Qindra euro kanë qenë faturat për ngrohje për disa qytetarë të Prishtinës gjatë muajve tetor dhe nëntor. Kjo ndodhi pas ndryshimit të mënyrës së faturimit këtë vit nga ndërmarrja publike Termokos. Disa nga ankuesit dyshojnë se matja e konsumit nuk është bërë siç duhet.
Me t’u kthyer nga puna, në një pasdite, në javët e para të dhjetorit, Mehreme Hykolli u përball me një grumbull fqinjësh, të cilët qëndronin të shqetësuar në hyrjen e ndërtesës ku banojnë.
“Banorët ishin të shqetësuar, me fatura të Termokos-it në dorë. Shumica ishin mbi 200 euro”, tregon Hykolli.
Banorja e lagjes Bregu i Diellit thotë se atë ditë u trondit kur pa faturën e saj të ngrohjes për 30 ditë të nëntorit, në shumë prej 300 eurosh.
Hykolli jeton vetëm, në një banesë prej rreth 50 metrash katrorë. Ajo thotë se viteve të kaluara kishte pranuar fatura prej 35 deri në 37 euro në muaj nga ngrohtorja e qytetit.
“Nuk e duroj nxehtësinë e madhe. Në dhomën e gjumit nuk i ndez radiatorët. I ndez vetëm në sallon, kuzhinë dhe banjë. Unë punoj, deri në orën 4 nuk jam [në banesë]”, thotë Hykolli, e cila nuk e kupton se si iu faturua ky shpenzim.
Këtë vit, ndërmarrja Termokos, e cila është përgjegjëse për ofrimin e ngrohjes për disa lagje të Prishtinës, ka ndryshuar mënyrën e faturimit, e cila kishte qenë në fuqi për shumë vite.
Më parë, për rreth 25 mijë konsumatorë të Termokos-it, faturimi përcaktohej bazuar në sipërfaqen e hapësirave të banesave apo shtëpive, me një çmim prej 76 centësh për metër katror.
Me fillimin e sezonit të ngrohjes, më 15 tetor të këtij viti, Termokos bëri ndryshime rreth faturimit për rreth 7 mijë konsumatorë.
Tek ta, paraprakisht janë instaluar matës, për të përcaktuar nivelin e shfrytëzimit të ngrohjes, gjë që nuk ishte bërë më parë.
Çmimi për sasinë e shfrytëzimit të ngrohjes për sezonin 2024/2025 u përcaktua nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, me një vendim të datës 12 nëntor 2024.
Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill.
Vendimi për tarifat u mor pasi sezoni i ngrohjes kishte filluar dhe ishin kryer matjet e para për faturat që do të shpërndaheshin në fillim të nëntorit.
Ndërmarrja Termokos, në përgjigjet ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me faturat, i është referuar vendimit të ZRRE-së për tarifat, ku sqarohet se çmimi për ngrohjen me matje është vendosur në 76 centë për kilovat në muaj.
Megjithatë, kjo ndërmarrje nuk ka dhënë shpjegime se si janë faturuar ditët e para të ngrohjes, para marrjes së këtij vendimi.
Mehreme Hykolli thotë se ka bërë ankesë pranë Termokos-it lidhur me faturat e sivjetme, por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Vendimi im është që çdo muaj t’i mbledh faturat dhe të bëj ankesë për secilin muaj, pastaj t’i dërgoj në gjykatë. Vetëm kështu mund të mbrohem nga përmbaruesi kur të vijë për të më marrë gjërat e shtëpisë”, thotë ajo.
Për gjysmën e muajit tetor, Hykolli është faturuar 44 euro, shumë e cila për të është e papranueshme, pasi është më e lartë se ajo që e kishte paguar më parë për një muaj të plotë.
“Kam marrë trauma nga radiatori. Në banjë as nuk guxoj ta ndez më”, shton ajo.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Termokos-i nuk ka zbuluar numrin e ankesave të konsumatorëve, por ka bërë të ditur se “ka formuar një komision për shqyrtimin e ankesave, i cili po merret me trajtimin e secilës ankesë”.
“Sistemi i ri i faturimit sipas konsumit është sistem modern dhe i saktë”, tha zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka.
“Rreth 70 për qind e konsumatorëve tanë që janë faturuar sipas shpenzimit kanë përfituar fatura më të ulëta, ndërsa vetëm 30 për qind që nuk e kanë shfrytëzuar në mënyrë racionale ngrohjen kanë marrë fatura më të larta”, u shpreh ajo.
Shpenzim i pakontrolluar apo fatura të fryra?
Me faturën e parë të Termokos-it këtë vit u befasua edhe Faton Rama, banor i lagjes Dardania, në kryeqytetin kosovar.
