Termin huligan e kam përdorur si metaforë, që mund të zëvendësohet edhe me sinonimet “rufian” apo “rrugaç”. Huliganizmi nuk është vetëm rrugaçëri tifozërish por edhe e gazetarisë së papërgjegjëshme që pengon dhe vështirëson ushtrimin e gazetarisë profesioniste.
Gazetaria nuk është krim, është pushteti i katërt në mbrojtje të lirive e të drejtave të njeriut dhe sistemit demokratik, prandaj mbështetja e shtypit të lirë dhe gazetarëve profesionistë është detyrë për të gjithë.
Gazetaria profesioniste sot po përballet edhe me një vështirësi tjetër sikur është fake gazetaria që ushtrohet nga jo profesionistë apo nga gazetarë sharlatanë e pa integritet.
Gjithashtu kastat politike dhe oligarkët në vende pa shtet të së drejtës si Shqipëria, Kosova zgjasin kthetrat deri në diasporë duke gratifikuar përçudnuesit e gazetarisë, si faktor komplementar të pushtetit të tyre, për t’i përdorur kur t’ju duhen.
Qytetarët kësisoj gjenden përballë edhe politikanëve të korruptuar, edhe gazetarëve të korruptuar, të cilët, në vend që të jenë zëri i opinionit publik shpërdorin profesionin e tyre duke u kthyer në shërbëtorë të bindur të pushtetit.
Kur kanë filluar t’i shërbejnë politikës, ata kanë shkelur me këmbë parimet themelore që përbëjnë kodin e etikës gazetareske.
Një gazetar profesionist duhet të respektojë 1. Të vërtetën; 2. të jetë i pavarur dhe objektiv, 3.të jetë i ndershëm dhe korrekt; 4. i zellshëm, i papërtuar dhe humanist si dhe 5.të ushtrojë profesionin me përgjegjësi.
Përveç etikës profesionale gazetari duhet të dijë të shkruajë, pra ta ketë vokacion gazetarinë, të ketë edukimin adekuat, të jetë i kulturuar për të sendërtuar stilin gazetaresk, që sipas standartit anglosakson duhet t’ju japë përgjigje 5 pyetjeve që fillojnë me “W”dhe një pyetje që fillon me H – Pra gjashtë pyetjeve që janë: Who? – Kush ?; What ?- Çfarë ? When ? – Kur ? Where ?- Ku ? Why ?- Përse ? dhe How ? – Si.
Gazetari, po ashtu, duhet të shmangë çdo temë që mund të lidhet me interesin e tij, për përfitime personale, të shmangë, po ashtu, çdo lloj konflikti interesi. Gazetari e ka si obligim t’iu referohet burimeve me emra dhe adresa, për hir të transparencës për të shmangur çdo mundësi paqartësie apo mjergulle.
Dhe, së fundi, teksti përveç shtjellimit të temës gazetareske duhet të jetë i shkruar bukur, me stil interesant dhe me një gjuhë të saktë, pa gabime sintaksore, pa gabime gramatikore e drejtshkrimore, që lexuesi përveç informacionit të përfitojë edhe këndellje estetike.
Gazetaria online i ka hapur një horizont të pafund shtrirjes së shtypit të lirë, por horizont të pafund i ka hapur edhe portaleve abuzuese që shfaqen në rrjetin social si kërpudha helmuese, sepse çorodisin opinionin dhe e kthejnë në puppe të manipulimeve.
Sot opinioni publik është i përmbytur prej dezinformacionit dhe nën pushtetin e lajmeve që furnizojnë portalet abuzues.
Për të krijuar imunitet ndaj manipulimit, lexuesi duhet të orientohet nga disa elementë sigurie. Kur hyn në një portal të ri, së pari, lexuesi duhet të interesohet se cili është botuesi i portalit, të shohë cilët janë gazetarët dhe bashkëpunëtorët. Nëse lexuesi hyn dhe nuk gjen asnjë emër, atëhere duhet ta dijë se ndodhet përpara një portali manipulator. Të ikë menjëherë dhe të mos kthehet, që të mos bjerë në dorën e një spekulanti.
E bëra gjithë këtë hyrje si parantezë për të argumentuar titullin e këtij shkrimi.
Kush e financon portalin huligan “lecanton27.ch” ?
T’i thuash një portali apo njeriu “huligan” duhet të kesh arsye të forta.
E përdor këtë term, sepse shoh që ushtrohet vandalizëm në kodin dhe etikën e gazetarit, që do të thotë edhe kundër fjalës së lirë.
Kur e pashë për herë të parë në rrjetin social portalin me emrin “lecanton27.ch” – për kuriozitet, hyra në faqen e tij për të parë se kush e botonte, meqë botohej në Zvicër.
Në faqen e “lecanton27.ch” mungonte çdo e dhënë, nuk kishte as redaksi, as botues, as gazetarë, as emra, nuk kishte asgjë. Pra ishte në anonimitet të plotë. Kishte tek tuk ndonjë intervistë me të intervistuar por pa intervistues, pra, që në vështrimin e parë, shihje se ky portal ishte abuziv.
