Sokol Kushta lëshon bombën. Legjenda e futbollit shqiptar mendon se trajneri Xhani De Biazi duhet të largohet, sepse ka një plan kundër tij për ta nxjerrë si të paaftë në këtë histori. Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai analizon humbjen që kuqezinjtë pësuan ndaj Izraelit, por nuk harron të flasë edhe për situatën që po kalon Flamurtari i tij.
“Unë kisha paralajmëruar që pa një qetësi nuk mund të punojë as Murinjo. De Biazi nuk mund të punojë më në kombëtaren shqiptare. Jo se nuk ka aftësi, por kjo pjesë që thashë nuk ekziston më për të. Fatkeqësi është, por është realitet. Janë ndarë në pjesë te Kombëtarja dhe trajneri ndihet i tepërt. Kjo u pa dhe te lojtarët që kanë humbur qetësinë e tyre. Çdo gjë që kalon një trajner përçohet edhe në ekip”, u shpreh Kushta.
Duke u ndalur te përgjegjësit për këtë situatë në Kombëtare, Kushta i fajëson të gjithë faktorët rreth De Biazit, ndërsa thotë se ka një furtunë të organizuar kundër italianit, që në fund duan që ta nxjerrin teknikun pa vlera.
“Të gjithë faktorët rreth De Biazit kanë faj. Më e ndershmja do ishte që pas mbarimit të Europianit trajneri të ishte larguar. Gjërat do shkojnë dhe më keq dhe në fund do dalë De Biazi pa vlera. Shikoj një furtunë të organizuar kundër tij. Nuk e mbroj, por po them një të vërtetë. Edhe De Biazi gabon kur mendon se është i pagabueshëm, por mënyra e kritikës është jo normale”, tha Kushta.
Flamurtari
Sokol Kushta është i mendimit se Kreshnik Çipi si krah i djathtë i Sinan Idrizit, duhet ta këshillonte pozitivisht administratorin. “E para më vjen keq për çdo gjë që po ndodh. E dyta kur shikoj njerëz që mund të ndihmojnë Flamurtarin, por me ato këshilla që lexoj, e fusin situatën më në errësirë. Lexoj Kreshnik Çipin që akuzon FSHF-në, Tiranën, bashkinë dhe çdo gjë tjetër përveç Idrizit që është i zoti i punës. Bën gabim se ka disa vjet që është krahu i djathtë i Idrizit dhe duhet t’i jepte këshilla pozitive. Unë nuk e di që Kreshniku si anëtar i bordit të Idrizit të ketë vajtur një herë në Federatë, të ketë biseduar dhe mos të ketë gjetur zgjidhje.
E dyta, ka mospagesa dhe kjo gjë është reale, nuk gënjen asnjeri. E treta, vjet u penalizuan nga UEFA dhe UEFA nuk na do. Tjetra, ç’lidhje ka fondi i Orikumit me Flamurtarin? Orikumi merr sa kishte rrogën një lojtar anonim nga Gjeorgjia. Prandaj Kreshniku si ish-lojtar duhet të ndihmojë më shumë me mendimet e tij. Kurse për Saimirin Haxhiun di që ka qenë një zë kritikues edhe vjet.
Prandaj unë dëshiroj që shumë njerëz nga ne që e duam Flamurtarin të ndikojmë pozitivisht për zgjidhjen e kësaj teme, sepse nuk zgjidhet me sharje dhe ultimatume. Për akuzat dhe sharjet e Idrizit nuk di çfarë të them, ai ashtu e mendon, por di që FSHF drejton futbollin. Keq apo mirë, ajo është qeveria, atë kanë votuar presidentët e klubeve”, tha Kushta.
Për FSHF-në
Legjenda e futbollit vlonjat kërkon nga FSHF që të jetë më bashkëpunuese për zgjidhjen e çështjes së Flamurtarit. Kushta bën përgjegjëse edhe FSHF për këtë situatë.
“Federata të jetë më bashkëpunuese. Megjithatë, mangësitë që kanë ekipet janë këta që i zvarrisin, tolerojnë dhe i diferencojnë ekipet. Ndërhyrja duhet të jetë sa më emergjente. Kur në FSHF vijnë kontrata me shifra të çmendura dhe ekipet nuk kanë bërë shlyerjen paraprake të vitit, që aty nuk duhet ta lënë që borxhet të akumulohen deri në atë masë sa të marrin vendimin për përjashtimin e klubit dhe këtu FSHF ka gabim. Prandaj, ajo nuk duhet të mënjanohet nga faji që ka”, përfundon ish-futbollisti vlonjat.
ERMAL SIKA
Komentet