Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën se është e nevojshme një periudhë kalimtare për të sqaruar dhe shmangur paqartësitë rreth rregullores së Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, mes shqetësimeve të diplomatëve perëndimor për pasojat e këtij vendimi.
Nëpërmjet një deklarate me shkrim, kryeministri Kurti tha se “e kupton se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzionin. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, tha ai duke nënvizuar se gjatë këtij muaji, institucionet do të japin të gjitha informacionet dhe ndihmën e nevojshme që kjo periudhë kalimtare të jetë sa më e lehtë që të jetë e mundur.
“Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”, tha kryeministri Kurti.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt, sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i tij është “përndjekja e serbëve të Kosovës” të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë, i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në disa raste kërkuan nga qeveria e Kosovës që të pezullohet zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore menjëherë duke shfaqur shqetësimin se çështja mund të nxisë tensione të reja.
Hovenier: Çështja me dinarin serb ka nxjerrë në pah urgjencën për themelimin e Asociacionit
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të martën në një intervistë për Radiotelevizion 21 në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për mënyrën se si kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet, duke mos marr parasysh siç duhet disa realitete.
“Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë përshtatshme ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun dypalësh… në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona”, tha ai.
Ambasadori Hovenier tha se kërkesa është e qartë, një shtyrje e zbatimit deri sa të vendoset një strategji e mirë për të zbutur ndikimet popullatën e cenueshme.
“Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Kryeministri e ka dëgjuar nga unë. Ai e ka dëgjuar këtë nga Jim O’Brien drejtpërdrejt në më shumë se një rast. Unë nuk mendoj se dikush ka dyshime për këto shqetësime të Shteteve të Bashkuara apo të partnerëve tanë sepse, përsëri, kishte një deklaratë të QUINT-it. Nuk jemi të vetëm në këtë shqetësim”, tha ai duke nënvizuar se në rast se autoritetet nuk marrin parasysh këshillat e tyre do të ketë pasoja në cilësinë e partneritetit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ambasadori amerikan tha se situata e fundit me dinarin serb ka nxjerrë në pah urgjencën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Sepse një pjesë e kësaj ka të bëjë me çështje që lidhen me mbështetjen e Serbisë për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe sistemin arsimor. Dhe ato çështje se si do të integrohen në ligjin dhe strukturat e Kosovës, se si operacionet e tyre do të jenë transparente ndaj qeverisë së Kosovës do të trajtohen në Asociacion”.
I pyetur nëse do të ketë pasoja për Kosovën në rast se nuk themelohet Asociacioni, ambasadori Hovenier tha se “do t’i marrim ato vendime kur të vijmë aty. Por nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjegjshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona, nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë”, tha ambasadori Hovenier.