Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se nuk është detyrë e presidentit të Kosovës “që të imponohet me shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për kryeministër” dhe se pas pandemisë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pas rrëzimit të qeverisë së tij më 25 mars.
Ai i bëri këto komente në një letër të gjatë dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në dy raste gjatë këtij muaji i kërkoi zotit Kurti emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.
Në lerën e 2 prillit presidenti i referohet nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Në letrën e dytë me radhë të presidentit drejtuar zotit Kurti më 10 prill, thuhet se “qytetarët dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë presin funksionalizimin e qeverisë së re dhe dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeministër”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shprehu në letrën e së hënës presidentit Thaçi, “keqardhjen time të thellë pas shkresave tuaja të fundit, në të cilat ju e deklaroni haptas qëllimin për të anashkaluar detyrën tuaj kushtetuese që të shpërndani Kuvendin dhe të shpallni zgjedhje të reja, pas përfundimit të betejës kundër COVID-19”.
Në letër më tej thuhet se nuk është në përgjegjësinë e presidentit “vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror”.
Në letër ai thekson se “pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Se kjo është procedura e vetme të cilën e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vënë asnjëherë në dyshim as në praktikën e deritanishme kushtetuese”, shkruan ai.
“E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme”, shkruan zoti Kurti duke nënvizuar se “nuk është detyrë e Presidentit që të imponohet me shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për Kryeministër. Sidomos jo në një periudhë të emergjencës shëndetësore”.
“Por më lejoni të theksoj, se kjo shkresë nuk është refuzim për të ju dhënë një emër të kandidatit për Kryeministër. Është një rikujtim i kornizës së kompetencave tuaja dhe obligimeve kushtetuese që bien mbi institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, sepse nuk është në diskrecionin tuaj që të impononi skenarë jokushtetues”, thuhet mes tjerash në letrën e zotit Kurti.
Partitë tjera politike kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve duke kërkuar ngritjen e një qeverie të re.
O albin hec prej aty se ski vend i vogel je ti per at karrige shko atje siq te ka than thaqi ne vendlindjen tane Vlladimir e pervo atje naj vetvendosje se kosoven smun me udheheq malazezt