Nga Albin Kurti
Sapo përfundova vizitën time të tretë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se dy vite.
Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, u mirëprita ngrohtësisht nga aleatë e partnerë të Kosovës si në ekzekutivin britanik ashtu edhe në Parlament.
Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës i Republikës sonë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Me të diskutuam për veprimet agresive dhe sulmet e sponsorizuara nga Serbia mbi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe gazetarët në veri të vendit dhe qëndrimin tonë parimor e demokratik për depërshkalëzim që në qendër ka sundimin e ligjit.
Jemi me fat që në Pallatin e Westminster kemi shumë miq. Atje u takova me deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), konservatorë, liberal-demokratë e laburistë.
Nga Partia Laburiste, një takim të ndarë zhvillova edhe me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty. E miq laburistë kemi edhe jashtë institucioneve por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato.
Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik Tony Blair për rolin dhe vendosshmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas. Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të të drejtave të njeriut, dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik.
Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushtarake e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje.