Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, të enjten, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk pajtohet me përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve. Refuzimi për ta nënshkruar është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen”, tha Kurti duke iu referuar takimit të nivelit të lartë mes tij dhe Vuçiqit në Bruksel, më 27 shkurt, ku u diskutua propozimi evropian.
Teksti i këtij propozimi, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë, është publikuar mbrëmjen e 27 shkurtit.
Pas takimit në Bruksel, përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, thanë se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshjeje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Lidhur me tekstin e propozimit evropian, pati kritika nga opozita kosovare, e cila më herët të enjten kërkoi debat parlamentar me kryeministrin Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që ishte propozuesi i mocionit për mbajtjen e këtij debati kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti preambulën e tij.
Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër tjerash përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.
“Në një rast të paprecedent Kosova pajtohet me paparagjykimin rreth statusit të vet politik…”, tha Abdixhiku.
Në anën tjetër, në fjalimin e tij Kurti tha se ky konstatim është gabim.
“Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ [tejkalimi i së kaluarës] është falje e krimeve të Serbisë… ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër qëndrimet e mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elemente të drejtësisë tranzicionale, nuk mund të bëhet”, deklaroi Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se fakti që presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen bazike në Bruksel, mund të nënkuptojë përgjigjen për pyetjen se kujt i konvenon më shumë kjo marrëveshje.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partia e tij e mbështet propozimin evropian “duke pasur parasysh rrethanat, në të cilat gjendet Kosova”.
“Pa dyshim që ky propozim ka të metat e veta, por e ka marrë mbështetjen tonë pasi në rrethanat, në të cilat gjendet Kosova, shënon një kapitull të rëndësishëm në njohjen e Kosovës”, tha Tahiri duke shtuar se kjo nuk do të thotë se e mbështesin Albin Kurtin dhe qeverinë e tij.
Kryeministri Kurti në Kuvend u pyet edhe lidhur me pikën e propozimit evropian që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Çfarë thotë Neni 7?
Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Marrëveshja për Asociacionin është një ndër pikat më kundërthënëse në dialogun Kosovë -Serbi.
Kurti ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me themelimin e një asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato (marrëveshje) që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen – përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha në përputhje me përcaktimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Nuk lejoj përjashtime, fokusime e veçime në një (marrëveshje)”, tha Kurti.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ndërkaq u shpreh se marrëveshja nga subjektet opozitare po kundërshtohet “se duan të kundërshtojnë”, por jo se kanë parime që listojnë për të kundërshtuar marrëveshjen.
Ajo u përmendi atyre një moratorium njëvjeçar, që ishte në kuadër të marrëveshjes që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Uashington në shtatorin e vitit 2020. Në bazë të atij moratoriumi, Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia do të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
“Kjo marrëveshje thotë se Serbia në asnjë organizatë ndërkombëtare Serbia nuk mund ta pengojë Kosovën të aplikojë, asnjë zero”, tha Kusari para deputetëve.
Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.