Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ftua për dëshmi nga Prokuroria Speciale, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së tij, Përparim Kryeziu.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kryeziu kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai pa dhënë më shumë detaje.
Radio Evropa e Lirë (REL) e pyeti se për çfarë rasti bëhet fjalë, por ai nuk u përgjigj.
Prokurorët nënshkrues të thirrjes së Kurtit për të dëshmuar, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, janë prokurorë specialë nga Departamenti për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar.
REL-i e ka pyetur Prokurorinë Speciale në lidhje me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
Në zgjedhjet paraprake, më 2021, Kurtit nuk iu lejua të kandidonte për deputet, pasi Gjykata Kushtetuese nxori vendim që kandidatët, të cilët në tre vjetët e fundit kishin vendim gjykate të formës së prerë, nuk mund të garojnë.
Kurti kishte një dënim të tillë, për shkak të trazirave që ndodhën në Kuvendin e Kosovës derisa ai ishte në opozitë.
Si kryeministër, Kurti në disa raste ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se është joefikas dhe i ngadaltë. REL