Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratisllavë të Sllovakisë.
Takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.
“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë. Ndër tjerash, atje do të takojë përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe emisarin e BE-së, Lajçak, si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, më herët gjatë 31 majit.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.
Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.
Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.
Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.
Opozita në Kosovë ka reaguar duke e bërë Kurtin fajtor për tensionim me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen dhe të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.
Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, dhe kanë thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.
QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.