Në orët e para të mëngjesit të 3 tetorit 1949, saktësisht më 09.25 minuta, Mit’hat Frashëri u gjend i vdekur në dhomën e tij në hotelin Winthrop, 351 Lexington Avenue në Nju Jork. Në këtë hotel ai kishte gjetur strehë që nga mbërritja e tij tri javë më parë së bashku me anëtarët e tjerë të Komitetit Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’. Një mjek deklaroi se shkaku i vdekjes për pothuaj 70 vjeçarin Frashëri kishte qenë një atak kardiak, si pasojë e jetës së mundimshme dhe lodhjes në vitet e fundit. Megjithatë, dëshmitarët okularë që ishin takuar me Frashërin gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara e përshkruajnë atë si një njeri plot gjallëri dhe energji. Në këtë mënyrë ata lanë të nënkuptohej se shkaku i vdekjes së Mit’hat Frashërit nuk ishte zemra e lodhur…
Versionet e eliminimit të Mit’hatit
Ka nga ata që edhe sot e kësaj dite besojnë se Mit’hat Frashëri ka vdekur natyralisht. Në të vërtetë, duke pasur parasysh një personalitet politik aktiv të përmasave të tij dhe aktiv në kohën kur ka ndodhur vdekja, lindin shumë dyshime për një vrasje të mirëfilltë politike. Nuk është ky rasti i parë. Kanë ndodhur vrasje të tilla jo vetëm ndër shqiptarët dhe që njihen botërisht, para dhe pas vrasjes së Mit’hatit. Është e drejta e atyre që besojnë se kjo nuk ishte një vrasje politike, pavarësisht se është versioni më pak i besueshëm.
Në librin me titull ‘Operation Valuable Fiend’ (Operacioni “Kundërshtari i Dobishëm”) të autorit Albert Lulushi, dyshimi për vdekjen natyrale të Mit’hat Frashërit është krejtësisht i dukshëm
Versioni i parë që hidhet është ai se në vdekjen e Mit’hatit, ka dorë Sigurimi i Shtetit shqiptar. Ndërkohë që kishte një operacion paramilitar ushtarak i CIA-s për të përmbysur me dhunë regjimin komunist të Tiranës, në pamje të parë ky duket versioni më i besueshëm. Mit’hat Frashëri ishte i parapëlqyeri i amerikanëve dhe ishte caktuar Kryetar i Komitetit Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’. Për këtë ka ndikuar origjina familjare e tij, paraardhësit e tij emërmëdhenj si Abdyli, Naimi e Samiu, por edhe vetë ai për erudicionin që zotëronte dhe për qëndrimin që kishte mbajtur gjatë luftës. Megjithëse ai ishte Kryetar i Ballit Kombëtar, nuk u bë kolaboracionist dhe nuk u bë pjesë e asnjë kabineti kuisling. Pra kishte më shumë besueshmëri se të arratisurit e tjerë.
Ky Komitet ka filluar të funksionojë në gjysmën e dytë të vitit 1949, më saktë në gusht të atij viti. Mirëpo, ky version rrëzohet vetvetiu kur mendon se jemi në vitin 1949, kur Shqipëria kishte më pak se katër vjet e dalë nga lufta, pa marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe mbi të gjitha një shtet i varfër me shumë pak mundësi për të financuar një operacion të tillë.
Versioni i dytë: Shteti shqiptar i asaj kohe ka shfrytëzuar lidhjet e ngushta me KGB-në sovjetike ose aleatë të saj për të asgjësuar kundërshtarët e vet jashtë shtetit dhe në SHBA. Mirëpo me teknikat e komunikimit të asaj kohe, me prishjen e marrëdhënieve me jugosllavët dhe me marrëdhëniet ende të pakonsoliduara me sovjetikët, duket e pabesueshme që të ketë funksionuar kjo linjë veprimi për të eliminuar Mit’hat Frashërin.
Edhe ky version duket pak i besueshëm, duke parë situatën e atyre viteve dhe aktivitetin politik të Mit’hat Frashërit gjatë viteve të para menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Versioni i tretë: Ahmet Zogu. Më 14 shtator të vitit 1949, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ kanë mbërritur në Nju Jork, pas disa telashesh në konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Londër për punën e vizave. Vetëm Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi kishin pasaporta të vlefshme të lëshuara nga legata mbretërore shqiptare në Kajro. Të tjerët kishin probleme të natyrave të identitetit dhe të vendeve nga ishin dhënë pasaportat. Një zyrtar i Operacioneve i priti ata në aeroport, rregulloi transportimin e tyre dhe i ndihmoi të sistemoheshin në një hotel. Robert Lou i takoi pasdite dhe shtroi një darkë për ta, ku mori pjesë dhe Herri Fullc dhe Reuben Markham. Fullci ishte një emër shumë i njohur dhe i respektuar ndër shqiptarët, si themelues i shkollës teknike amerikane të Tiranës në vitet 20-30 dhe si një diplomat kryesor i ambasadës amerikane në Tiranë në vitet 1945-46. Në fund të asaj darke, Lou i ka dhënë çdo anëtari të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ nga 500 dollarë (rreth 5 mijë dollarë me vlerën e tanishme) për të mbuluar shpenzimet e mundshme dhe të paparashikuara gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Fullci pranoi të shërbente si një shoqërues i Komitetit, por këmbënguli të qëndronte në hije për të shmangur ndonjë publicitet që lidhej me emrin e tij. Frika e Fullcit në këtë rast konsistonte në faktin se, në rast se qeveria e Tiranës do të merrte vesh se Fullci kishte lidhje me këtë Komitet, do të merrte masa drastike kundër gjithë ish-studentëve të tij në shkollën amerikane të Tiranës.
