Përmbledhja poetike “Shkreptime tjetër moti”, botimi i para pak ditëve i shtëpisë botuese “Onufri”, nuk është stacion zbritjeje i autorit të tij, Demir Gjergji, sepse poeti vijon ritmikisht të udhëtojë ritmikisht nëpër motive të tjera. Poezitë e mëposhtme janë shkruar pas botimit të librit në fjalë.
Të tashme s’ka
PËRCJELLJE
-Sërish, Deradës, sime bije!
Nënën e puthja kështu, kur zbrisja përrenjve të malit,
Nënën dhe ty, që pres të më lindësh,
Në ardhjen tjetër prej qiejve të mallit!
HESHTJE BIBLIOTEKE
Si mund të heshtin kështu
mbretërit dhe skllevërit, Zhuljetat dhe Dylqinjat,
Tanushat, Kareninat,
Boritë, perandoritë, orkestra, zija, festa?
Si mund të shurdhohen stuhitë dhe gjëmimet?
Rimat, ulërimat,
gërmadhat dhe ngrehinat,
Marshet, uniformat, ballot, fronet, dimrat
Në ç’gjumë po fundosen kështu?!
Si mund të rrinë kaq urtë lutja dhe lufta,
Të myken ligji dhe formula?
Si mund të fshihen trofetë, të fiken rrufetë,
Që ti ta kthesh e qetë një fletë,
Të ndalesh në faqen trembëdhjetë,
Të bësh sikur lexon
E të thuash: “Të dua!”
Për mua?!
SHTRËNGATA
Mbi delirin e lisave,
Të ajrit, barit, bilbilave,
Shëmtia e qiellit sakaq,
Me bisha mjegullash u shfaq.
Për pak do të shembej gjithçka,
Siç ndodh në çdo tragjedi,
Nëse nga retë hata,
S’do të zbriste si paqe ky shi!
TEL I TENDOSUR
Tel i tendosur!
Në do, në si, në mi…
Ç’hark që isha!
Ç’violinë, ti!
Tel i tendosur
Në fa… në sol…
në re,-
Udha nga ike nën hënë të re!
Tel i tendosur deri në fund,
Si s’po këputet, që të të humb!
MË SHEH E MË THUA:
Mos më puth në mars,
Se sythat bëhen sy,
Kur mund të çelen gojë,
Që fryma të blerojë.
Mos më puth në prill,
Se në dimër lind…
Vogëlushi ngrin
E s’të njeh për prind.
Mos më puth në maj,
Se zogu hap sqepin
Dhe kashta për fole
I bie përdhe.
Si thëllëzë më gjuaj,
Më puth si i huaj,
Pa orë e pa muaj.
GRUAJA E PIKTORIT
Kur duheshin tinëz
Dhe putheshin stinës,
Ngjyrat çmendeshin,
Gjoksit e shpinës!
Tani, kur gjumi përnatë,
I ndan si lumi në shtrat,
Në qosh të bujtinës,
Tjetra futet sakaq
Brenda kornizës,
Ngjyrat me bujë i shfaq.
Përmes ekspozitës!
Orëve të dyndjeve,
Në librin e përshtypjeve,
Diku, në një skaj,
Ngashërimi i saj!
UDHËTIME…
-Parabolë-
Toka lundron orbitës së vet,
Në Tokë, kontinenti, drejt qendrës ngarend,
Përmes kontinentit treni po nget,
Vagonëve te trenit karroca rrëshqet,
Uloku mbi karrocë ik ëndrrës – kometë.
Ku do të ndalet Toka,
Ku do të ngecë Evropa,
Trenit ku do t’i mbyllet porta,
Ku do të mbërrijë karroca,
Ulokun ku do ta lërë forca,
Përmbysur mbi ëndrrën e vet!?
NË KUJTESË…
Pëllumbi mbytet në lumë,
Peshku në ajër s’merr frymë!
Bima thahet në ngricë,
Ngrica ndërron jetë në prill.
Hija humb në errësirë,
Nata ngordh në mesditë.
Në mua mbyllesh ti,
Unë vdes në vetmi.
Por është një ujdhesë,
Ku rron dhe peshku, dhe shpendi,
Dhe bima, dhe ngrica,
Dhe llamba, dhe hija
Dhe ti tek unë,
Dhe unë te ti.
Një ujdhesë,
Në kujtesë.
PAMJE PËRTEJ SHIUT
Shihet shiu,
Lëkundet si dantellë e vjetër.
Bie gjithkund,-
Shigjetë që kurrë s’qëlloi në shenjë.
Flaka e diellit
Dhe hijet, dhe etjet,
Tani, –
Më larg se ti.
