Lidhjes Demokratike të Kosovës dje i është bërë thirrje nga Vetëvendosje që t’i çojë 5 emra për ministra nga Lëvizja Vetëvendosje. Po dje Nënkryetari i LDK’së Agim Veliu tha se askush nuk mund t’i tregojë kësaj partie se kur do t’i japë emrat. Megjithatë, tashmë disa emra janë përfolur brenda LDK’së, përfshirë edhe atë për postin e Zëvendëskryeministrit, shkruan Gazeta Express.
Dakordimi i parë që nuk u solli pengesa për t’u marrë vesh Albin Kurtit e Isa Mustafës ishte për numrin e ministrive që do të ketë qeveria e përbërë nga këto dy parti, krejt kjo në rast se arrijnë që të pajtohen.
Si kritikues të mëdhenj të qeverisë PAN, të dy këto subjekte sa ishin në rolin opozitar, ishin zotuar se do të zvogëlojnë numrin e dikastereve ministrore.
Në parim, Kurti dhe Mustafa ishin marrë vesh që do t’i kishin 12 ministri. Derisa dy prej tyre ju shkojnë pakicave, ato që mbeteshin do të ndaheshin proporcionalisht në mes të dyjave.
Problemi filloi kur në tavolinë të diskutimit dy liderët që po tentojnë të merren vesh për koalicion, filluan të ndajnë pazarin.
Mustafa e komplikoi situatën kur e zgjodhi Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ishte premtim elektoral i LV-së.
Megjithatë, zgjedhja vazhdoi deri kur dy të fundit ministri mbetën ajo e kthimit dhe e kulturës që iu shkuan komuniteteve.
Në marrëveshjen e parë u morën vesh që LDK të merr fillimisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Infrastrukturës që do të ketë të bashkëngjitura ambientin dhe planifikimin hapësinor.
LV ndërkaq zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, Financat, Zhvillimin Ekonomik ku përfshihen ajo e Tregtisë, Industrisë e Inovacionit dhe për punë, Ministrinë e Sportit dhe Shëndetësisë, dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Në parim, marrëveshja thoshte se LDK merr edhe kryeparlamentarin dhe zëvendëskryeministrin e parë, ndërkaq, zëvendëskryeministri i dytë i shkon LV-së. Partia e Kurtit me këtë marrëveshje merrte dy nënkryetarët e Kuvendit.
Bisedimet shkuan vetëm duke u komplikuar pasi që në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, LV-ja propozoi në pozitën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufcën, post ky që sipas marrëveshjes paraprake i takonte LDK-së. Madje, në këtë pozitë ishte raportuar se mund të emërohet nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani që në zgjedhjet e fundit ishte kandidate e kësaj partie për kryeministre.
Për këtë, disponim kishin shfaqur edhe në LV, madje vetë Konjufca në një paraqitje në Pressing në T7, kishte thënë se Osmani është e denjë për këtë post.
Pa u marrë vesh me Mustafën, i pari i LV-së, Albin Kurti vendosi që ta bëjë dje edhe një hap tjetër, të ngjashëm me atë të 26 dhjetorit kur pa dijeninë e LDK-së nominoi për kryeparlamentar Konjufcën.
Përmes një video mesazhi, Albin Kurti ka propozuar dje për pozitën e zëvendëskryeministrit të dytë, Haki Abazin, ndërsa ka zbuluar edhe pesë emrat që ka zgjedhur për të udhëhequr postet ministrore.
Rrjedhimisht, Kurti ka propozuar për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiun, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia.
Pasi që bëri publik emrat që ka zgjedhur, Kurti ka kërkuar nga Isa Mustafa që edhe ai t’i dërgojë pesë emrat që do të propozohen për ministra dhe emrin e zëvendëskryeministrit të parë.
Ai e ka bërë të qartë se tashmë nuk negociohet me pozitën e kryeparlamentarit, teksa, ka shtuar se për presidentin me LDK-në mund të merren vesh më vonë.
Mirëpo, LDK nuk është duke e parë kaq me pozitivitet koalicionin ashtu si në LV. Në fakt, partia e Isa Mustafës është duke vazhduar insistimin me kushtet e vjetra që i kishin vënë në tavolinë, duke kërkuar që kryeparlamentari të ju takojë atyre, e që të merren vesh edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin.
Pavarësisht se për dallim nga Vetëvendosje në LDK nuk kanë folur për emra të përveçshëm që mund të emërohen në institucione, tashmë në publik po rrjedhin disa prej të përfolurve për të zënë pozita ministrore.
Ndër ta është Anton Quni, deputeti i zgjedhur, e kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, që sipas informacioneve është propozim i mundshëm në pozitën e të parit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në një intervistë për Gazetën Express, pas zgjedhjeve, Quni nuk e ka mohuar se është diskutuar që të emërohet ministër. Madje, ai pati thënë se është i gatshëm që të punojë në fushën e sigurisë në rast se kështu vendoset në parti.
“Me qenë përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe vendit tim do të ishte për mua një përgjegjësisë e detyrë për të cilën do të punoja me nder për ta përmbushur, por, ende nuk ka emërimi apo caktime në asnjë pozitë, sepse fillimisht na duhej një marrëveshje mes LDK e VV e cila besoj se do të arrihet së shpejti”, kishte deklaruar Anton Quni.
Në anën tjetër, si ministër ka kohë që është duke u përfolur edhe këshilltari i Isa Mustafës, e avokati i njohur Besnik Berisha.
Berisha sipas informacioneve është përfolur në LDK si Ministër i Punëve të Brendshme, dikastër për të cilin është bërë mjaft zhurmë gjatë negociatave.
“Për avokati jam i gatshëm të flas me ty, ndërkaq për përfolje, po besoj që ne pajtohemi se nuk është e imja t’i komentoj”, kishte thënë Berisha i pyetur nga mediat, pa e mohuar informacionin në fjalë.
Si rrallë herë, kësaj radhe në qeverisje, LDK nuk ka ministrinë që lidhen me ekonomi, fushë kjo nga e cila ka më së shumti ekspertë në parti.
Mirëpo, merret vesh se propozimet për dikasteret tjera janë Vlora Dumoshi, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Zharku. Ky i fundit, në qeverinë e fundit kishte udhëhequr Ministrinë e Infrastrukturës. Dumoshi në anën tjetër po përflitet si propozim për Ministre të Arsimit.
Përpos ndarjeve të ministrive, në LDK merret vesh se po bëhet zhurmë edhe për pozitën e zëvendëskryeministër, post të cilin ishte përfolur Vjosa Osmani. Pretendime për të njëjtën pozitë raportohet se ka edhe Avdullah Hoti, që në zgjedhjet e kaluara kishte qenë kandidat për kryeministër.
Nuk dihet se kur Mustafa do të prezantojë në opinion ndonjë emër të përzgjedhur për ministër, pasi që të njëjtën nuk po flasin për emra as kur pyeten për presidentin e ardhshëm që e kërkojnë si pjesë të pazarit.
Komentet