Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.
Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.
“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.
“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti gjatë një adresimi nga Bratisllava, ku po merr pjesë në një forum për sigurinë.
Kjo është një përgjigje direkte e kryeministrit ndaj kërkesave që Shtetet e Bashkuara i drejtuan Qeverisë së Kosovës një ditë më parë.
Këto kërkesa, të bëra përmes ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier janë që Qeveria: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri.
“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke kujtuar se kryetarët e komunave në fjalë janë betuar në lokacione alternative.
Kurti gjithashtu i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.
Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha po ashtu Kurti.
Kurti tha se është “i brengosur shumicën e kohës, por asnjëherë i frikësuar”.
Sipas tij, gjetja e një zgjidhjeje për situatën e krijuar i ka dy trajektore:
“E para të dalim nga kjo krizë në veri: që do të thotë sundim i ligjit, bandat ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe, të zvogëlojmë numrin e Policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinë”, tha ai.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.
Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.
Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.