Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditët e fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
Kjo sipas Kurtit po ndodh për shkak që Vuçiq ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për destabizilim.
“… refuzimin që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.
“Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, theksoi kryeministri i Kosovës.
Kështu deklaroi ai në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Kurti tha se Vuçiqi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, të shtunën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati takime të ndara me ambasadorin rus dhe atë kinez në Beograd. Pra, presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë dhe Kinën dhe gënjen e zhgënjen BE-në dhe SHBA-në”, tha ai.
Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që mos të japin dorëheqje, ngase siç tha ai “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk janë alternativë”.
Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës
Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.
Komentet