Një protestues duke e mbajtur një pankartë në një marsh kundër luftës së Rusisë në Ukrainë. Fotografi e shkrepur në mars të vitit 2022 në Almati të Kazakistanit.
Vladimir Putin, 71-vjeçar, ka qenë president ose kryeministër i Rusisë prej vitit 1999, duke shtypur zërat kundërshtarë, ndërkohë që ka krijuar një sistem autoritar, i cili u ka rezistuar sfidave politike, krizave ekonomike, luftërave dhe pandemisë së koronavirusit.
Në janar, kur Putin është përgatitur për një mandat të pestë presidencial, në zgjedhje thuajse krejtësisht të menaxhuara, një korrespodent i mediumit britanik BBC, e ka pyetur një pensioniste në qytezën ruse Rzhev, nëse dikush do të mund të zëvendësonte Putinin.
“Jo tani”, ka thënë gruaja, duke e përsëritur një narrativë që është kultivuar me kujdes nga pushteti i Kremlinit.
“Ndoshta Putin do të gjejë dikë më vonë. Mirëpo, mendoj që ai do të jetë në pushtet edhe për një kohë të gjatë”.
Pavarësisht vështirësive për të menduar “përtej Putinit”, Systema – njësiti hulumtues në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë – ua ka bërë këtë pyetje më shumë se 150 ekspertëve, përfshirë shkencëtarë politikë, sociologë dhe gazetarë në Rusi, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
Mbi 40 prej tyre kanë pranuar të përgjigjen dhe janë pyetur se cili është skenari më i mundshëm që Putin të mos jetë më në pushtet dhe kush do të mund ta zëvendësojë.
Shumë prej tyre kanë thënë se këto spekulime janë vetëm mbi bazë fantazie, dhe që identifikimi i emrit të pasardhësit është mision i pamundur.
Disa të tjerë kanë thënë që as vetë Putin nuk ka ide të qartë në këtë drejtim.
“Dobësimi i regjimit të Putinit do të jetë në linjë me plakjen natyrale të Putinit”, ka thënë analisti politik ukrainas, Volodymyr Fesenko.
Derisa vdekja të na ndajë
Shumica e ekspertëve kanë thënë se skenari më i mundshëm për ndryshim të pushtetit në Rusi do të ishte vdekja e Putinit.
Në fakt, pothuajse të gjithë respodentët e kanë përmendur këtë si një prej mundësive më reale për Rusinë, ndërsa tetë prej tyre e kanë parë këtë si mundësinë e vetme.
Ndërkohë, 23 kanë thënë se puçi apo një kryengritje e elitës mund të nxisë ndryshim pushteti.
Dhjetëra e kanë përmendur këtë si mundësinë e vetme.
Vetëm pesë respodentë e kanë përmendur “luftën civile” apo “revolucionin” si mundësi për Rusinë, më pak sesa ata që kanë thënë se regjimi i Putinit mund të marrë fund prej një humbje ushtarake ruse.
Një ekspert ka supozuar që fundi i Putinit mund të nxisë ndonjë katastrofë të madhe, sikurse një katastrofë në central bërthamor apo një tronditje ekonomike globale.
Një tjetër ka thënë se Putin mund të rrëzohet me një “puç të lehtë”, në rast se do të ketë ndonjë sëmundje serioze.
Asnjëri prej respodentëve nuk e ka përmendur fundin e regjimit të Putinit përmes zgjedhjeve. Mirëpo, gazetari Andrei Zakharov ka thënë se “Rusia do të jetë një ditë e lirë”.
Emrat e zakonshëm
Ekspertëve u është kërkuar edhe që të përmendin emrin e pasardhësit potencial të Putinit në dy skenarë të ndryshëm, njërin kur vetë Putin merr pjesë në procesin e përzgjedhjes – sikurse ka vepruar presidenti i dikurshëm Boris Yeltsin kur e ka emëruar Putinin – dhe të dytin, nëse Putin vdes, apo nuk mund të marrë pjesë në proces.
Në skenarin e parë, 19 ekspertë e kanë përmendur kryeministrin aktual rus, Mikhail Mishustin, derisa 18 tjerë e kanë përmendur Sekretarin e Këshillit Shtetëror dhe ish-rojën e Putinit, Aleksei Dymin.
Emra tjerë të përmendur janë edhe ai i kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, ish-presidentit, Dmitry Medvedev, dhe ai i ministrit të Mbrojtjes, Andrei Belousov.
Dy ekspertë kanë thënë se Putin mund të zgjedhë edhe vajzën e tij më të re, Katerina Tikhonova, derisa një tjetër e ka përmendur emrin e vajzës së madhe të Putinit, Maria Vorontsova.
Në skenarin e dytë, në të cilin Putin nuk do të përfshihej në procesin e përzgjedhjes, shumica e respodentëve e kanë përmendur emrin e Mishustinit, derisa Sobyanin ka dalë i dyti.
Shtatë respodentë e kanë përmendur edhe këshilltarin e presidentit, njëherësh ish-shefin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Nikolai Patrushev.
Pesë të tjerë e kanë përmendur emrin e djalit të Patrushevit, zëvendëskryeministrit, Dmitry Patrushev.
Në total, ekspertët kanë përmendur 34 emra të figurave që mund të ngjiten në pushtet pas Putinit, duke përfshirë 75-vjeçaren, Valentina Matviyenko, aktualisht udhëheqëse e Këshillit Federal, si dhe 37-vjeçaren Tikhonova.
Një ekspert e ka përmendur edhe liderin e Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, pavarësisht raportimeve të vazhdueshme se ai po përballet me probleme serioze shëndetësore.
Një tjetër ekspert e ka përmendur biznesmenin në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, 61-vjeçar, si kandidat potencial pas Putinit.
Khodorkovsky ka qenë figura e vetme opozitare që është përmendur nga respodentët.
Aleksei Navalny, kundërshtari më i zëshëm i Putinit në dekadën e fundit, ka vdekur papritur në shkurt, sa ka qenë në një burg në Arktik, pas tre vjetësh e gjysmë mbrapa grilave.
Shumë ekspertë kanë thënë se parashikimi i pasardhësit të Putinit në pushtet është diçka e pamundshme, sepse gjithçka varet nga situata e krijuar.
“Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur, kushdo që e merr pozitën e kryeministrit, ka më së shumti mundësi për të qenë pasardhës”, ka thënë një analist, i cili ka kërkuar të mos i përmendet emri.
“Është e pamundur të dihet tani”, ka shtuar ai, duke përmendur se pak njerëz do të përmendnin emrin e Nikita Khrushchevit si pasardhës të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.
Analisti politik rus, Fyodor Krasheninnikov, e ka përmendur kompleksitetin e sistemit qeverisës të Putinit.
“Ne as nuk e dimë se kush realisht e përbën rrethin më të ngushtë të Putinit”.
Sergei Sanovich, hulumtues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford, ka thënë se beson që një tranzicion në pushtetin e Rusisë mund të mos ndodhë deri më 2036, kur mund të përfundojë mandati i gjashtë presidencial i Putinit.
“Nëse ndodh tani, mendoj që pasardhës do të jetë Patrushevi i ri”, ka vlerësuar ai.
“Mirëpo, nuk mendoj që kjo do të ndodhë më herët sesa viti 2036, kur Dmitry Patrushev do të jetë 60 vjeç. Kjo nënkupton që atëherë mund të fitojë dikush më i ri”. Radio Evropa e Lirë
Përgatiti: Krenare Cubolli