Disa ditë më pas, më 3 tetor Mit’hat Frashëri u gjend i vdekur.
Pse dyshohet Ahmet Zogu në eliminimin e Mit’hatit?
Ideja, nisma dhe nxitja për të ndërmarrë një operacion paraushtarak për të përmbysur regjimin komunist të Tiranës ka qenë e Ahmet Zogut, ish-mbretit që u arratis ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në 7 prill 1939. Ja si ka ndodhur. Ahmet Zogu ishte rezident në Kajro të Egjiptit ku mbreti Faruk i asaj kohe, me origjinë shqiptare, i kishte ofruar Zogut strehim politik. Më 23 dhjetor të vitit 1948, Sotir Martini, ministër i Oborrit mbretëror shqiptar në Egjipt, i dorëzoi një letër kolonel Norman Fiskes, atasheut ushtarak amerikan në Kajro. Në atë letër përcillej propozimi i Ahmet Zogut për të bashkëpunuar me amerikanët për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. Zogu mendonte se kishte ardhur momenti për të rivendosur në Shqipëri një qeveri të lidhur me fuqitë perëndimore. Sipas Zogut, në Shqipëri kishte një pakënaqësi të madhe në popull me regjimin që u vendos pas luftës dhe njerëzit ishin gati ta përmbysnin atë në rastin më të parë. Në vitin 1948, më saktë në vjeshtë të atij viti kishte ndodhur prishja e Tiranës me Titon, ishte goditur klani i Koçi Xoxes dhe Zogu mendoi se ky ishte një moment i volitshëm për t’u rikthyer në pushtet…
Në ditët e para të vitit 1949 ideja e propozimit të Zogut u bë më e qartë, ndërsa mori mbështetjen e amerikanëve. CIA ishte gati ta mbështeste një operacion paramilitar për të përmbysur regjimin e Tiranës. Më 30 prill 1949 dy përfaqësues të ambasadës amerikane në Athinë u takuan me Mit’hat Frashërin në Pire, diskutuan mbi këtë ide dhe ranë dakord për krijimin e një fronti të bashkuar kundër qeverisë së Tiranës. Në atë front do të bënin pjesë ballistë, legalistë dhe të arratisur të tjerë politikë që nga koha e luftës. Mit’hati pranoi të merrte kryesimin e këtij fronti. Ky front sikurse dihet, mori emrin Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Ky komitet në njëfarë mënyre do të kishte atributet e një qeverie në mërgim dhe kjo me sa duket e ka bërë Zogun të hezitojë dhe të vihet në lëvizje që pushtetin, pas përmbysjes së qeverisë komuniste të Tiranës, të mos e merrnin ballistët.
Mirëpo është interesante të njihet sjellja e Zogut paskëtaj. Të njëjtët amerikanë që u takuan me Mit’hatin në Athinë, shkuan dhe takuan Zogun në Kajro më 5 maj dhe diskutuan të njëjtat gjëra dhe çfarë ishte arritur me Mit’hatin. Këtu fillon kthesa, apo më mirë hezitimi i Zogut. Ai zvarrit bisedimet, vendos kushte për pjesëmarrësit në udhëheqjen e frontit, ndryshon mendime në momentet e fundit, ndërsa më 14 qershor 1949 theksoi: Nëse Frashëri jepte dorëheqjen ose nuk ishte në gjendje të kryente funksionin e tij për ndonjë arsye tjetër, Zogu kërkonte që ai të konsultohej për zgjedhjen e pasuesit të tij ose për ndonjë ndryshim që do të ndodhte në anëtarësinë e komitetit ekzekutiv.
Janë proverbiale mosmarrëveshjet midis ballistëve dhe zogistëve në mërgim pas luftës. Edhe Komiteti ‘Shqipëria e Lirë’ i fashiti përkohësisht mosmarrëveshjet, por nuk i largoi përfundimisht ato. Këto mosmarrëveshje që shkonin nga baza deri në udhëheqjen më të lartë të Komitetit, mendohen se janë një nga arsyet kryesore të dështimit të operacionit të financuar nga CIA (në qershor të vitit 1950, CIA akordoi 900 mijë dollarë ose rreth 9 milionë dollarë me vlerën e sotme të monedhës amerikane) për të përmbysur qeverinë e Tiranës. Në këtë operacion, përveç Ahmet Zogut e Mit’hat Frashërit, u përfshinë emra të njohur ballistësh, zogistësh e nacionalistësh të kohës së luftës, si Abaz Kupi, Abas Ermenji, Gjon Markagjoni, Said Kryeziu, Ismail Vërlaci, Hamit Matjani e të tjerë.
Ahmet Zogu ka qenë një mjeshtër i prapaskenave, kurtheve dhe vrasjeve politike prapa krahëve. Në kohën e mbretërimit të tij janë bërë disa nga vrasjet politike më të famshme, sikurse janë ato të Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Avni Rustemit e mjaft patriotëve të tjerë. Vija logjike e mendimit të shpie se edhe në vrasjen e Mit’hatit mund të jetë tërthorazi dora vrasëse e ish mbretit. Njerëzit e Zogut ndodheshin në kryesinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe rrinin bashkë me Mit’hatin, hanin e pinin së bashku. Kush më mirë se ndonjë prej tyre mund të ketë përshpejtuar vdekjen e tij? Ishte një luftë për pushtet dhe Zogu po përgatitej për t’u rikthyer në Tiranë pas përmbysjes së qeverisë së Enver Hoxhës.
Argumenti qe Zogu ka pasur gishte ne vrasjen e MITHAT FRASHERIT jane fantazma atyre qe mundeheshin me e prishe bashkimin e Nacionalistve.Zogu kishte deklarue se vetem vendimi sovran i popullit doté i bindet kureé doté vinte rasti me u kethye