Dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale dhe zhvillimet e fundit në Kosovë u diskutuan në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, në Paris.
Në këtë takim, të mbajtur të premten para fillimit të Forumit të Paqes, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe këshilltarët e Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.
Sipas komunikatës të Qeverisë së Kosovës, gjatë këtij takimi, Kurti “theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër” dhe e cilësoi propozimin franko-gjerman si “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.
“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhet gjithashtu në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Borrell pritet të takohet të premten në orën 18:00 edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.
Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga institucionet kosovare, pasoi nisjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor.
Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës dhe nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, me gjithë insistimin e komunitetit ndërkombëtar.
Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 10 nëntor se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.
Gjatë së enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.
“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, thuhej në komunikatë.
Ndërsa, në takimin e së enjtes me presidentin Macron, Vuçiqi tha se i ka treguar homologut të tij francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa iu referua edhe çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik.
Komentet