Provinca juglindore e Iranit, Sistan-Baluçistan, është tronditur nga një sërë sulmesh vdekjeprurëse ndaj forcave të sigurisë në muajt e fundit.
Përgjegjësinë për sulmet e ka marrë Jaish al-Adl, një grup militant baluç, i cili besohet se vepron prej shtetit fqinj, Pakistan.
Më 3 prill, dhjetëra militantë i sulmuan dy objekte policore dhe ushtarake në dy qytete të ndryshme në këtë provincë, duke i vrarë 16 pjesëtarë të forcave të sigurisë iraniane. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës që Jaish al-Adl e ka kryer ndër vite.
Gjashtë ditë më vonë, ky grup i zuri pritën një konvojit policor në Sistan-Baluçistan dhe i vrau pesë oficerë të sigurisë.
Kush është Jaish al-Adl?
Jaish al-Adl, apo “Ushtria e Drejtësisë” në shqip nga gjuha arabe, doli në sipërfaqe më 2012 si pasues i Jundullahut, një grupi militant baluç.
Jundullah, i krijuar rreth vitit 2003, kreu sulme sporadike me bomba dhe armë të tjera kundër forcave iraniane të sigurisë. Por, ky grup u shpërbë pas një lufte brutale të Qeverisë dhe pas kapjes dhe ekzekutimit të liderit të Jundullahut, Abdolmalek Rigi më 2010.
Vëllai i Rigit, Abdulrauf, e themeloi Jaish al-Adlin disa vite më vonë. Megjithatë, ai e braktisi shpejt këtë grup dhe e themeloi një grup tjetër militant, Jaish al-Nassr. Lideri militant u vra në Pakistan në vitin 2014. Separatistët baluçë e kanë akuzuar Iranin për vrasjen e tij.
Dy vjet më vonë, Jaish al-Nassr u bashkua me Jaish al-Adl.
Jaish al-Adl udhëhiqet nga Salahuddin Farooqi dhe është i shpallur grup terrorist nga Irani dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Irani dyshon se Jaish al-Adl ndodhet në Pakistan dhe e ka kritikuar Islamabadin se nuk po e lufton këtë grup. Pakistani e mohon se Jaish al-Adl është i pranishëm në territorin e tij.
Çfarë dëshiron ky grup?
Shumë luftëtarë të Jaish al-Adl janë anëtarë të pakicës etnike të Iranit, baluçi. Ky grup pretendon se po lufton për të drejtat e baluçëve dhe kërkon të pavarësohet nga Republika Islamike.
Pjesëtarët e pakicës baluçi, shumica e të cilëve janë myslimanë sunitë në Iranin me shumicë shiite, për shumë kohë janë përballur me diskriminim dhe dhunë nga autoritetet.
Shumica e tyre jetojnë në Sistan-Baluçistan, njërën prej provincave më të varfra të Iranit.
Baluçët e përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë prej 88 milionë të Iranit. Por, ata po ashtu përbëjnë rreth 20 për qind të të gjitha ekzekutimeve në këtë vend.
Gjatë protestave gjithëkombëtare kundër pushtetit të cilat e shkundën Iranin më 2022, Sistan-Baluçistani ishte njëra prej skenave më vdekjeprurëse të luftës së Qeverisë. Më 30 shtator të atij viti, gati 100 protestues u vranë me armë zjarri gjatë të “Premtes së Përgjakshme”.
Megjithëse protesta pushuan në shumicën e pjesëve të Iranit kah fillimi i vitit 2023, mijëra njerëz nëpër Sistan-Baluçistan vazhduan të mbajnë protesta javore për disa muaj kundër regjimit klerik.
Daniele Garofalo, hulumtues dhe analist për terrorizëm dhe grupe të armatosura, thotë se Jaish al-Adl e ka portretizuar veten si mbrojtës të komunitetit suni të baluçëve kundër “shtypjes shiite”.
Kush e financon Jaish al-Adl?
Ndër vite, Irani i ka akuzuar armiqtë e vet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Arabinë Saudite, se po e armatosin Jaish al-Adlin.
“T’ia atribuosh qëndresën baluçe vetëm armëve amerikane apo financimit saudit, do të thotë t’i injorosh politikat shtypëse disadekadëshe të Iranit dhe përdorimin e forcës nga ai për t’i mbajtur nën kontroll baluçët”, tha Kiyya Baloch, gazetar dhe komentues pakistanez, i cili e mbulon militantizmin në rajon.
Baloch tha se “baluçët e pasur dhe me ndikim” në shtetet e Gjirit Persian janë mbështetësit kryesorë financiarë të Jaish al-Adlit.
Një burim tjetër i “qëndrueshëm” i të hyrave, tha ai, është kontrabanda me drogë. Nëpër Iran kalon një rrugë e madhe e kontrabandës me opium, e cila e lidh Afganistanin me Evropë.
Armët e braktisura pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Afganistani më 2021 “ranë në duart e grupeve të ndryshe militante”, përfshirë në të Jaish al-Adlit, sipas Baloch, i cili thotë se grupet separatiste i kanë blerë armët edhe përmes tregut të zi.
Garofalo pajtohet se pretendimet e Teheranit se Jaish al-Adl është i mbështetur nga shtetet e jashtme janë “tejet të pabaza”.
A po bëhet më i rrezikshëm ky grup?
Jaish al-Adl i ka rritur sulmet kundër forcave të sigurisë së Iranit në muajt e fundit. Ky grup e mori përgjegjësinë për një sulm në dhjetor nga i cili u vranë 11 oficerë në një stacion policor në Rask, një qytet në Sistan-Baluçistan. Në janar, një oficer policor u vra nga një sulm në një stacion tjetër policor në Rask.
Garofalo tha se Jaish al-Adl po “bëhet më i pacipë në sulmet e tij” dhe shtoi se kjo vjen si pasojë e rritjes së rekrutimit dhe mbështetjes nga vendësit.
Autoritetet nuk kanë qenë në gjendje ta frenojnë rritjen e numrit të sulmeve në Sistan-Baluçistan.
“Irani e ka të vështirë t’i frenojë këto grupe, sepse ato veprojnë në zona tejet të thella, ku ata gëzojnë goxha mbështetje dhe IRGC [Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit] kanë pak kontroll”, tha Garofalo.
Jaish al-Adl është i pranishëm përgjatë kufirit 900 kilometra të gjatë iranian me Pakistanin.
Fatemeh Aman nga Instituti i Lindjes së Mesme nga Uashingtoni, tha se “rritja e pakënaqësive shoqërore, të përshkallëzuara nga përgjigja e Qeverisë ndaj protestave së fundmi, mund të ketë pasur ndikim në rritjen e sulmeve terroriste”.
Megjithatë, ajo shtoi se Molavi Abdolhamid, kleriku i lartë suni i Iranit, i cili është një figurë baluçe me ndikim, “gëzon simpati të madhe” nga anëtarët e komunitetit. Abdolhamid, shtoi ajo, “e kundërshton fuqishëm dhunën”.
A do të kenë ndikimin sulmet në marrëdhëniet Iran-Pakistan?
Në janar, Irani kreu sulme raketore dhe me dronë kundër atyre që i cilësoi si caqe të Jaish al-Adlit matanë kufizimit në Pakistan.
Teherani tha se sulmet ishin hakmarrje ndaj sulmeve të këtij grupi në Sistan-Baluçistan në dhjetor dhe në janar.
Si përgjigje, Pakistani kreu sulme ajrore kundër, siç tha, separatistëve baluçë pakistanezë në Iran.
Veprimtaria militante përgjatë kufirit ka kohë që është burim i tensioneve mes Iranit dhe Pakistanit.
Baloch tha se rritja e numrit të sulmeve nga grupet militante baluçi në Iran dhe Pakistan “do ta thellojë edhe më shumë mosbesimin mes dy vendeve fqinje”. Radio Evropa e Lirë
Përgatiti: Ekrem Idrizi