Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Turqi dha një intervistë për televizionin publik turk “TRT” në gjuhën angleze, ku komentoi deklaratën e të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Escobari një ditë më parë një intervistë për “The Pavlovic Today”, ka thënë se Asociacioni është obligim ligjor dhe se nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë.
“Sido që të shkoni përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do ta keni një Asociacion. A e pranon ose jo Qeveria aktuale e Kosovës obligimin ligjor, nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit”, ka deklaruar emisari amerikan.
I pyetur nëse kjo deklaratë është shantazh i SHBA-së ndaj tij, Kurti nuk u tregua i drejtpërdrejt, por lavdëroi Escobarin për angazhimin në dialog. Megjithatë sipas tij, duhet qenë të kujdesshëm dhe të drejtë.
“Qartësisht, Escobari është aktiv dhe shumë i përfshirë si dhe unë e mirëpres atë. E kam takuar disa herë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. Çfarë unë jam duke i theksuar si principe dhe kushte për çfarëdo asociacioni, nuk janë qëndrimet e mia arbitrare ose mendime personale.
Vullneti i popullit në Kosovë, Kushtetuta dhe ligjshmëria janë ato që më shtynë të them që së pari kemi nevojë për njohje reciproke dhe vetëm atëherë çfarëdo lloji të Asociacionit”, tha Kurti në intervistën për emisionin “Across Balkans”.
Ai po ashtu u shpreh Serbia dëshiron të ketë një tjetër Republika Sërspka, sikur ajo në Bosnjë.
Kurti shtoi se nuk e konsideron planin franko-gjerman si propozim për Asociacionin.
“Vetëm fjalia e fundit e nenit të fundit, u referohet të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës, dhe janë 33 sosh e jo vetëm një, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi kreu i ekzekutivit kosovar.bw