Me 101 vota pro Olsian Çela u zgjodh këtë e enjte kryeprokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke zënë kështu vendin që më parë e mbante përkohësisht Arta Marku.
Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgoi Kuvendit, pasi mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit. Cela beri edhe betimin sot ne Kuvend, per te nisur keshtu detyren e re.
PROFILI
Olsian Çela është konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’.
Kjo pasi ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa.
Si prokurori ai hetoi edhe mbi masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.
Çela e ka nisur karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.
Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja.
Komentet