Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi i Serbisë në vitin 2014 për t’i shpallur sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave në Kosovë pengon zbardhjen e vrasjes dhe zhdukjes së civilëve shqiptarë.
Sipas Kurtit, strategjia e Serbisë gjatë luftës ka qenë fshehja e krimit përmes fshehjes së kufomave. Kjo strategji, sipas tij, po vazhdon ende.
“10 vjetori i klasifikimit 30 vjeçar të arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit nëpërmjet të fshehjes së kufomave. Kjo strategji është ende aktive. Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë dhe sot politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive. Para 10 vitesh, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Ky vendim i marrë më 31 korrik 2014, pengon zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive në Serbi”, ka shkruar Kurti në Facebook të mërkurën.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se kanë dërguar disa kërkesa për hapjen e arkivave të kësaj brigade në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur vitin e kaluar. Por, siç thotë Kurti, Serbia s’ka shfaqur asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera e për të cilat konsideron se përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut.
“Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, ne përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa lidhur me hapjen e arkivës së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës. Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve shqiptarëve të vrarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera në Kosovë. Ky akt përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi. Duke mbajtur të fshehta këto dokumente, Serbia nuk po distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet e tij gjenocidale në Kosovë. Vetëm përmes ndriçimit të së vërtetës dhe mbajtjes përgjegjës të autorëve të krimeve mund të arrihet drejtësia dhe paqja e qëndrueshme në rajon”, ka shkruar tutje Kurti.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. sn