Përveç kësaj, portali startonte me një manipulim skandaloz për publikun, me një rrenë apo gënjeshtër të madhe.
Që në faqen e parë shkruhej se e kishte adresën e redaksisë në Qendrën Mediale “Medienzentrum” të Bundeshaus, dmth të Qeverisë së Zvicrës në Bernë. Për sqarim: në Medienzentrum japin konferenca për shtyp anëtarët e qeverisë ( Këshillit Federal), Parlamenti etj.etj. Ne si botues të voal.ch na bie rasti ta vizitojmë herë pas here këtë qendër dhe e dimë pak a shumë si funksionon.
Për të vërtetuar dyshimin, komunikova menjëherë me Medienzentrum dhe përgjigjia më erdhi po me shkrim. Në përgjigje thuhej midis të tjerave: “Ju keni kontaktuar me shefin e Qendrës Mediale – Medienzentrum të Këshillit Federal – Bundeshaus, në lidhje me faqen e internetit “lecanton27.ch”. Ju falenderojmë, që na sinjalizuat për adresën e “lecanton27.ch” në Qendrën Mediale (Medienzentrum) të Bundeshaus (Këshillit federal) që ishte dhënë në mënyrë të pasaktë si adresë postare. Ne nuk kemi asnjë gazetar të akredituar për këtë faqe në internet. Kështu, ne kërkuam që adresa e Qendrës Mediale të hiqet nga faqja e internetit” “le canton27.ch”.
Qendra Mediale e Këshillit Federal i kërkoi portalit “lecanton27.ch” ta ndryshonte adresën dhe adresa u ndryshua, por manipulimi mbeti. Manipulimin nuk e heq dot ndryshimi i adresës i bërë nga portali “lecanton27.ch” me kërkesë të Qendrës Mediale.
Lexuesit për transparencë po ia sjell dy adresat e portalit, adresën ku mashtronte publikun dhe adresën pas ndërhyrjes nga Qendra Mediale e Këshillit Federal.
Portali “lecanton27.ch” manipulonte ala grande, duke pretenduar se e kishte selinë aty ku e ka selinë qendra mediale e qeverisë zvicerane!
Mashtrim tjetër është pretendimi se kemi të bëjmë me një “gazetë zvicerane” – në fakt kemi të bëjmë me një portal shqiptar, që administrohet shumë keq nga një, supozoj, shqiptaro-zviceran, por që nuk përmbush as kriterin për të qënë gazetë, sepse gazeta botohet detyrimisht edhe në letër.
Diçka tjetër që bie në sy është keqshkrimi në çdo aspekt edhe si formulim, edhe si sintaksë shqipe, me përkthime të pasakta, pa drejtshkrim, pa profesionalizëm, një kakofoni dhe rrëmujë e vërtetë.
Ajo që më ra tjetër në sy ishte urimi me formulime arabisht i imamit të xhamisë shqiptare të Gjenevës Rijad Aliu bën nga “lecanton27.ch” për ditëlindjen e profetit Muhamet. Deontologia e shtypit të lirë në një shtet sekular, nuk justifikon praninë e imamëve në kontekse të tilla sepse portali nuk është fetar. Në faqen e xhamisë (/http://www.uais.ch/plani-mesimore/ ), në planin mësimor për edukatën islame në xhamitë shqiptare në Zvicër, përgatitur edhe nga Rijad Aliu flitet për “vëllazëri muslimane pa marrë parasysh racën dhe gjuhën e myslimanëve të tjerë”, flitet për “rini muslimane”, por nuk flitet për rini shqiptare, për rini zvicerane, për rini europiane, nuk flitet asgjë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, pra sipas kësaj logjike identiteti është fetar dhe jo kombëtar.
Në fund dua të pyes, kush e financon këtë portal huligan, që manipulon, mashtron, që shkel shkel etikën e gazetarit, që abuzon me gjuhën shqipe, që eleminon transparencën e detyrueshme me publikun, me një papërgjegjshmëri amatorësh dhe injorantësh.
Të financosh mediume të tilla që shkelin standartet elementare të komunikimit do me thënë t’i shërbesh trushplarjes së opinionit publik, përmes manipulantëve që nuk njohin limite në abuzim, duke e varrosur shtatë pashë nën dhe gazetarinë profesioniste.
Thomas Jefferson thoshte se “Liria jonë varet nga liria e shtypit”, ndërsa Napoleon Bonaparti thosh se duhet t’i kesh frikën shtypit armiqësor më shumë se bajonetave në fushën e betejës. Do ta perifrazoja Napoleon Bonapartin edhe sa i përket shtypit manipulator se është po aq armiqësor, i rrezikshëm dhe në antitezë të plotë me funksionin që ka fjala e lirë, pra është robërues.
Adresa përpara
Adresa pas
Ketë artikull duhet ta batojë çdo gazetë dhe ta lexojë çdo televizion. Portale të tilla pa adres ku antishqiptarët e fshehin kokën si urithat nën dhe ka edhe të tjerë ku përshëndetja shqip nuk ekziston, dhe valon flamuri turk, mjerisht! . si p.sh https://daigs.ch