Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij do të përdorë argumentet nga raporti i Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, për ta mbrojtur, siç tha, këtë pasuri të Kosovës.
Kryeministri Kurti i bëri këto komente gjatë një debati parlamentar mbi marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin ekonomik, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë.
“Liqeni i Ujmanit është liqe artificial, liqe nga Kosova dhe i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim te fizibilitetit të publikuar së fundmi por jo vetëm, edhe në studime të tjera për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarëdo pretendimi. Pra qëndrimi ynë është i qartë, sa më shumë argumente që do të gjejmë aq më mirë do të jetë dhe sa më pak sulme që të ketë për këtë pasuri të Kosovës, sigurisht se aq më mirë do të jetë”, tha zoti Kurti.
Të dyja palët qenë pajtuar në takimin e 4 shtatorit në praninë e ish presidentit Donald Trump për një studim fizibiliteti, “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.
Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin. Ai është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në raportin prej 53 faqesh, që është dorëzuar në fund të muajit të kaluar janë dhënë disa propozime që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe themelimin enjë komisioni që do të trajtonte gjendjen ne lumin Ibër që është furnizuesi kryesor i liqenit artificial.
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkrues i dakordimit, tha se marrëveshja e Washingtonit theu izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe meqë ka kaluar kohë nga nënshkrimi, qeveria duhet të merret me zbatimin e detyrimeve që dalin prej saj.
“Duke qenë se sponsorizohej nga Shtëpia e Bardhë dhe drejtpërdrejt nga presidenti amerikan, vlerësohej se një marrëveshje ekonomike do të shtynte dy vendet më lehtë drejt marrëveshjes finale. Prandaj mbi këtë qasje është arritur marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë. Përtej kësaj, këtë marrëveshje duhet parë edhe si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Marrëveshje të tilla, sic na tregon historia dhe përvoja jonë në ndërtimin e shtetit krijojnë realitete të reja gjeopolitike, tha zoti Hoti.
Por, kryeministri Albin Kurti tha se në fakt disa pjesë të kësaj marrëveshjeje e bëjnë të kundërtën e thyerjes së izolimit ndërkombëtar.
“Marrëveshja e Washingtonit thuhet se na e paska thyer izolimin ndërkombëtar, ndërsa vet në atë tekst kërkohet në pikën e parafundit që të kemi moratorium një vjeçar për mosanëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo në fakt është nënshkrim i një qëndrimi antikushtetues”, tha zoti Kurti.
Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë, kërkuan qartësim qëndrimesh nga qeveria lidhur me të gjitha pikat e marrëveshjes së Washingtonit dhe trajtim më serioz të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo që sot është me rëndësi për ne si opozitë dhe për qytetarët e Kosovës është që kjo qeveri të dal me një raport sa i përket kësaj marrëveshjeje me pikëpamjet e qeverisë për të. Kërkoj nga kryeministri të na qartësojë se cili do të jetë pozicioni ynë në secilën pikë të kësaj marrëveshjeje”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
“Kërkojmë nga ju që në raport me marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të jeni shumë më serioz, të mos leni paqartësi në këto raporte. Mbi të gjitha kërkojmë që të keni kërkesë të qartë për emërimin e një emisari të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi. Dihet se aty ku ka munguar prezenca e Shtëpisë së Bardhë, aty nuk ka pasur sukses në dialog”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Kryeministri Kurti tha se vet thirrja e seancë parlamentare është shprehje sic tha ai, hatërmbetjes, së partive opozitare me rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare ku partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje shënoi fitore të thellë.
“Është një hidhërim i paarsyeshëm, ai i cili vazhdon ta sulmojë qeverinë tonë, thua se është pranvera e vitit 2020 e jo vera e vitit 2021. Ne jemi partner serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jemi edhe demokratë edhe patriotë, të tillë i duan partnerët dhe aleatët e vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj thirrjet që na i bëni për seriozitet në raport me Shtetet e Bashkuara i marrim shumë seriozisht. Por mos harroni se me këtë mbrojtje që ju pretendoni të ua bëni Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej meje, duke qenë se nuk mund të bëheni tragjik – jeni qesharak”, tha zoti Kurti.
Marrëveshja e Washingtonit parashihte edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës, që u realizua me një shkurt të këtij viti, ndërkaq me 14 mars, Kosova përmbushi hapi ambasadën e saj në Jerusalem. Sipas marrëveshjes një korriku ishte afati që Serbia të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi së fundi se “interesat e Serbisë kanë ndryshuar që kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës”.