Mjaftonte një bateri, dy kitara dhe shumë dashuri. Të gjithë donin t’i ngjanin “Beatles”-ave. Edhe pse të izoluar nga bota, jehona e famës së grupeve të famshme të rrokut e të popit në Europë mbërrinte edhe në Shqipërinë e vogël. Në vitet ’70, atëherë kur filloi të frynte një puhizë liberalizmi, u krijuan edhe në Shqipëri disa grupe të muzikës së lehtë dhe Rock&Roll. U krijuan “Pranverë 72”, “The Motives”, grupi “Rock & Roll” i arkitektit Men Musaraj dhe ai instrumental i Institut të Lartë të Arteve.
Por, cilët ishin “Matura 72”, të konsideruar si “Beatles shqiptarë”. Ku janë sot, me çfarë merren dhe si e rikthen atë kohë nostalgjike Pal Shkjezi, një ndër themeluesit e grupit të parë historik të muzikës së lehtë në Shqipërinë e viteve ‘70? Ata që befasuan mjedisin artistik shqiptar dhe që u shfaqën suksesshëm në aktivitetet artistike të kohës ishin “Matura 72”.
Ata ishin 5-6 nxënës shkolle, vetëm 17 – 18-vjeçarë, që i dhanë jetë këtij grupi: Leonard Agora solist-këngëtar, Pal Shjezi-kitarist këngëtar, Agron Kaiku-baterist, Kristaq Gjokrushi-kitarist këngëtar, Vangjel Toçe- sistër-solist dhe Kujtim Spahiu kitarist-solist, të gjithë maturantë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” (vetëm Spahiu nxënës te “Dëshmorët e Lirisë”). Ndonëse pati jehonë e fillim të bujshëm, gjithçka u mbyll në një kohë të shkurtër, nga tetori i 1971-shit kur u krijua deri në shkurt të 1973-shit, gjithsej 15 muaj aktivitet.
U quajt “Kompleksi”, pasi ishte preferencë e kohës përdorimi i këtij simboli. Sapo kishin shpërthyer grupet e njohura të muzikës së lehtë si “Dik Dik”, “Equipe 84”, “I Camaleonti”, “Pooh”, “Alunni del Sole”, “Nomadi” etj. Fillimisht u njoh si “Matura e ‘Petro Ninit’”, për të ndryshuar në kompleksi “Matura 72”. Për rininë e atyre viteve, “Matura 72” mund të konsiderohet një “Beatles shqiptar”.
Si e rikthen sot Pal Shkjezi, një ndër ideatorët, momentin si lindi ky grup, si u bashkuan, muzika, tekstet, nga e merrni frymëzimin, fama e shpejtë dhe kërkesa e sekretares për të kënduar si Hozelito. Kitarat dhe këngët e para, zbulimi i Kapexhiut, koncertet në Estradë dhe turnetë me autobusë me veglat me vete.
Nga biss-et e pandara, te shkrimi kritikues i “Dritës” dhe shpërndarja. Ku janë sot, si u ribashkuan pas shumë dekadash anëtarët e grupit?
Pal Shkjezi sot
Si lindi ideja për të themeluar një kompleks muzikor?
Ka qenë shtatori apo tetori i vitit 1971, gjithçka ka qenë krejt rastësi. Ishim në vitin e katërt, pra në maturë, apo maturantë, të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, djem të datëlindjes 1952- 1953, madje në klasa të ndryshme. Njiheshim midis nesh, pasi kishim katër vite në një shkollë, banonim thuajse në një lagje dhe na afronte pasioni si admirues e qejfli kitare.
Fillimisht shkëmbenim akorde, pastaj filluam të bënim prova, duke u rënë instrumenteve e kënduar, në mënyrë autodidakte, pa pedagogë apo mjeshtër muzike, gati-gati edhe të fshehur te shtëpitë e njëri-tjetrit, asnjëherë në shkollë. Lindi kështu ideja për krijimin e një grupi të vogël muzikor, pa menduar asgjë më shumë. Propozimin për të krijuar një kompleks muzikor e bëri Gon Kaiku. Ideja na pëlqeu dhe kështu nisi gjithçka.
Pse “Matura 72”?