Për ngrohjen e banesës prej rreth 90 metrash katrorë, për gjysmën e muajit tetor, ai pranoi faturë prej rreth 80 eurosh.
Duke menduar se mund të kishte ndodhur ndonjë gabim teknik, Rama thotë se vendosi të priste faturën e radhës për muajin e plotë të nëntorit.
“Kur mora faturën e dytë, prej 202 eurosh, ishte e papranueshme”, shprehet ai.
Edhe Rama pretendon se ngrohjen e ka shfrytëzuar në mënyrë racionale, sidomos duke pasur parasysh motin jo aq të ftohtë që ka mbajtur deri në këtë kohë.
“Unë kam dyshime se matësit nuk po matin si duhet, ose në formë reale. Jam ankuar, nuk kam marrë përgjigje akoma”, tregon Rama për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se po e pret me frikë faturën e muajit dhjetor.
“Kur më ka ardhur 202 euro, ka qenë kohë e mirë, nuk e di se çfarë do të vijë tani”, shprehet ekonomisti 46-vjeçar.
Fluksi i ankesave të qytetarëve për faturat e ngrohjes ka nxitur reagimin e iniciativës CorrWatch, një grupim i disa organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.
“Këto fatura janë konsideruar të fryra dhe të shpërputhura me standardet e mbrojtjes së konsumatorëve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve dhe në integritetin e procesit rregullativ në sektorin e ngrohjes termike”, është thënë në reagimin e CorrWatch, më 23 dhjetor.
Ky grup u ka bërë thirrje Termokos-it dhe ZRRE-së, si trup rregullues, që të ndërmarrin masa për shqyrtimin e këtyre faturave, dhe që “kostoja e tepërt të zbritet në faturat e dhjetorit”.
ZRRE-ja, e cila ka kompetencë për të bërë auditimin e faturimit, deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it për këtë çështje, apo për ndonjë auditim të mundshëm.
“Më lirë ngrohem me rrymë”
Përveç ankesave zyrtare në Termokos, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për faturat e sivjetme edhe në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, përfshirë edhe në ato të vetë ngrohtores.
“Nëse çmimi i ngrohjes me Termokos është ky që e keni faturuar këta dy muaj (trefishi i vitit të kaluar), shumë qytetarë do të detyrohemi të shkëpusim kontratat dhe të vazhdojmë ngrohjen me energji elektrike”, shkroi një qytetar në një postim në faqen e Termokos-it në Facebook.
Të tjerë qytetarë, si Hykolli dhe Rama, janë ankuar se kontrolluesi i temperaturës nuk po funksionon siç duhet, pasi radiatorët ngrohin vetëm kur ai vendoset në maksimum, përkatësisht te niveli i pestë.
Kështu, ata thonë se janë të detyruar të shfrytëzojnë nivelin maksimal të nxehtësisë.
Në anën tjetër, sipas udhëzimeve të Termokos-it, numri tre është niveli i rekomanduar i vendosjes së kontrolluesit të temperaturës.
“Na kanë këshilluar t’i lëshojmë [në nivelin e tretë]. Kur i lëshojmë në tresh, nuk ngrohin fare. Nuk duhet të faturohej”, thotë Rama.
Sipas Termokos-it, në rast se radiatorët nuk ngrohin në nivelin e tretë, “kjo nënkupton se temperatura e brendshme në banesë është më e lartë se 20 gradë celsius”.
Derisa presin shqyrtimin e ankesave, qytetarët thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e larta.
“Vetëm mund ta paramendosh. [Gati] 300 euro për një muaj e gjysmë, shumë gjëra duhet t’i heq nga ushqimi i fëmijëve për t’i paguar ato. Nuk mund ta përballoj atë pagesë”, thotë Faton Rama, i cili jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Edhe për Mehreme Hykollin, kjo është situatë e papërballueshme.
Ajo tregon se njeh qytetarë që kanë refuzuar ose kanë shmangur vendosjen e matësve, ndërsa vetë ajo kishte pranuar me dëshirë, me idenë se do të kursejë.
“Ne që jemi treguar qytetarë bashkëpunues, tani po mërdhijmë”, thotë Mehremja.
Për shpërndarjen e ngrohjes, Termokos-i shfrytëzon energjinë termike që buron nga termocentrali Kosova B i Korporatës Energjetike të Kosovës, përkatësisht nga avulli i ujit pas djegies së thëngjillit.
Ky sistem ka hyrë në fuqi nga viti 2014.
Deri në vitin 2014, Termokos-i ka përdorur mazutin si lëndë djegëse, por furnizimi me ngrohje nuk ka qenë gjithmonë i kënaqshëm.
Radio Evropa e Lirë
Komentet