Mëngjes
Tiranë, qershor 2023
Pêr të dalë nga Rruga e Kavajës te Rruga e Fortuzit, pres për shkurt përmes rrugicës së Radio Tirana e Vjetër.
Deri 4 javë më parë, pra prag zgjedhjesh, kjo ndërtesë monument kulture ligjërisht nën përgjegjêsi të shteti për ruajtjen e vlerësimin e arkitekturës e historisë së saj, ishte kthyer një treg shitje plackash të vjetra, një godinë pa dyer e dritare, e rrënume, e braktisme në mëshirën e kohës.
Sot e gjej me portë të mbyllur me dry dhe e veshur me rrjetë ndërtimi gati për punime.
“Ose ndoshta ka nis puna e po e restaurojnë më në fund”, thashë me eufori me veten.
U ndala e fotografova.
Një zë vogëlushi thirri nga brenda; “Nuk lejohen fotot”!
Ç’bëka ky fëmi këtu brenda, a mos po punojnë dhe minorenë në ndërtim?”, e shpejtova hapin për nga krahu tjetër i derës së mbyllme.
Një avlli e shembur më lejoj të isha gati brenda në oborr.
Para meje një zonjë e komunitetit egjyptian e me fshesë ne dorë, më doli para.
Ishte e paqme dhe kam kuptu se në Shqipni me dash me bubrru ma thellë se c’shef, përdor filozofinë e një budallai që s kupton asgjë e mund të arrish me lexu atë që s’e thotë e nuk e shkruan kush.
“Uh sa mirë e sa e gzume jam, më n’fund po e ndreqkan. Uh sa mirë!”, i thashë.
– “Po mi zoje, m’u përgjigj, do e gatisin gjithë.
– Po e bo ai pareliu, T.D- ja, ai po e ndërto”.
– Ai më ka lonë ne mu ktu me rujt”.
– Po ai çuni vogël që fol nga mrena kush o mi?- e pyes.
-“Çuni im mi, cuni im se ma ka thonë Ai- ja, mos lini njerëz me hy mrema e me fotografu, e ne po erdh kush me morr n’telefon”.
“Po çfarë do e boj mi? E pyes prapë me buzën vesh më vesh si me e siguru se po pyes për qejf”.
-Vallaj s’di, thotë. M’ka thonê thuj robve se do bohet si ka qenê e ke ajo tjetra (godinë tjetër gërmadhë ngjit me Radio Tirana) do boj muze”.
“Ah, thashë, i ka morr të dyja”.
– Po s’po shof ndonjë letër o tabelë të varme siç e kanë ndërtesat në punim, që të lexon sa e bukur do bëhet?”- e pyeta.
-“E kishte mi zoje, por ia hoqi policia- tha.
-Qyqja, thashë, pse?
– E kishte pa leje, erdhën ca çuna të ri policë e ia hoqën me forcë. Ishte dhe një polic i vjetër. Ai i thoshte i shkreti; mos mër çuna mos, se nuk dini gjo nga dynjoja. Por ata hiç, hiç, s’nigjoshin. Unë lajmërova çunin e T.D, erdhi shpejt e u zu dhe ai me to, por ia hoqën, ia hoqën tabelën”.
– Po, ty , i thashë, – a të paguajnë ndonjë çikë se po i bo gjithë këtë punë?
– Deri tani s’kom pa gjo me sy po ishallah mo do më japin, çunin e ka të mirë shumë. O martu tani, m’i tregoi nje ditë lulet e dasmês i kishte në foto m’celular. Qyqja mi kishte pagu 25 mijë euro- foli gruaja roje.
– A kanë nis punimet?
– Jo. Jo veç e ka vesh me rrjetë!
– Të ruajt Zoti çunin, e pac me jetë, i thashë, ishallah do e morësh hakun e punës.
– Po besoj mo se ka lek t’modh. Rrofsh zoje ditë te mbarë”
Ditë të mbarë dhe ju që e lexoni këtë bisedê jetësore të vërtetë, pak metra nga qëndra e Tiranës me protagoniste një nga ndërtesat historike më simbolike, monument kulture mbrojtur nga shteti.
Unë nuk di si qëndron e vërteta, se kush po e restauron këtë godinë publike e pse nuk ka asnjë tabelë informuese sic e përcakton ligji.
S’di nëse zonja roje e vogëlushi i saj më thanë të vërteta.
Nuk kuptoj dhe pse askush nuk shkruan e flet se si një monumenf i tillë rrethohet për punime e s’ka detyrim shtetëror për të bërë me transparencë informacionin publik.
Por nëse çka tha zonja e çka thërriste djali i saj; “mos bëni foto”, është e vërtetë , ky është një tjetër skandal publik se si pasuria kombëtare përdoret me ligjin e xhunglës.