Foto nga ceremonia e pranimit të postit të kryeministrit.
Me ceremoni shtetërore, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, mori detyrën e re. Detyrën ia dorëzoi kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Avdullah Hoti.
Qeveria e Albin Kurtit më 22 mars mori besimin e 67 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurti ekzekutivin e ri e ka formuar me partitë e komuniteteve joserbe. Qeveria e tij ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga gra.
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti – partia e të cilit ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit – ka thënë se sfida kryesore e qeverisë së tij do të jetë vënia nën kontroll e pandemisë së koronavirusit. Ai ka thënë se synon që të sigurojë vaksina të mjaftueshme për të imunizuar 60 për qind të popullatës kundër COVID-19.
Kurti po mban postin e kryeministër për herë të dytë, pasi në shkurtin e vitit të kaluar ai u zgjodh për herë të parë në këtë post. Por, partnerja e atëhershme e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, e rrëzoi Qeverinë Kurti dhe udhëheqjen e qeverisë e mori Avdullah Hoti.
Por, Gjykata Kushtetuese fundvitin e kaluar tha se Qeveria Hoti ishte jolegjitime, pasi për të kishte votuar një deputet, që kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.
Institucionet e reja të Kosovës, kuvendi dhe qeveria e re, u formuan më 22 mars, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Sfida e radhës për partinë e Kurtit është që të zgjedhë edhe presidentin e ri të vendit. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin.
Por, Osmani nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë ose jo Osmanin për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.
Komentet