Nuk kishim ide fikse për një emër. Madje fillimisht pa pretendime e quajtëm “Matura e ‘Petro Ninit’” dhe për një kohë i tillë është njohur. Pastaj ia ndryshuam, në “Matura 72”, si reflektim i vitit apo statusit që kishim si maturantë. Ndërsa Kujtim Spahiu, nxënës në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, ndonëse erdhi me vonesë, u ingranua shumë shpejt me ne. I binte kitarës në shtëpinë time dhe kjo më shtyu ta merrnim në grupin tonë.
Pal Shkjezi në grupin “Matura 72”
Si reagonte shkolla?
Fillimi i aktivitetit muzikor të grupit i takon edhe sezonit shkollor 1971-72, kur të gjithë ishim maturantë. Drejtor ka qenë Rodolf Paparisto dhe më kujtohet se Kiço e Nardi ishin të maturës B, me mësuese kujdestare Rozin e Fizikës; unë isha i maturës E; ndërsa Vangjeli ishte i maturës C.
Ka qenë një moment kur të entuziazmuar për suksesin tonë, që ishte njëkohësisht edhe një çast kur shkolla mori emër edhe për këtë fakt, sekretarja e Partisë na kërkoi të këndonim këngë si ato të “Hozelitos”, personazhit të njohur të filmit “Dëgjoni këngën time”.
Instrumentet si i siguronit?
Unë kisha një kitarë çeke që kushtonte 5500 lekë, të cilën ma kishte blerë babai te veglat muzikore, te Rruga e Barrikadave në vitin 1970. Si dashamirës kitare që ishte, ai i binte vetë dhe kishte dëshirën ta mësoja edhe unë. Prej tij i kam marrë mësimet e para.
M’i shkruante dhe përgatiste natën akordet që unë t’i gjeja në mëngjes gati, në një fletore vizatimi. Edhe Kujtimi kishte kitarë të mirë, gjithashtu çeke, ndërsa Kiço një kitarë sovjetike. Mbaj mend një detaj: Duke vajtur në Estradë për shfaqje tek Ura e Madhe në bulevard, Nardit i doli rripi kitarës, i ra në tokë dhe iu thye. Me dy kitara kemi kënduar atë natë.
Cila ishte kënga që ju bëri të njohur?
Kënga e parë, ajo që edhe bëri bujë e na bëri të njohur në publik, ishte “Zilja e fundit” me muzikë timen dhe tekst të Agron Kaikut, që kishte lidhje me maturën, fundin e shkollës. Kudo që e kemi kënduar nuk kanë munguar biss-et e gjata dhe kjo këngë u kthye në një ndër më të kërkuarat. Shfrytëzohej harmonia në grup me 2, 3 zëra, ndërkohë që muzika e tekstet ishin krijime tonat.
Më pas filloi bashkëpunimi me të tjerë, në veçanti me Vladimir Kotanin. Kujtoj këngët “Vitet e shkollës”, “Në brigjet e Jonit”, “Në aksion” dhe e fundit “Kënga e bariut”. Asnjëherë nuk kemi kënduar këngë të huaja. Në pak kohë, Kujtimi, një muzikant i talentuar, filloi t’i shoqëronte me piano këngët që kërkonin një instrument të tillë.
Konsideroheni zi zbulimi i Kapexhiut, pse?
Ai që na zbuloi, madje që na afroi dhe na hapi rrugën ka qenë Bujar Kapexhiu. Regjisor në Estradën e Tiranës, pasi na dëgjoi, na ftoi të merrnim pjesë në një shfaqje të Estradës, që titullohej “Buzëqeshje”. Për tre muaj e gjysmë, çdo ditë të javës ishim aty.
Veglat muzikore i merrnim me vete, përveç baterive që ishin të Estradës. Na qepën kostume teritali ngjyrë gri, jelekë vishnje dhe këmisha të bardha që i linim në gardërobë pas shfaqjes. Na paguanin me honorarë, 15 lekë për shfaqje. Kujtoj që prezantuesit ishin Dario Llukaçaj dhe Hajrije Sojli.
Cili ishte kulmi i suksesit tuaj?
