(U botua libri “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” i ish kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, nga Shtëpia Botuese, Klubi i Poezisë, Tiranë)
Libri i zi, libri më i zi kundër shqiptarëve, ose libri i ankthit serb, siç shkruan Izet Duraku, ankth i shkaktuar nga ngritja, ngjizja, apo krijimi i shtetit shqiptar, me titull, “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, i shkruar nga ish kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq në janar 1913, i botuar atëhere në gjermanisht dhe frëngjisht për të bindë europianët se shqiptarët janë me bisht, janë të pagdhendur, të trashë, primitivë, të pazhvilluar, s’mund të bëjnë shtet, s’duhen pranuar në Lidhjen e Kombeve, s’mund të jetojnë shtet më vete por i duhën lënë për 100 vjet Serbisë që t’i kulturojë e njerëzojë e pas 100 vjetëve Serbia t’u japë autonomi kulturore, i përkthyer nga gjermanishtja e botuar në serbisht nga i biri i mbretit të Serbisë për ta mbjellë e rritë urrejtjen serbe kundër shqiptarëve deri në zhbërjën e tyre; libër bazë, rrënjë mitër apo nënë e gjithë elaborative apo platformave shkencore, akademike e politike serbe antishqiptare; libër gurrë e të kqiave kundër shqiptarëve, gurrë në të cilën kanë pi urrejtje kundër shqiptarëve gjithë antishqiptarët, gjithë urryesit e shqiptarëve, gjithë oratorët, kritikuesit, qortuesit e shqiptarëve e kombit shqiptar, por pa e ditë shqiptarët se cila është ajo gurrë të cilën për një mijë rrethana e arsye urryesit e qortuesit e shqiptarëve që llomotisin televizioneve e gazetave e kanë mbajtë edhe të fshehtë; libër i përkthyer prej serbishtes në shqip nga ish kryeministri dijetar e atdhetar shqiptar Mustafa Kruja dhe i botuar, me parathënie e pasthënie prej tij, në vitin 1928; libër i mbajtur po thuaj i fshehtë ndaj lexuesit masiv shqiptar dhe i përdorur nga staticienët ballkanas e shqiptarë të veseve njerzore të shpallura nga qortuesit e shqiptarëve si vese vetëm shqiptare, u ribotua këto ditë vere në Tiranë, pas 87 viteve prej botimit të parë, nga shtëpia botuese Klubi i Poezisë në Tiranë, që ka ndërmarrë nismën, të njohim fqinjët, dhe në këtë kuadër po boton libra të fqinjëve serbë, armiq e miq, falë mirëkuptimit, përkrahjes e mbështetjes financiare të biznesmenit intelektual e humanist Flamur Lutfi Hoxha, i cili thotë se asgjë më shumë se libri nuk është gur themeli në kujtesën kombëtare dhe po e mështetë këtë nismë, falë nxitjes, redaktimit dhe parathënies për këtë botimi të Izet Durakut, me recencë të Skënder Zogajt, falë lejes për botim të Eugjen Merlikës, nipit të Mustafa Krujës, falë ndërhyrjeve gjuhësore të tij dhe të Neritan Kolgjinit, i cili është edhe recenzent edhe e ka radhitë librin.
Libri i Vladan Gjorgjeviqit, Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha, nuk është libër vere, limonadë, telenovelë bastarde që ngop me kotësi lexuesit e mjerë që shullëhen e rreziten në diell kotësie të pashpresë se s’dinë çfarë duan në jetë, është libër i frikshëm, i rëndë, tronditës që të ngjeth mishin e të ngre përpjetë flokët e kresë kur gjendesh para furisë e shtjellave të egra të furtunës së shpifjeve të pa dëgjuara, të pa imagjinuara edhe prej mendjes më të lajthitur e të sëmurë, shpifje të pështira që i ndjen se të ngulen si thika të helmëta në trup dhe don të thërrasësh se nuk janë të vërteta, por nuk ke fuqi të nxjerrësh as frymë as zë, dhe dyshon se nuk të beson as zoti, që mbahet si krijues i njeriut.
Mustafa Kruja në parathënie pyet, a ka shqiptarë më bisht?
Lexuesi shqiptar pak i ditur e i lexuar duhet të ketë dëgjuar se diku, dikur në një konferencë në Romë, Gjergj Fishta nuk po ulej në karrige në sallë ku ishte i ftuar dhe po qëndronte në këmbë. Kur drejtuesit e mbledhjes i thanë Fishtes se pse nuk uleni imzot, ai u përgjigj se nuk më le bishti të ulem. Bishti që Vlladani ua kishte ngjitë shqiptarëve u bë problem në atë sallë elitare dhe përfaqësuesi serb në atë mbledhje thonë se doli jashtë.
Po thuaj se një gjest të tillë ka bërë edhe imzot Noli i madh diku në një takim nivelesh europiane kur ka thënë se nuk po di ku ta vari bishtin që ua kishte ngjitë Vlladani shqiptarëve.
Si botues, si gazetar, poet, që me mbështetjen financiare të Flamur Lutfi Hoxhës kam botuar “Shpërngulja e Shqiptarëve” të Vaso Çubrilloviqit, “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” të D’Estournellës De Constant, humanist i madh francez, nobelist i paqes, ish sekretar i komisionit të caktimit të kufijve në veri të Shqipërisë, “Shqipëria në 1921” të humanistit Justin Godart, përkthyer nga Mirdash M. Shehu – libër i madh i dashurisë për shqiptarët ose libri që i vihet përballë si asnjë tjetër deri sot librit të Vladanit dhe që u këndon hymn e u del zot shqiptarëve si pothuaj asnjë libër tjetër, që kam në shtyp Kosta Novakoviqin e Ballugxhiqin, do të doja që këtë libër të Vladanit ta lexonte çdo shqiptar që din shkrim e këndim. Për me njoftë fqinjët tanë serbë, me njoftë laboratorin e të keqes serbe. Mos me u gjendë si gomari që po e hante ujku e ai kujtonte se ishte në ëndërr. Mos me mbetë në tela çiftelie e sharkie dija jonë për fqinjët tanë serbë me të cilët do të jemi fqinjë sa ta nxehë dielli tokën.
Jo për mua, jo se unë fitoj lekë nga shitja e këtij libri (edhe nëse fitoj nuk është keq pasi dua ta botoj Dimitrie Tuceviqin dhe ndonjë humanist tjetër serb), por për formimin e vetëdijes kombëtare të sejcilit shqiptar, vetëdije që nuk formohet por shëmtohet nga librat e dashurisë së shtirur e sterile të atyre që bëjnë dashuri në letra e jo në jetë.
Në fund fare, i dashur lexues, pasi ta lexosh këtë libër, si të kalojë një farë kohe, ka me t’u ngjallë një ndjenjë mëshire për serbët, për liderët serbë, për akademikët serbë, sepse do të kuptosh se sa shumë energji, mund, djersë, para, ëndrra në diell kanë çue dëm serbët duke urrye, vrarë, masakrue e përdhunue shqiptarët, këtë farë e rracë të pazhdukshme, që zoti i ka falë të paaftë me urrye por edhe fatkeqë se harrojnë shpejt, për të zezën e vet.
Komentet