Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se trajtimi i veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të zgjidhet me një ligj të ri dhe mbështet ofrimin e sa më shumë përfitimeve për këtë kategori, por ato përfitime nuk janë pagë.
Ai i bëri këto komente mes reagimeve për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale, i cili u miratua dy ditë më parë në parlamentin e Kosovës.
Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në ligjin që u miratua në lexim të dytë të enjten në mbrëmje nuk është përfshirë edhe rritja e pensioneve të veteranëve.
Ligji për pagën minimale parasheh rritjen e saj në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht. Nëse ky ligj hyn në fuqi, për çka kërkohet nënshkrimi i presidentes së vendit dhe publikimi në gazetën zyrtare, veteranët do të vazhdojnë të marrin 170 euro sa është pensioni aktual i tyre.
“Ne jemi për benefite sa më të larta për veteranët e luftës çlirimtare, por këto benenifte nuk janë pagë sepse paga është për punë, ndërkaq benefitet janë mirënjohje e shoqërisë e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e të lirisë sonë”, tha kryeministri Kurti.
Ligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”.
“Ne angazhohemi që të kemi një ligj të ri por për këtë gjë na nevojitet që faktet t’i kemi të sakta. Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë pjesë edhe më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve. Andaj është e domosdoshme që gjërat t’i quajmë me emrat adekuat”, tha kryeministri Kurti.
Komentet e tij u bënë pak orë para një proteste të paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër ligjit, të cilin organizata ka paralajmëruar se do ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Organizatorët e protestës thanë se do të kundërshtojnë sic thanë, “veprimet skandaloze të qeverisë”, ndërsa kërkuan edhe dorëheqjen e shefes së grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila.
Për disa ditë me radhë portali Nacionale publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Përplasjet rreth kësaj çështjeje çuan në përleshje fizike në parlamentin e Kosovës ditën e enjte.
Të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla nxiti reagime në një postim në rrjetet sociale në të cilin mes tjerash tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç “po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiçit, nga dora e Vuçiçit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, shkroi ministri Sveçla mes tjerash, duke theksuar se “tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u shpreh i shqetësuar me postimin e ministrit Sveçla, në të cilin, siç thuhet në një reagim të kësaj organizate “është përdorur gjuhë e rrezikshme ndaj mediave dhe gazetarëve. Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq”
AGK-ja thekson se “gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”.
Partitë opozitare reaguan me shqetësim ndaj postimit të ministrit Sveçla.
Kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi, e quajti postimin provokim për të përshkallëzuar situatën.
“Qeveria kërkon përplasje. Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje”, shkroi mes tjerash ai duke u bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë për vetëpërmbajtje dhe qetësi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi shkarkimin e ministrit Sveçla.
“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”, shkroi zoti Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që sic u shpreh t’i tërheqë “sejmenët e tij” dhe t’i jap fund përçarjes.
“Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë”, shkroi mes tjerash zoti Haradinaj.