Radio Evropa e Lirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se në mëngjes është takuar me ambasadorët e QUINT-it për të prezantuar propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se këtë propozim e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell.
“Me Borrelin dje, dhe vendet partnere të QUINT-it sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë, për uljen e tensioneve në veri dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.
Ai ka thënë se situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë.
“Eskalimi më 29 maj e bën urgjente sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve”.
Ai u është referuar përleshjeve të 29 majit në Zveçan mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Plani i tij parasheh pesë pika që, sipas tij, ndihmojnë në ulje të tensioneve:
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akti kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.
Serbët lokalë janë duke protestuar vazhdimisht prej asaj dite, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Komuniteti ndërkombëtar i ka tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:
- Shtensionimin e situatës atje
- Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
- Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti ka thënë se është i interesuar për mbajtje të zgjedhje të reja, por, sipas tij, nuk nevojitet nxitim “për të një dështim të ri”.
Ai ka thënë se nuk dëshiron ta caktojë datën e zgjedhjeve, por dëshiron që të analizohen të gjithë skenarët.
“Jam i interesuar që të ketë zgjedhje të reja në veri. E kuptoj që dalja ka qenë e ulët. Legjitimiteti është larg prej të qenit tamam në ato komuna. Mirëpo, ata të tjerët nuk kanë fare legjitimitet. Duhet një proces i ri zgjedhor”.
Rreth propozimit të Ramës për Asociacionin
Në konferencë për media, Kurti është pyetur edhe rreth propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti ka thënë se Rama, në vend që ta propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.
“Nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, beson që propozimi i tij i draft-statutit është i mirë, dhe duke qenë kështu, krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Rama, këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më së largu, në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.
Disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian, që kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.