Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të enjten se janë liruar pjesëtarët e policisë së Kosovës që ishin ndaluar nga autoritet serbe të mërkurën, por atje po mbahet ende zëvendës drejtori i policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
“Informacionet e fundit na njoftojnë që të gjithë policët e ndaluar tashmë janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës Dejan Jankoviç. Pra zëvendësdrejtori i policisë vazhdon që të mbahet në burg në Serbi”, tha kryeministri Kurti gjatë një mbledhjeje të qeverisë së tij.
Një ditë më parë autoritetet në Prishtinë njoftuan se 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës u ndaluan në Serbi, përfshirë zëvendës Jankoviç. Pesë nga ta ishin liruar ditën e mërkurë ndërsa katër pjesëtarë të tjerë sipas autoriteteve janë liruar të enjten.
Ministria e Brendshme e Kosovës tha se oficerët e ndaluar janë shqiptarë dhe serbë dhe “janë ndaluar në vendkalimet kufitare Merdar, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë”.
Kryeministri Albin Kurti tha se veprimi i Serbisë është akt i ultë hakmarrjeje ndaj suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe shkelje e të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë.
“Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjes, duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe fqinjësi të mirë”, tha ai.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila mori sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të policisë së Kosovës, u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtare që të rrisin përpjekjet kundër veprimeve të tilla.
“U bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha presidentja Osmani.
Të mërkurën të paktën gjashtë autobusë nga Kosova u ndaluan për orë të tëra nga policia serbe në vendkalimet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.
Autoritetet serbe mohuan të kenë bllokuar udhëtarët nga Kosova, por thansë se shtimi i kontrollit të sigurisë mund të ketë shkaktuar vonesa.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se situata e krijuar me ndalimin e udhëtarëve paraqet shkelje të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog ndërsa kërkoi nga Serbia “që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pabashkërenduara si dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”.
Nga viti i kaluar Serbia ka njohur dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Kosova, ndonëse nëpër vendkalime kufitare ka vendosur afishe në të cilat thuhet se kjo nuk nënkupton njohje të pavarësisë së saj.
Serbia u shpreh e zhgënjyer me votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Beogradi ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën të dyja vendet janë pajtuar vitin e kaluar, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetër në proceset integruese.