Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet shqiptaro-serbo përgjatë historisë dhe se si ato ndikojnë edhe sot, në një pjesë të podcastit “Public Square” të Ditmir Bushatit në temën “Koha e shqiptarëve”.
Sipas Kurtit, konflikti konsiston te shqiptarët me shtetin serb dhe jo me popullin, duke e quajtur Beogradin si qendër të një “imperializmi të vockël”, raporton Gazeta Express.
“Konflikti kryesor i shekullit XX është midis kombit shqiptar dhe Serbisë si shtet. Jo në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Dallimi kombëtar nuk ka prodhuar konflikte, por Beogradi ka qenë qendra e një imperializmi të vockël sepse në botë nuk ka vetëm imperializëm të madh, por edhe imperializma të vegjël, të cilët janë shumë të mëdhenj për fqinjët. E Beogradi ka qenë një qendër e tillë imperialiste atëherë kur flakadanin e regjimit të preferuar të Moskës në këtë pjesë të Europës ia mori Bullgarisë. Fillimisht, Bullgaria ka qenë e preferuara e Moskës dhe këtë flakadan prijës se kush do të jetë shteti që prin në Ballkan nga Bullgaria e rrëmbeu Serbia dhe ne i kemi të gjitha këto probleme që nga Lidhja e Prizrenit e këtej dhe që shfaqen tek politikanët sepse vetëm pyeti se çfarë të thonë për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e nga këto dallime mund të gjesh shumë kollaj dhe shkakun, jo vetëm korrelacionin me dallimet që i kemi pastaj me njëri-tjetrin”.
Në bazë të kësaj, Kurti thotë se konflikti mes shqiptarëve si komb dhe shtetit të Serbisë ende s’ka përfunduar.
“Pra, në njëfarë mënyre konflikti mes kombit shqiptar dhe Beogradit nuk ka përfunduar ende. Dallimet që i kemi me njëri-tjetrin në raport me këtë konflikt, në raport me Serbinë janë shndërruar dhe në pengesa të brendshme”, tha Kurti.