Edhe prapa SLAPP-eve të Mirel Mërtirëve qëndron Edi Rama. Pra, tashmë e dimë se SLAPP-istët shqiptarë janë emra në qendër të aferave dhe të skandaleve dhe emra që presin të dalin në aferat dhe skandalet e pritshme.
SLAPP-istët, për shkak të bëmave të tyre, nuk bëjnë gjumë natyral. Dhe, prandaj duan t’u prishin gjumin dhe, mundësisht, t’ua nxijnë jetën atyre që guxojnë të merren me emrat e tyre apo me bëmat e tyre.
Viktimat e drejtpëdrejta të SLAPP-eve dhe të SLAPP-istëve, pra, janë konkrete: janë gazetarë dhe veprimtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së mjedisit (ambjentalistë), veprimtarë të shoqërisë civile. Janë njerëz që kohën e kanë shumë të shtrenjtë, njerëz të pambrojtur financiarisht, njerëz me financa modeste. Janë njerëz fuqia e vetme e të cilëve, pushteti i vetëm i të cilëve është fjala. Përballja me marrjet në pyetje, me gjykatat, me avokatët i rrënon ata ekonomikisht, ua rrënon përditshmërinë e tyre në familje, në punë, në shoqëri, ua merr kohën që ata ia kushtojnë profesionit, ua merr edhe kohën e lirë të çlodhjes dhe të përtëritjes, ua degradon energjitë, ua ul rendimentin e tyre krijues profesional, ua errëson perspektivën, ua zbeh guximin për të vazhduar misionin e tyre ndaj së vërtetës, misionin e tyre ndaj publikut, ndaj interesit publik, si përfaqësues të vetëm të pandërmjetësuar të tyre.
Një proces i gjatë gjyqësor, shpresojnë SLAPP-istët, i bën të paditurit të dorëzohen nën barrën e procesit. “Është njësoj si një hajdut që thërret policinë për të arrestuar pronarin e një shtëpie në të cilën ai po hyn për të vjedhur, sepse zhurma e thirrjeve të tij për ndihmë po shqetëson fqinjët, dhe më pas policia heton pronarin e shtëpisë, ndërsa e lë hajdutin të ikë,” shkruajnë studiuesit e dukurisë së SLAPP-eve dhe SLAPP-istëve.
Paditë shpesh pretendojnë për shpifje ose shkelje të ngjashme. Pretendime të tilla rëndom janë jashtëzakonisht të vështira për t’u provuar në gjykatë dhe pothuajse asnjëherë nuk ndodh që vepra e përshkruar më sipër të përbëjë një shkelje të tillë. Por ndërsa të pandehurit përballen me pak veprime ligjore, kostoja e procesit gjyqësor dhe frika (ndoshta e pabazuar) e gjobës janë të mjaftueshme për t’i detyruar ata të lënë punën e tyre.
SLAPP-istët, duke i përplasuar të SLAPP-uarit nëpër dyert e prokurorive dhe të gjykatave duan të tregojnë se ata, përveç pushtetit të tyre,- që është politik, ekonomik, ligjvënës e ligjzbatues, – nuk njohin asnjë pushtet tjetër, pra ata mund të bëjnë çfarë të duan edhe me pushtetin e katërt- mediat-, siç kanë bërë e bëjnë me pushtetin ekzekutiv, pushtetin legjislativ, me drejtësinë. Ata duan të tregojnë se tentakulat e tyre janë të shtrira ku të duan ata, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ndodhen dhe jetojnë shqiptarët në botë.
Gazetarët dhe të SLAPP-uarit e tjerë janë kështu në një përballje krejtësisht të pabarabartë me SLAPP-et dhe SLAPP-istët.
Por si përballet sot shoqëria perëndimore me dukurinë e SLAPP-eve? A duhet lënë gazetarët, mediat, veprimtarët shoqërorë nën mëshirën e pamëshirë të fuqisë financiare dhe pushtetit politik të SLAPP-istëve?
Për herë të parë, më 1990, ishin profesorët Penelope Canan dhe George W. Pring të Universitetit Denver ata që e zbuluan dhe e vunë në pah rrezikshmërinë e SLAPP-eve kundër lirisë së mediave, pa të cilat nuk mund të ekzistojë liria e mendimit. Ata formuluan të parët akronimin SLAPP, që krijon në anglisht homonimi me emrin Slap (dackë) dhe sinonimi me goditjen fizike që jepet për ta neutralizuar dikë.
