Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ritheksoi të enjten se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa nënvizoi se asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk mund të ketë përparësi ndaj marrëveshjeve tjera.
Kryeministri Albin Kurti u takua mbrëmë në një darkë pune me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar hapat e radhës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.
“Ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, shkroi zoti Lajçak në rrjetet sociale.
Kryeministri Kurti tha se diplomatët po këmbëngulin që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të theksohet më shumë.
“Por, ajo marrëveshje tashmë është e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese pra në një mënyrë përnjëmend mund të themi se ajo marrëveshje është e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Tash procesi negociator duhet të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të paraqesë propozimet e saj për asociacionin, ndërsa ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar në një takim në fund të këtij muaji përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje.
Kryeministri Kurti tha se asociacionet e komunave që janë njësi territoriale dhe jo vetëm administrative, mbi baza etnike bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Andaj le të zhvillohen sa më shumë takime e diskutime mirëpo për normalizim të marrëdhënieve që na shpie më afër e drejt BE-së për paqe afatgjate e stabilitet të qëndrueshëm, për siguri për të gjithë pa diskriminuar asnjë njeri nevojitet njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as Asociacioni parakusht por njohja reciproke në qendër. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë Kancelari Scholz dhe unë po ua përsëris këtu njëjtë”, tha ai.
Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të premten e kaluar zoti Lajçak qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë për diskutime rreth propozimit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të hënën se Serbia do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk do ta pranonte propozimin që sipas tij është shndërruar në kuadër të ri negociues të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.
“Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje”, tha kryeministri Kurti.
Ai ritheksoi se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë në qendër sepse vetëm asisoj ndodhë normalizimi i plotë marrëdhënieve.
Por propozimi nuk parasheh njohje të ndërsjellë por përkushtimin e të dyja palëve që të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Diplomatët kërkojnë që të punohet shpejt për të arritur një marrëveshje Kosovë – Serbi, situata e pazgjidhur ndërmjet të cilave shihet si një burim paqëndrueshmërie në Ballkan në një periudhë të ndjeshme në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Zoti Lajçak tha mbrëmë se propozimi mbështetet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën. Gjatë ditëve të kaluara zoti Lajçak ka takuar përfaqësuesit e vendeve mosnjohëse për t’i njohur me procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.
“Ai na tregoi edhe neve për takimet që i ka pasur dhe në këto takime ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me atë që është e rëndësishme për neve pra që është njohja, mirëpo nuk ka hapa konkret. Unë besoj që duhet angazhim shumë më i madh që të kemi hapa konkret. Pesë shtetet të cilat ende nuk e njohin Kosovën nëpërmjet njohjes së tyre do të na hapnin plotësisht rrugën për integrim në NATO dhe BE dhe kjo është tejet e rëndësishme për neve. Natyrisht që po të kishim ne mundësi për ulëse në OKB gjithçka do të ishte më kollaj mirëpo duke pasur parasysh se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e kemi Federatën Ruse dhe Kinën ajo minimumi çka qytetarët e Republikës së Kosovës presin është që pesë shtetet demokratike evropiane t’i bashkohen shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe ta njohim pavarësinë e Kosovës”.
Zoti Lajçak tha mbrëmë në një intervistë për Klan Kosova në Prishtinë se deri në muajin mars do të dihet nëse do të ketë përparim lidhur me propozimin dhe kush do të jetë përgjegjës, nëse kjo nuk ndodhë.