratisej. Gjithnjë sipas portalit, dikush nga Gjykata Penale e kishte njoftuar zotin Ramadani i cili më pas është arratisur.

Javën e kaluar ministria e Jashtme e Kosovës tha se një gjykatë në Shkup vendosi të mos e dorëzoj tek autoritetet serbe zotin Ramadani, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut.

Blerim Ramadani u arrestua në fund të korrikut gjatë në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Glloboçicë – Jazhincë, afër Tetovës. Pas disa ditësh qëndrimi në paraburgim ai u la më 1 gusht në arrest shtëpie tek miq të tij në Shkup, derisa autoritetet gjyqësore të merrnin një vendim përfundimtar se a do ta ekstradonin atë në Serbi ose jo.

Autoritetet e Kosovës, përmes ambasadës në Shkup kishin kërkuar lirimin e tij. Blerim Ramadani ishte pjesëtar i Zonës Operative të Nerodimes të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët e UÇK-së nga Ferizaji, ku bënte pjesë ish-luftëtari Ramadani, kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa aktakuzat e autoriteteve të Serbisë kundër pjesëtarëve të UÇK-së i quajtën të fabrikuara dhe arrestimet “të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë veteranët”.

Serbia e akuzon zotin Ramadani për “krime lufte në rajonin e Nerodimes, në komunën e Ferizajt në verën e vitit 1999”.

Ky nuk është rasti i parë kur autoritetet maqedonase ndalojnë shtetasit e Kosovës në bazë të urdhër-arresteve të Serbisë.

MPJD: Shkupi nuk do ta ekstradojë në Serbi ish-ushtarin e UÇK-së

Një gjykatë në Shkup e ka hedhur poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, njoftoi të premten Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).

“Z. Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final (ex officio) të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha MPJD-ja në një njoftim në Facebook.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Sipas MPJD-së, autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare. REL


Send this to a friend