Sensibilizimi shoqëror ndaj kësaj dukurie të rrezikshme kundër demokracisë arriti deri në atë masë sa në shumë shtete të SHBA të miratoheshin ligje për mbrojtjen nga SLAPP-et, ligje Anti-Slapp (ose SLAP-back, edhe kjo në anglisht, përgjigje me grusht ndaj grushtit të SLAPP-eve.
Në Evropë, për herë të parë, më 2021, Komisioni Evropian krijoi një Grup Ekspertësh Anti-SLAPP. Grupi i Ekspertëve, i kryesuar nga Justin BORG-BARTHET, Ligjërues i Lartë në të Drejtën e BE-së dhe të Drejtën Ndërkombëtare Private, Qendra për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Universiteti i Aberdeen; Benedetta LOBINA, studiuese pasuniversitare në të drejtën e BE-së, Universiteti i Aberdeen; Magdalena ZABROCKA, studiuese pasuniversitare në të drejtën e BE-së, Universiteti i Aberdeen, arriti në përfundimin se SLAPP-et kanë objektiv gazetarët, mediat e pavarura, akademikët, shoqërinë civile. Paditësit janë korporata, individë të pasur apo edhe organet qeveritare në disa raste. Karakteristika kryesore e SLAPP-ve është tendenca e tyre për të transferuar debatin nga sfera politike në atë juridike.
Nevoja për futjen e legjislacionit Anti-SLAPP në Bashkimin Evropian u theksua pas vrasjes së Daphne Caruana Galizia në tetor 2017. Disa ditë pas atentatit, u bë e qartë se dhuna fizike ishte pjesë e një fenomeni më të gjerë në të cilin subjektet përkatëse donin të shmangnin shqyrtimin e çështjeve me interes publik.
Studimi arrinte në përfundimin se Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP-et) janë një formë e padisë hakmarrëse që synon të frenojë lirinë e shprehjes për çështjet me interes publik. 1- Ato zakonisht vendosen në virtualisht çdo fushë me interes publik dhe mund të përfshijë pretendime civile dhe penale.2- SLAPP-et përdoren në mënyrë rutinore kundër vëzhguesve publikë me një rol aktiv në mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në. 3- Objektivat e këtyre padive përfshijnë gazetarë, media të pavarura, akademikë, shoqëri civile dhe OJQ-të për të drejtat e njeriut.
Më 16 shtator 2021, institucioni më i lartë i Bashkimit Evropian zbriste në fushë për t’iu kundërvënë strategjisë ndaj gazetarëve. Më 4 tetor të atij viti u ndërmuar një debat i hapur për mbrojtjen e gazetarëve dhe të veprimtarëve të të drejtave të njeriut ndaj keqpërdorimit të ligjev dhe të gjykatave ndaj këtyre dy kategorive. Më 2022 u përcaktua një qëndrim evropian ndaj SLAPP-eve, të cilën e mbështeti edhe Parlamenti Evropian.
Në paditë SLAPP, shpesh, nuk shfaqen drejtpërdrejt SLAPP-istët e vërtetë. Në Austri, në dy padi SLAPP për të parandaluar raportimin kritik ndaj partisë qeverisëse ÖVP, dy miq biznesmenë të kryeministrit të atëhershëm Sebastian Kurz, kërkonin një gjobë sa trefishi i të ardhurave vjetore të medias së paditur. Në korrik 2023, Agjencitë humanitare, duke përfshirë Caritas, Diakonie dhe Amnesty International, i kërkuan qeverisë federale austriake të nxjerrë ligje për të parandaluar paditë “SLAPP”, të cilat synojnë të abuzojnë me sistemin e drejtësisë dhe t’i frikësojnë kritikët.
Paditësit ndaj gazetarëve apo veprimtarëve shoqërorë synojnë që, nëpërmjet padive SLAPP të kufizojnë, të ndrydhin, të bëjnë të pamundur publikimin e informacioneve rreth korrupsionit të tyre. Mjafton që dikush të bëjë një koment në publik ku ai të kritikojë për korrupsion, që menjëherë të bëhet objekt i padive SLAPP.
Pra, SLAPP-et, një abuzim me vetë shtetin ligjor dhe mjetet që siguron demokracia, janë atentat i rëndë ndaj demokracisë, ndaj shtetit ligjor, sepse viktima e tyre, në fund të fundit është vetë demokracia.