Kulmi i aktivitetit ka qenë periudha shkurt-maj 1972. Këndonim njëkohësisht si me Estradën e Tiranës, edhe me Estradën e Ushtarit, duke shkuar në turne, aty ku rinia ishte në aksion. Kemi shkuar në Hotolisht gjatë ndërtimit të hekurudhës, apo në reparte ushtarake. Pastaj në qytetet Shkodër e Korçë, duke udhëtuar gjithmonë me linjën e autobusëve, me veglat muzikore me vete.
Në korrik të atij viti, në Vlorë kemi regjistruar edhe videoklipin e parë, realizuar nga Albert Minga i TVSH-së me operator Stefan Gajon. Morëm pjesë në koncertin “Një ditë vere”, ku kënduam 4 këngë dhe që u transmetua në televizion. Duke e gjykuar Festivalin e 11-të si një formë e re, kërkuam të merrnim pjesë, por na thanë se për një kompleks të ri, pa eksperiencë dhe të papërgatitur për të tilla evenimente, nuk ishin krijuar kushtet.
Kur e realizuat koncertin e parë recital?
Më 3, 4 shkurt 1973, vetëm pak ditë para shpërndarjes, u organizua në Tiranë, i pari koncert recital i yni. Në një mjedis tejet të mbushur, në Pallatin e Madh të Kulturës, që mbështeste këtë koncert, në sallonin e gjatë të katit të parë të tij kënduam 20 këngë.
Interesimi ishte i madh. Nuk kishte moderator, por koncerti fillonte dhe mbaronte me vetëprezantim. Më kujtohet se ishin instaluar kamerat dhe koncerti do të transmetohej në TVSH, apo do të regjistrohej. Para fillimit të tij, papritur u dha urdhër të hiqeshin kamerat. Më vonë e kuptuam arsyen.
Si erdhi shpërndarja?
Shpërndarja erdhi pas 20 shkurtit 1973. Pak muaj pasi kishte përfunduar Festivali i 11-të, u mblodh Plenumi i katërt i PPSH-së. Po në muajin shkurt në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve, doli një shkrim ku thuhej se “edhe te grupi ‘Matura 72’ ka veprimtari të huaj”. Filloi një qëndrim ndryshe ndaj nesh, aq sa kur ishim me pushime në Golem, sekretari i Rinisë i Kampit, na u drejtua me shprehjen: “Ju jeni mbeturinat e Maturës 72”.
Fat ishte që vazhdonim Universitetin si studentë. Unë dhe Vangjeli në ILA për regjisurë dhe dramë; Agron Kaiku në Gjuhët e Huaja për gjermanisht; Kristaqi në Gjuhë-Letërsi, Leonardi në Fakultetin Ekonomik, Kujtimi te “Petro Nini”. Nëse do të ishte një vit më vonë, as që do të bëhej fjalë për të marrë një të drejtë studimi.
Çfarë ruani nga ajo kohë?
Shumë pak gjëra. Dy-tri dorëshkrime të teksteve, videoklipin, atë të Bert Mingës realizuar në Vlorë, që mbetet si i vetmi material filmik që kemi nga ajo kohë. Edhe kitarën, atë që kam përdorur kur këndonim, ndonëse është vjetruar. E ruaj me shumë kujdes.
Edhe miqësitë. Ndonëse kanë kaluar 44 vite nga ajo kohë, nga ne nuk u këndua më “Zilja e fundit”, ndërsa e kam dëgjuar nga të tjerë, çka më ka dhënë kënaqësi, që edhe pse pas kaq vitesh, dikush kërkon ta dëgjojë, madje pëlqehet, kjo tregon se një gjurmë të vogël e ka lënë kjo këngë.
***
Ku janë sot ish-maturantët?
Pas ndarjes, fillimisht studentë, pastaj secili në punën e tij, pa tentuar dhe kërkuar t’i rikthehen as edhe për një çast veglave, grupit, muzikës. Ribashkimi i parë erdhi në mënyrë spontane, kur në dasmën e Pal Shkjezit, në vitin 1978, ishin të ftuar të gjithë. E organizuar në oborrin e shtëpisë, gjatë natës, u këndua një herë edhe “Zilja e fundit”, ndonëse nën urdhrat e policisë se “na prishët qetësinë”.
Ja ke fut kot .
Ja ke fut kot Vilo.