Pamjet përtej,
Janë kurmi yt që vishet,
Me mall e vetmi,
Kurmi yt
Gjah i shenjuar
Nga heshtat e syve të mi.
CIKLIKË
Lulet mbijnë në luftë,
Mbi trupa martirësh çelin.
Në paqe prodhohen pushkë,
Që prapë lule të mbjellim!
E DIELA
E diela është një qelq i pastër si ajri
Midis lëngimit të së shtunës dhe kryengritjes të së hënës,
Midis buzëve që pështyjnë dhe buzëve që puthen.
Midis gënjeshtrës për të ikur dhe betimit për të ardhur,
Midis shpinës e shpinës dhe fytyrës e fytyrës,
Midis meje e teje dhe krismës së katastrofës kozmike…
Një kaproll syqiell, që s’dihet ç’e sjell,
Përplaset pas tij dhe bije pa shpirt.
Gjak i ngrohtë… frymë e ftohtë… dhe qelqi shihet!
ESE
Sa shpirtra pa trupa mbi botë!
Sa trupa pa shpirtin nën tokë!
Gëzo, shpirti im, që ke një bujtinë,
Vallëzo, trupi im, dëshmo Gjithësinë!
BRONZI I KAMBANËS
Ti s’e di sa dhemb ai bronz,
Tek bie të dielave për meshë.
As dhembja vetë s’e di, teksa kumbimin ia ndien.
Ti s’e di si qan ai bronz,
Tek hesht i fshehur mes resh.
Ti s’e di…
Ngul gozhdët e kryqit mbi mua dhe qesh!
MBRETËRESHA E MBRËMJES
-Përrallëz-
Lë fronin dhe mbretërinë e vet,
Me 700 mbretër dhe po aq skllevër,
Pamjet plaken papritur përreth,
Asaj i falen njomështitë e verës.
Pranon pa mëdyshje çdo nder e dhuratë;
Stërkalat sythave, përshpirtjet e borës,
Dhe del nga mbretëria e vet kryelartë,
Me varg luleshqerrash në vend të kurorës.
Mbi vyshkjen gjirit, pak pudër-polen,
Në hirin e shpirtit ca farëza mbijnë,
Mbretëresha e mbrëmjes pas erës po rend,
Si lodër fëmije lë pas mbretërinë.
ORË DIELLORE
Foshnjë, dita.
Hija zgjatet gjer në fund,
Shelgu po ai mbi ujë!
Vashë, dita.
Hija ngjitur nëpër trung,
Shelgu po ai mbi ujë!
Plakë, dita.
Hija tutje degët tund,
Shelgu po ai mbi ujë!
Ti në udhë,
Ti në gjumë.
Hyn tek unë,
Rrjedh me zhurmë,
Shkon me shkumë,
I njëjti lumë!
UDHËTIMI I FUNDIT
Buzëqeshja e pritjes,
Ora e nisjes,
Shkallët te dera,
Valixhja dhe ndenjësja…
Dritarja ovale,
Dhe flatra mbi male.
Sytë si brumbuj të larmë,
Fshihen nën gurë të bardhë,
Shkasin mbi ujë,
Pa urë e pa udhë,
Pa shenjë e pa gjurmë.
Këmbë e këpucë
Qetuar në gjumë!
Pa zë e pa hapa,
I heshtur si hi,
Mbi supe të gjalla,
Kështu te vetvetja,
Një ditë do të vij,
Atje ku pret ti!
HESHTJA
Po vinte shiu,
Po renë e shtyu veriu,
Dhe rrafshnalta psherëtiu…
Heshti,
Tutje harbonte rrebeshi.
Vraponte karvani me zhurmë,
Po ura u shemb mbi lumë,
Dhe udha humbi pa gjurmë,
Heshti…
Heshti me të dhe qyteti.
Po niste muzika,
Po nata mbeti pa drita,
Festa u shua nga frika,
Heshti…
Heshti me të dhe mëngjesi.
Po vija te ti,
Po bota u mbush me mëri,
Shpirti m’u shemb në mërzi.
Heshti…
Dhe dot s’ta tha sa të deshi!
VJESHTË VJENEZE
-Vals-
Një vejushë vej-e-vjen nëpër Vjenë,
Ca zonjushë e kujtojnë, disa zonjë.
Nëpër vjeshtë zonja shfaqet si refren,
Teksa vajzë endet qiejve me avionë.
Gjeth e gjurmë nëpër sheshe ngashërejnë,
Udhë e Qumështit nëpër kozmos sos në hon…
Një vejushë vjen e vete nëpër Vjenë.
Violina më kot harkun e kërkon…
Vjenë, vjeshtë 2014
HYJNESHA
Erosi erdhi, eremit më gjeti.
