Më 15 qershor të këtij viti, Kosova shënoi shtatë vjetorin e fuqizimit të Kushtetutës së saj. Kjo Kushtetutë buron nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për Statusin e Kosovës, që njihet edhe si Pakoja e Ahtisaarit.
Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike, vlerëson se për shtatë vjet të hyrjes në fuqi, Kushtetuta e Kosovës është sfiduar fillimisht me kompetencat ekzekutive të misioneve ndërkombëtare, të cilat kishin fuqi mbi aktin më të lartë juridik. Ndërkaq, edhe pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas tij, kanë mbetur relikte që e sfidojnë atë.
“Kjo Kushtetutë, fatkeqësisht sfidën kryesore e ka pasur me vetveten dhe institucionet tona në segmente të caktuara, si dhe qytetarët e saj, të cilët e kanë shkelur dhe e shkelin çdo ditë këtë Kushtetutë. Sfidat burojnë edhe nga vetë përmbajtja e Kushtetutës, për arsye se dispozitat e saj nuk janë të tilla që të sfidonin dhe stimulonin zhvillimin ekonomik dhe proceset në Kosovë“, vlerëson Baraliu për Radion Evropa e Lirë.
Si shtet i ri, Kosova është ballafaquar me probleme të shumta, thekson tutje Baraliu. Ai rikujton se ishin 24 shtete që e kanë mbikëqyrur pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. Përderisa në shumë raste, kishte edhe përplasje kompetencash mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve.
E gjithë kjo situatë, sipas tij, ka ndikuar që Kushtetuta të shkelet nga të gjitha palët, përfshirë edhe institucionet që duhet të sigurojnë zbatimin e saj.
“Kemi pasur edhe një interferim të fuqishëm edhe me institucionet ndërkombëtare që kishin kompetenca ekzekutive. Ju e dini që 24 shtete e kanë mbikëqyrur, përcjell zbatimin e Kushtetutës dhe të funksionalizimit të shtetit të Kosovës derisa është hequr kinse pavarësia e kushtëzuar. Po, në fakt, ajo ende vazhdon, të gjithë këta mekanizma kanë ndikuar që të shkelet, jo pak, po të shkelet, për të mos thënë çdo ditë, kjo Kushtetutë“, thekson Baraliu.
Duke pasur parasysh sfidat, me të cilat është përballur zbatueshmëria e Kushtetutës së Kosovës, Baraliu mendon se ajo tani duhet t’i nënshtrohet procedurës së plotësim-ndryshimit apo edhe rishkrimit të saj.
Ndërkohë, njëri nga hartuesit e saj, profesori Arsim Bajrami, aktualisht ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, vlerëson se Kushtetuta ka realizuar misionin e saj primar, që ka qenë shtet-ndërtimi apo krijimi i kapaciteteve shtetërore. Proceset në Kosovë, thekson ai, janë dinamike, dhe se tani duhet dhënë prioritet realiteteve të reja dhe integrimeve evropiane.
Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, ai mendon se ato duhet të përfshijnë institucionin e Presidentit, pastaj ndryshimet që nevojiten për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe të Gjykatës Speciale apo dhomave të veçanta.
“Kushtetuta e Kosovës deri tash është plotësuar me 24 amendamente dhe tani pritet që të ketë edhe amendamente tjera që kanë të bëjnë me themelimin e dhomave të specializuara dhe themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, thotë Bajrami.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës ka në procedurë amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale apo dhomave të veçanta, të cilat do të udhëhiqeshin nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Ato pritet të trajtojnë rastet e pretenduara si krime lufte që janë ngritur në raportin e Këshillit të Evropës. Lidhur me këto ndryshime, Bajrami nënvizon se ato janë çështje të karakterit politik.
“Për çfarëdo procesi të bartjes së sovranitetit te një dhomë e specializuar, duhet të bëhet ndërrimi i Kushtetutës dhe Kushtetuta jonë lejon bartjen e sovranitetit vetëm me një votim të Kuvendit prej dy të tretave dhe të shohim është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës që të marrë një vendim për këtë çështje”, deklaron Bajrami për Radion Evropa e Lirë.
Me vetë faktin që Kosova do të themelonte një Gjykatë Speciale, e cila do të bartte një pjesë të sovranitetit te ndërkombëtarët për një afat të kufizuar kohor, kjo do të nënkuptonte se Kushtetuta do t’i nënshtrohej sërish një rishikimi në të ardhmen.
Në këtë drejtim, njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë se Kushtetuta ishte dhe mbetet dinamike e kalimtare deri në krijimin e një stabiliteti juridik e kushtetues në vend.
“Kjo Kushtetutë prapë nuk do të jetë përfundimtare dhe e cila do të shprehë vullnetin e plotë të qytetarëve shumicë në demokraci. Ajo prapë do të jetë kalimtare, me parametra normativ kalimtar siç është çështja e Gjykatës Speciale, e cila do të jetë pjesë e normativit kushtetues të brendshëm.Dhe, natyrisht që një pjesë e sovranitetit të drejtësisë së Kosovës do t’i zhvendoset kësaj gjykate, e cila paralelisht do të funksionojë bashkë me institucionet tjera të drejtësisë së Kosovës”, thotë Burjani.
Një sfidë tjetër e amendamentimit të Kushtetutës, vijon Burjani, mbetet edhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Aktualisht, rolin e forcës mbrojtëse në Kosovë e ka KFOR-i. Kurse proceduralisht, Forcat e Armatosura të Kosovës do të mund të themelohen vetëm nëse krijohet konsensusi politik edhe me pakicën serbe që të votojë pro ndryshimeve kushtetuese.
“Me Kushtetutën e Kosovës janë paraparë edhe KFOR-i, EULEX-i, si misione ndërkombëtare, të cilat sot janë pjesë e Kushtetutës. Dihet që, tash për tash, Kosova si forcë të veten mbrojtëse e ka vetëm KFOR-in, i cili ende bazohet në Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kështu që, për themelimin e një force të armatosur të Kosovës, padyshim që duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta në këtë pjesë”, thekson Burjani.
Pasi ishte draftuar më 9 prill të vitit 2008, duke u mbështetur në parimet e Pakos së Ahtisaarit, Kushtetuta e Kosovës kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, të po të njëjtit vit.
Përveç ndryshimeve që pësoi në amendamentet për marrjen e pushtetit nga misionet ndërkombëtare, karakteristike për këtë Kushtetutë ishin edhe shkelësit e saj.
Bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, shkelës të Kushtetutës ishin edhe Presidenti dhe Kuvendi i Kosovës.
Edhe shtatë vjet pas fuqizimit të saj, Kushtetuta e Kosovës vazhdon të sfidohet seriozisht në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku qasja e shtetit të Kosovës mbetet simbolike dhe e kufizuar.
Komentet