Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiqin, duke thënë se politikani dhe biznesmeni serb është “arsyeja thelbësore” e sulmeve që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë.
Duke folur në një konferencë për media të dielën në Prishtinë pas një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dy ditë më parë, Kurti tha se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.
Autoritetet kosovare kanë leshur fletarrestim dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Kurti tha se, sikur Radoiçiq të mos lihej i lirë në Serbi, do të “binin gjasa në mënyrë drastike që të realizoheshin të gjitha këto sulme që kanë ndodhur dhe sulme në të ardhmen që ata i planifikojnë”.
“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtar t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Nëse Serbia ka dyshim se Radoiçiq nuk do të kishte gjykim të drejtë në Kosovë, ne e kemi EULEX-in, ai i vëzhgon të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës”, tha ai.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Serbia.
Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.
Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar dhe konfiskuan armatim gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Kurti tha se sulmi i së premtes ndaj kanalit të ujit në veri ndërlidhet me sulmet që Rusia është duke i kryer në muajt e fundit kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të mbetej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, tha Kurti.
Ai e shfaqi gjatë konferencës një fotografi për të cilën tha se shfaq emblema të njësive ushtarake të Ushtrisë Ruse të konfiskuara nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të së shtunës në veri të vendit.
“U gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema ju përkasin njësive të veçanta ruse”, shtoi ai.
Sulmi ndaj kanalit të ujit në veri u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian dhe Gjermania thanë se ai ishte një akt terrorist.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. REL