Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike
Të dashur bashkatdhetarë,
Kjo letër e mëposhtme është shkruar para 11 viteve (më 06.04.2013). E dërgoj për botim për disa arsye që do t`i them pas një kohe të shkurtër. (PS: Populli më i vjetër i Evropës, shqiptarët, janë gati të zhdukin identitetin e vetvetes pellazg/ilir dhe shndërrohen në zero).
I dërgoj letrat e mia në disa grupe, përafërsisht 1000 persona. Dhe vetëm me disa prej jush kam pasur rastin të takohem personalisht. Ka shumë të tjerë që më pyesin të njëjtën gjë. Prandaj po dërgoj këtë letër. Të gjithë kanë të drejtën e kujtimeve, por edhe sqarimeve, si shkrimtarët ashtu edhe lexuesit…
***
Bota shqiptare nuk kërkon nga gjenitë vepra dhe vlera, por adresa dhe personalitete që t`i adhurojë e pastaj t`i flakë tutje, t`i stolisë dhe pastaj t`i zhveshë, tu gëzohet e pastaj t`i tradhtojë.
Urrejtja patetike ndaj shqiptarëve fle në qoshet e thella të mendjes së pushtuesve dhe kolonizatorëve të trojeve tona etnike dhe zgjohet e shpërthen në kohë vështirësish, turbullirash, trazirash e rrëmujash.
Prandaj edhe paraqitja ime në dhomat e diskutimeve, që së bashku me ju, të jap kontributin tim i cili është vetëm një pikë uji që derdhet në lumin e madh. Detyra ime nuk është t`u jap të tjerëve atë që është objektivisht më e mira, por atë që është imja me sa më pastërti e sinqeritet që të mundem
Kur dikush vendos t`i bëjë portretin vetvetes publikisht, është si të tregojë një anekdotë apo të shkruaj “nekrologjinë” (Përkujtim i shkurtër, që zakonisht botohet në shtyp për një njeri, i cili ka vdekur pak kohë më parë dhe që përshkruan jetën e veprimtarinë e tij).
Shumë simpatizues të shkrimeve të mia 12 vite me radhë më pyesin kush jam unë. Është mirësjellje të përgjigjem në kureshtjen, prandaj do të përsëris disa gjëra dhe po shtojë pak. Por jo në detaje. Mbaj një profil të ulët.
Aurel Dasareti, lindur Nëntor 1976, Sydney, Australi. Prej moshës 8 vjeçare kryesisht jetojë në USA (Kaliforni, Arizona), pjesën tjetër në Australi. Dy nënshtetësi. Njeri i rëndomtë, familjar. I martuar, gruaja ekonomiste (udhëheqë biznesin e përbashkët familjar), dy fëmijë nën moshën 3 vjeçare. Kam ndjekur studimet në një shkollë legjendare të themeluar në vitin 1802. Titujt më të lartë në shkencat psikologjike-ushtarake. Pëlqej shahun, notin, vrapimin, mjeshtër në aftësitë sportive luftarake. Motra antropologe, vëllai inxhinier i elektroteknikës. Nëna, psikiatër (arbëreshë) ka lindur në Australi, stërgjyshërit e saj kanë ikur prej Shqipërie në Itali (Venedik) nëse nuk gaboj aty nga viti 1512. Babai (psikolog), ka lindur në Amerikë, ndërsa gjyshi im me prejardhje nga Shkodra ka emigruar në vitin 1943. Katolik. Gjuhën shqipe kam filluar ta mësoj nga mosha 8 vjeçare. Tokën shqiptare për herë të parë e shkela në vitin 1994. Zotëroj në nivelin më të lartë gjuhën: anglishte, shqipe, italishte, latinishte, frëngjishte, gjermane. Në moshën e fëmijërisë, gjithë familja ime më e afërt, me bindje e arsye e kanë ndryshuar (amerikanizuar) identitetin por kjo nuk më bënë të mos jem më Aureli. Nuk është kjo hera e parë për ne, edhe stërgjyshi im (great-grandfather) e ka ndryshuar identitetin në vitin 1883. Asgjë interesante, nuk jemi as të parët e as të fundit në këtë aspekt. Nuk dua të bëjë vetveten dhe familjen objekt diskutimi dhe spekulimesh. Do të ishte joserioze ta paraqes në internet emrin/mbiemrin e tanishëm dhe fotografi që t`u bëjë të ditur të padëshirueshmëve: “Shikoni mirë si dukem, emrat, adresat e sakta…na vizitoni!”.
***
Qeveritari-politikani-zyrtari i trojeve arbërore është person i paguar nga unë e ti, person publik, prandaj fotografia, jeta-vepra e tyre doemos të dalin sa më shumë publikisht në skenë. Të tillët kanë obligim ligjor të shpalosin mbi tryezë të gjitha kartat. Opinioni ka të drejtë legjitime të shoh se kush dhe si i udhëheqë, si i përfaqëson në botë. Unë nuk paguhem nga shoqëria shqiptare e as që përfaqësoj zyrtarisht interesat e tyre. Unë jam nga masat, për të cilat vlen e kundërta e këtij parimi / obligimi. Çdo individ mban në vetvete gjëra që i përkasin, që i bëjnë mirë, që janë të veçanta për të, por që s`mund të dalin në dritë. Por, do të ishte kënaqësi të takohem fizikisht me motra dhe vëllezër shqiptar. Alternativa: chat, email.
Nevojitet të kemi disa bindje për të na udhëhequr në jetë. Nuk mund të mbështetemi vetëm te arsyeja. Qëndrimi i arsyeshëm ka vlera, por ka edhe kufizime. Nëse ngulim këmbë për të qëndruar brenda caqeve të arsyes, nuk mund ta përballojmë realitetin ku jetojmë. Në të kundërtën, bindja në gabueshmërinë tonë vetjake, mund të na shpjerë më përpara, duke na udhëhequr në jetë.
Jeta ime aktuale është fakt, në këtë aspekt unë s`kam mundësi ta qeras vetveten; por unë kam respekt për fatin dhe aspiratën time. Dymbëdhjetë vite me radhë për to jam duke folur.
Politika nuk përputhet, parimisht, me prirjet e mia, ndryshe prej kohësh do të isha një revolucionar. Megjithatë, isha pjesëmarrës aktiv (2 vjet) në luftërat e Ballkanit dhe kam dhënë ndihma të konsiderueshme ekonomike në Fondin “Vendlindja thërret”…
Prej vitit 2001 e deri tani, kam publikuar me qindra shkrime (falas) në faqe të ndryshme të internetit shqiptar por nuk kam dashur të shfrytëzoj identitetin e (great-grandfather) stërgjyshit tim nga Shkodra për motive reklamimi komercial. Unë asnjëherë nuk kam shfrytëzuar rastin të reklamoj biznesin e përbashkët të familjes sime, as 2 doktrinat e mia në gjuhën anglishte. Atdhedashuria e pastër pa përfitime materiale ishte dhe mbetet në mua. Po të doja do të fitoja shuma të mëdha me aktivitete të kësaj natyre. I kam dyert e hapura të pranoj ofertat e disa politikanëve shumë pasanik për të propaganduar nëpër mediumet shqiptare dhe gjetiu “vlerat” personale të tyre dhe të partive që ata i kanë shndërruar në prona private.
Tani numërohen në gishta shqiptarët që nuk e kanë botuar ndonjë libër. Askush më nuk pyetën për kualitet dhe curriculum vitae të vërtetë, autori mund të jetë gjeni ama mund të jetë edhe shakaxhi, i pakualifikuar por me tituj akademik e diploma false. S`ka dert, nëse paguan disa qindra euro për botimin e “veprës” fantazon se edhe ai bëhet Rilindës i famshëm. Kalemxhi e jo mahi, por për Shqipërinë tragjedi.
Para 2 javësh e shikova një film fëmijëror së bashku me nipin tim 6 vjeçar (djalin e vëllait). “Xhaxhi, edhe unë do të bëhem aktor”– më tha. “Qysh ashtu?”– e pyeta. “Si bre qysh ashtu, kur mundet të aktroje ky gaztori (clown) pse jo unë?!” – më çuditi me përgjigjen.
Planifikoj të shkruaj edhe 2 libra, të bëhen 5-6 e jo më shumë, përndryshe do të rrezikoja të bëhem një matuf.
***
Nëse ndonjë i panjohur të pyetën a mund të tregosh pak se kush je ti, çfarë do të thuash? Kush jeni ju? Çfarë është identiteti juaj?
Shumë prej nesh do të dëshironin të përmendin emrin, gjininë, vendin ku jetojmë, me çka merremi (profesionin) ose çka studiojmë, interesat tona, ndoshta me ke jetojmë dhe jo më pak cilësitë personale që ne besojmë se janë tipike për ne. Si e shihni ju veten dhe si ju mendoni se të tjerët ju shohin.
