Një humbje e hidhur e ekipit gjerman – ishin reagimet e para të mediave. Dhe si gjithmonë, shumë shpejt u gjetën “fajtorët”: trajneri, lojtarët, arbitri. Por të shikojmë me radhë.
Trajneri?
Trajneri Joachim Löw: ai ka gabuar edhe njëherë tjetër, në Kampionatin Evropian të vitit 2012, kundër Italisë. Po kësaj radhe? Löw i besoi kapitetit të tij (të lënduar shumë këtë vit) Bastian Schweinsteiger dhe futi në lojën vendimtare edhe mesfushorin Emre Can. Plani funksiononte deri në golin e parë të Francës. Gjermania kishte më shumë shanse, kishte kontrollin e lojës, por nuk shënonte dot. Më pas trajneri futi në lojë edhe lojtarët më ofensivë Götze dhe Sané. Por asnjëri nuk shënoi. Mungonte shumë qendërsulmuesi Mario Gomez. Por Löw nuk ishte fajtor: në aspektin taktik apo me zëvendësimit e lojtarëve. Pra ai mund të shpallet pa faj!
Arbitri?
I dyshuari tjetër është referi italian Nicola Rizzoli. Një italian? Dhe kjo pikërisht pas humbjes së Italisë nga Gjermania në gjysmëfinale? Ky vendim i UEFA meriton kritika, por jo aq shumë edhe ajo që tregoi arbitri në fushë. E vërtetë është që ai shpërndau lehtë disa kartona të verdhë kundër lojtarëve gjermanë, por në momentet vendimtare, italiani nuk ka gabuar: Bastian Schweinsteiger e preku topin me dorë tek penalltia. Pra as Rizzoli nuk është fajtor dhe mund të shpallet pa faj!
Po Schweinsteiger?
Mbeten pra lojtarët si fajtorë? Kush mund të kritikohet i pari? Schweinsteigeri natyrisht, sepse ai shkaktoi penalltinë. Por në pjesën tjetër të lojës, kapiteni bëri një lojë të mirë. Nuk ka shumë gjëra ku mund ta kritikosh. Kjo vlen edhe për Joshua Kimmich, i cili gaboi tek goli i dytë. Por tek goli i dytë gabuan disa lojtarë: Kimich, Mustafi, Neuer, Schweinsteiger… Ndaj kapiteni dhe Kimmich vetëm pjesërisht janë fajtorë.
Fajtor është ndoshta stili i lojës?
Gazetarët e kanë lehtë me kritikat e tyre pas ndeshjes dhe shumë shpejtë gjejnë fajtorët. Ekipi gjerman ka dominuar të gjitha ndeshjet dhe ka fituar, ndonëse nuk ka shkëlqyer në të gjitha ndeshjes. Gjermania tejkaloi edhe traumat e humbjeve nga Italia në ndeshjet zyrtare. Humbja në gjysmëfinale nga Franca 0:2 është një rezultat brutal, që nuk i përgjigjet lojës së treguar. Por dëmtimi i qendërsulmuesit Gomez dhe mosshënimi i lojatarit më të dashur gjerman tek publiku, Thomas Müller kanë qenë ndër problemet më të mëdha të kombëtares gjermane. Müller tregoi një angazhim të jashtëzakonshëm, por topi nuk donte të futej në rrjet.
Një faktor shumë i rëndësishëm në këtë kampionat ishte edhe – fati. Gjermanët nuk patën fat në gjysmëfinale. Ndoshta fati është shpenzuar në ndeshjen kundër Italisë, kur Jonas Hector shënoi penalltinë vendimtare, ndonëse potrieri italian Gianluigi Buffon e “kishte topin në dorë”. Kjo nuk dihet, por më e mira në futboll është që shumë gjëra nuk mund të parashikohen.
Komentet