Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit në Bruksel ka thënë se ka qenë i gatshëm ta vendosë nënshkrimin e tij në marrëveshje, por se pala tjetër edhe pse u pajtua nuk pati gatishmërinë ta vendosë nënshkrimin në dokument, njofton RTK.
“Patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel. Ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë se është bazë e mirë dhe platformë solide për ecje para. Tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Do të ketë edhe diplomaci fluturuese po edhe takim të radhës të nivelit të lartë kah mesi i muajit të ardhshëm. Unë i falënderoj z. Borrell dhe z. Lajçak për punën që kanë bërë deri më tash dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëpasnjëshme të normalizimit të marrëdhënieve për fqinjësisë së mirë evropiane”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri e ka konsideruar si dëm faktin që sonte nuk është nënshkruar asgjë lidhur me atë për të cilën palët janë pajtuar.
“Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst, por pala tjetër nuk ishte e gatshme, edhe pse u pajtua”, ka shtuar Kurti.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të zbatohet Asociacioni me këtë plan, kryeministri Kurti ka thënë se “ajo është fjalia e fundit, praktikisht e nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”.
Borrell: Sot kemi arritur progres, takimi i radhës në mars
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dy liderët kanë bërë progres dhe janë zotuar që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel.
Ai ka vlerësuar faktin se të dy palët janë deklaruar se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit evropian që e ka titullin ‘Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka theksuar Borrell, sipas të cilit ky plan do të publikohet nga BE.
Ai tutje ka thënë se kjo marrëveshje mbi të gjitha është për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, pasi ofron mundësi të mira për lëvizje të lirë, tregti të lirë pa burokracitë e deritashme.
Ai ka thënë se për serbët në Kosovë kjo do të thotë më shumë siguri dhe përshtatshmëri dhe më shumë të drejta.
Borrell ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. “Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar marrëveshjen, porse nevojiten ende negociata tjera për të përcaktuar modalitetet. Diplomacia ecajake do të vazhdojë”, ka shtuar Borrell, i cili ka bërë të ditur se në mes të muajit të ardhshëm do të ftojë dy liderët për një takim tjetër, për siç ka thënë finalizimin e diskutimeve.