I gjithë ky informacion për ju, ajo që ne e quajmë identitetin tuaj, ju e keni grumbulluar nëpër të kaluarën tuaj.
Të gjithë sukseset dhe mossukseset e juaja, zgjedhjet që ju keni bërë në situata të ndryshme, të gjitha reagimet dhe mungesat e reagimeve nga njerëz të tjerë rreth jush. Dikush ka komentuar se keni qenë të këndshëm, apo dikush nuk e tha kurrë atë. Dikush të deshi ty aq shumë sa që je ndjerë me të vërtetë i vlefshëm, ose dikush nuk e bëri këtë. Ti je i(e) bukur – apo jo. Ti je i zgjuar – apo jo. Si e kuptoni ju botën e jashtme se është përgjigjur në sjelljen tuaj dhe ka dhënë reagime për atë që ju bëni, pamjen tuaj dhe atë që jeni; e gjithë kjo përcakton në një masë të madhe atë që ju e mendoni si identitetin tuaj.
Gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën tënde ka ndihmuar të vendosësh se çka mendon ti se je sot. Ju identifikoheni me të kaluarën. E kaluara nuk ekziston më, ajo ekziston vetëm në mendjen tuaj, në kujtimet tuaja të asaj që ka ndodhur. Këto kujtime mund të jenë të vërteta, por shpesh ato janë të gabuara dhe vetëm interpretimi juaj të asaj që ka ndodhur një herë prapa në kohë. Pra, me të vërtetë nuk është e kaluara ajo me të cilën ju identifikoheni, por mendimet tuaja në lidhje me të kaluarën.
Për shembull, nëse ju e shikoni veten si të aftë dhe i zgjuar, kjo është ndoshta për shkak të disa kujtimeve nga e kaluara, ku ju ishit duke bërë diçka dhe bërët diçka të zgjuar, apo dikush në atë kohë ju ka thënë se jeni shumë të talentuar dhe të zgjuar. Por, ndoshta ndonjë person tjetër do të ndjehet jo i aftë e jo i zgjuar, edhe pse ai (ajo) kishte bërë pikërisht të njëjtën gjë, sepse ai e mbanë mend mirë një kohë kur ai dështoi dhe bëri ndonjë budallallëk, ose e di cilët janë më të mirë dhe më të zgjuar. Prandaj janë mendimet tona, bazuar në të kaluarën, e cila formon identitetin tonë.
Çfarë ndodh nëse ju në një moment mbaroni për tu identifikuar me mendimet tuaja në lidhje me të kaluarën, kush jeni ju? Nuk është e lehtë për të braktisur të kaluarën në këtë mënyrë. Por nëse ti përqendrohesh për këtë moment, atëherë e kaluara zhduket nga mendja juaj për një kohë. Provoje këtë! Të jesh plotësisht i pranishëm në atë që ti je duke bërë tani. Kush je ti?
Papritmas ti nuk je më i mirë ose më i keq se të tjerët. Ti nuk je më i sjellshëm, më i zgjuar, më budalla, më i bukur, më i shëmtuar, më i këndshëm ose më i mërzitshëm se të tjerët. Egoja juaj fillon plasaritjet dhe ju mund të vëreni se si është vetëm të jesh. Ju do të vini re se egoja juaj, mendimet tuaja se kush jeni, mendimet tuaja se kush janë njerëzit tjerë dhe të gjitha vlerësimet që ju gjithmonë i keni pas për vetveten dhe për të tjerët, janë një pengesë për dashuri dhe dhembshuri. Ti ke mundësinë, tani, të jesh plotësisht i pranishëm në këtë moment. Ju mund të vëreni se ka diçka më shumë në ju se ajo çfarë keni menduar se ishte identiteti juaj. Dhe se këtë “më shumë” ti mund ta ndjesh thellë brenda kur ju jeni të pranishëm në të tashmen, vetëm mirësinë.
Në të menduar, s`kanë rëndësi objektet pak a shumë rastësore të mendimit, por interpretimi, shkalla e ngrohtësisë dhe kthjelltësisë me të cilat dikush përjeton dhe thellohet në problemet e kohës që jeton.
Faleminderit që më kuptuat, ju don shumë, të gjithëve,
Aurel Dasareti