Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas takimeve që ka zhvilluar në Bruksel në një deklaratë për mediat tha se takimi trepalësh nuk është realizuar, pasi qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes Bazike, për të cilën është rënë dakord më 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar më tej nga aneksi i zbatimit, që është pjesë integrale nga 18 marsi i vitit 2023.
Edhe më herët, shefi i diplomacisë të Bashkimit Europian Joseph Borrell deklaroi se në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke vënë në dukje se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe, Kurti ka paraqitur tre kushte, me qëllim që më tej Prishtina të angazhohet në normalizimin e raporteve me Serbinë. Diçka të tillë e ka konfirmuar edhe Kurti.
“Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohje së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha Kurti.
Duke folur për arsyet e dështimit të takimit bilateral Kurti tha se nga takimi i 14 shtatorit kanë ndodhur shumë gjëra. Ai përmendi dhe tre garancitë që ka kërkuar nga takimi.
“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garanci, për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive që kam theksuar.
“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”, tha Kurti.
Ndërsa, Borrell pas takimeve që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiçin, tha se Serbia nuk ishte e gatshme në mënyrë të plotë që të pranojë kushtet që kishte vendosur Kurti, duke shtuar se presidenti Vuçiç se është gati që të mund të shikojë mundësi, sa i përket letrës t ëish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes, [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.
Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara. “Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.
Më herët, edhe Vuçiç tha për mediat në Bruksel se gjatë raundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk ka pasur takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. “Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat. Vuçiç tha se udhëheqësit europianë kanë qenë korrekt në takim. “Ai nuk ka dashur të më takojë”, ka thënë Vuçiç gjatë takimit me gazetarët.
Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”. Vuçiç tha se bisedimet janë të suksesshme. Po ashtu, Vuçiç në Instagram ka shkruar se në takim ka insistuar për themelimin e Asocacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në Bruksel sot janë mbajtur dy raunde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiç. bw