“Më dërgoi Venusi të të them,
Se puna e tij kaq ishte…
Përsose më tej hyjneshën Venerë!”
Po ç’mund të bëja unë, eremit i mjerë,
Më shumë se Venusi bëri në qiell?!
Veçse te buza t’i mbillja një puthje,
Veçse te jeta t’i shtoja ca muzgje,
Veçse te ashti t’i ndizja një flakë,
Veçse te shpirti t’i hapja nje plagë,
Veçse te syri t’i pikja një lot,
Veçse te fryma t’i zgjoja një oh,
Veçse së thelli t’i hapja një brengë,
Ta gdhendja pastaj statujë në mermer,
Ta bëja të rronte në shekuj të tjerë.
U BINDA…
U binda, se e kuqja është prush i së kuqes,
Nga buzët e tua në kurthin e puthjes.
U binda, se e kaltra është qiell i së kaltrës,
Nga frymëmarrja jote në flatrat e fjalës.
U binda. se e gjelbra është lojë e së gjelbrës,
Nga prania jote në hon të mungesës.
U binda, se e zeza është zi e së zezës,
Nga braktisja e vetes në mes të harresës!
TË PRES PËRBALLË SHTATORES
1.
Kush tha se s’plaken shtatoret?!
Vështroj Teutën, mbi Bankë, në Durrës,
Nën kripën e detit dhe tymrat e rrugës!
Një dimër i zi,
Një verë pa shi…
Mbretëresha e lodhur nga luftërat,
Shtatorja e plakur nga pluhurat,
Pret vjeshtën për pak vajzëri!
2.
Përballë shtatores rri…
Një dimër-mërzi,
Një verë-vetmi…
Pres të kthehesh nga udha,
Si pjalm të më ulesh mbi rrudha,
Të më çosh në rini!
Kush tha se plaket njeriu?!
AKTE
Ndërruam rolet,
Braktisëm molet,
Këmbyem polet
Dhe simbolet!
Shpirti, shkret,
Në frymë të vet!
FATKEQËSITË
A.
Më kot e bëja mandatë,
Rënien nga ato shkallë,
Që më ngjitën në Qiellin e 7-të.
Një,… tetë,… 46,
Zbrita deri në Rrethin e Nëntë…
Dhe vërshëlleja të njëjtën këngë:
“Unë ty, moj të kam dashtë…”
B.
50 plagë më thernin,
Kur djalë u ndjeva 50 vjeç.
50-vjeçar syve të tu…
Sot dukem i bukur dhe qesh!
C.
E prisja si gjëmë,
Ikjen pa ardhje prej saj.
Më e hidhur qenka,
Më e rëndë!
NATË SHTRATI
– “Moj Pashone, moj shigjetëll,
Ike natën, më le vetëm” –
(Këndonte im atë)
Shigjetlla zhvishet nëpër gurë,
Si vetëtima tej në re,
Vështrimin tim e vesh lëkurë,
Dhe fshihet bashkë me të në dhé.
TI QESHE
Ti qeshe për t’iu shmangur buzëve…
Uloke puthja ra përdhe.
Me “Jo” u nise tutje udhëve.
Një “Po” jetime këtej le.
U trete, pikëllim në mjegull,
Të preheshe atje, në Jo.
Nga prapa nxinte ditë e djegur,
Me erën që dëneste: Po!
Ajo dënesë të ndoqi pas,
Me Jo-në tek ikje nëpër botë,
Të mbërriti, befas u përplas
Me shpirtin tënd e t’u bë lot.
Vesoi loti nëpër Po,
Si shi pikoi këtej mbi mua…
Dhe qeshte syri im: Me do?
Dhe buza jote thosh: Të dua!
ZERO
Në rrethin e mbyllur të zeros,
Si brenda lëvozhgës së vezës,
Një epos flirton me një eros,
Për tjetër shpjegim të Gjenezës.
DUHEMI
Kemi çka e ka gjithkush:
Ajrin,
Ëndrrën,
Jetët.
Kemi çka rrallëkush e ka:
Dashuri
E zemër.
Veç ar e armë s’kemi,
Për të qenë mbretër.
NË TRI KOHË
-2 variacione-
1.
E ardhmja,-
Lodra,
Që do me ngulm e ngut fëmija.
E merr ndër duar…
E hap,
E ciflos,
E vjetron,
E përplas përtej,
Në të shkuar!
E tashmja,-
Fëmija që qan,
Botën më këmbë e ngre
Për një lodër të re!
2.
E ardhmja,-
Ti!
E shkuara,-
Unë!
Të tashme s’ka
Kurrkund!
Te falenderoj per perkujdesjen, Skender!