Të kapitullosh pa kushte para grekut… dhe të shesësh tokën tënde duke i vënë mburojë kockat greke je një bashkëpunëtor i betuar i politikanëve grekë që po kërkojnë me format më të kamufluara dhe më dinake “Jugun e Shqipërisë” ose “Vorio Epirin” siç e quajnë ata. Të rivarrosësh eshtrat e ushtarëve grekë si pushtues që lanë kockat në tokat tona dhe t’i nderosh ata çdo 28 tetor me vendim qeverie je një kryebashkëpunëtor i Kostandin Micotaqis ish kryeminister grek dhe që vazhdohet po aq besnikerisht dhe egërsisht, por në një formë të kalit të Trojës nga kryeministri aktual Alexis Tsipras, të cilët në bashkëunim me këshilltarin greko amerikan Nikolas Gejxh po zbatojne planin për Jugun e Shqipërisë “Vorio Epirin” siç e quajnë ata që Jugu të regjistrohet si Epiri, dhe të ketë të njejtin status si Kosova më parë…
Si bijë e Mezhgoranit ku prinderit tanë janë dëshmitarë të gjallë edhe në ditët e sotme për luften Italo-greke do të jem një zëdhënëse dhe nje ushtare besnike e parardhësve të mi të cilët panë me sytë e tyre therrjet e pleqve në fshat, ikjen masive të gjithë fshatit, shkatërrimin total që u bëri portave të shtëpive dykatëshe të ndërtuara me djersën e ballit nga emigrantët ardhur më së shumti nga Amerika dhe Franca. Zëri im do të bashkohet me gjithë zërat protestues për këte terror që politikanët e pabesë të të dy shteteve luajnë me eshtrat e kufomave duke mos i lënë të prehen të qetë sipas kodit moral njerëzor, ashtu siç bëri populli i Mezhgoranit (flas me kompetencë për Mezhgoranin meqënse e njoh mirë) që i respektoi dhe i lejoi të varroseshin aty ku ranë në tokën e bukës pa u prekur për 70 vjet.
Kryqi që ishte vendosur në varrezë nuk u prek kurrë, por u ruajt si i shenjtë. Në varrezën e Sajmolës ku ishin eshtrat e ushtarëve grekë dhe italianë në bazë të rregullave ndërkombëtarë, qeveria italiane i zhvarrosi dhe i mori për në Atdheun e tyre. Por “qirjet” zotërinjtë qeveritarë grekë me “palikarët”, me çunat trima dhe “topmod(h)elet e qeverisë shqiptare nuk mund të dalin nga ligji grek i cili thotë: “Atu ku kemi varret e ushtarëve grekë aty është Atdheu i tyre”.
Pra kockat e ushtarëve grekë kanë zenë token time, tokën e shqiptarëve, edhe në varr ata luftojnë, kockat e tyre i kanë bërë heshta për të na nxjerrë sytë. Po, po nuk e shikoni, si po zihemi me njeri-tjetrin, nuk e shikoni si po verbohemi, nuk e shikoni si jemi ndarë e perçarë, nuk e shikoni si po kënaqen “qirjet” qeveritarë të greqisë që pohonin në konferencën e Londrës se: “Shqiptarët janë barbarë dhe s’duhet të jetojnë të pavarur dhe ku? Aty ku zë fill civilizimi botëror në Greqi?
Histeria e tyre vazhdon të jetë po aq me tërbim për Çamërinë tonë, ku grekët masakruan, therrën, përdhunuan 3000 shqiptarë camë dhe i la pa varr, pa shtëpi, pa troje dhe ne u ndërtojmë varre pushtuesve dhe për më tronditëse dhe antikombëtare i nderojmë në vendin tonë me protokoll qeveritar.
Ç’duan varret e ushtarëve grekë pranë Kishes së Shën Kollit në Grykën e Këlcyrës, që është 5 minuta nga varret e Sajmolës së Mezhgoranit, përse duhet të varrosen pranë Kishë Shqiptare me vendim të “qirjeve”, zotërinjve qeveritarë shqiptarë? Çdo lexues i vemendshem atdhetar dhe i mirëinformuar e kupton mire se çfarë loje e ndyrë e fëlliqur po luhet në sytë tanë! Ata rivarrosen atje sepse greku pretendon se ka minoritet grek në Këlcyrë dhe në Përmet, që në fakt sipas statistikave s’ka ekzituar kurrë, por disa mjeranë janë shitur, disa të paskrupull janë blerë me dhrami, vila, shtëpi, emrat e bukur shqiptar Drita, Lule, Vesa, Agron, Edlir, i kanë kthyer në emra grekë si: Anastasio, Qirko, Anthos etj…. Këta sahanlëpirës mjerisht dhe shkrues gazetash janë shitur këmbë e kokë dhe deklarohen sipas oreksit grek: “vorioperiotë”…
Qeveria shqiptare në vend që t’i kërkojë qeverisë greke dëmshpërblimet për masakrat, bombat që akoma ekzistojne dhe sot dhe janë vrarë me qindra pas luftës italo greke, me dhjetra pa dorë, pa sy, pa këmbë, u dhuron toka nga toka ime dhe e juaja aq e shenjtë… Rivarrimi i tyre është komplet nje akt i pabesë dhe brezave të mëpastajmë u ke lënë një “dhuratë” të zezë që do i ndjekin me dhunë e histeri nga trojet e tyre, nga Mezhgorani im ashtu siç veproi gjenerali famëeq Zerva me popullin çam.
Historia mjerisht përsëritet, urrejtja greke vazhdon në këngët e ushtarëve grekë e cila u shfaq ethshëm në një vidio ku nga gojët e helmura të tyre dilnin fjalët: “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”…
Ju zotërinj “qirje” qeveritarë u hidhni hi syve turmave të verbëra se e bëtë këtë shkëmbim pasi greku do t’ju jape votën për të hyrë në negociata për në Komunitetin Europian, ç’mjerim dhe pabesi ndër ju!
Domethënë greku e jep votën duke realizuar ëndrrën e çmendur dhe të ethshme duke rrëmbyer toka shqiptare me votën duke u fshehur pas kockave të ushtarëve grekë… Asnje shtet lindor që hyri në Komunitetin Europian nuk e bëri këtë, sespe asnjë shtet nuk të fal nje rrip toke. Tokat tona janë të rrëmbyera nga greku, serbi dhe s’jemi akoma në gjendje t’i marrim, ndërsa ju vazhdoni të bëni dhurata me gjakun tonë.
Në grykën e Mezhgoranit në vitin 1942 u ndërtua një monument nga Divizioni italian “Lupi di Toskana” (Ujqërit e Toskanës) në nderim të ushtarëve italianë, por populli dhe kushdo që e hodhi në erë nuk e duroi dot simbolin fashist të pushtuesve dhe e shkatërroi si monument. Vendosja e këtij monumenti dhimbte gjer në eshtër për popullin e asaj zone, ishte provokim i hapur nga pushtuesit. Të njejtën gjë po ndjejnë atdhetarët e vërtetë dhe me varret që ju po ndërtoni brenda Kishës Shqiptare të Shën Kollit në Grykë të Këlcyrës, është një provokim nga pushuesit grekë që erdhën dhe pushtuan trojet tona.
Kush jeni ju zotërinj “Qirje” qeveritarë të bëni tregti me tokat tona?
28 janar, 2018
Staten Island, New York
Komentet