Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të premten se propozimi i të dërguarve perëndimorë për Asociacionin parasheh që Gjykata Kushtetuese të jep vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit.
Ai i bëri këto komente një ditë pasi shfaqi në Bruksel gatishmërisë së tij për të nënshkruar projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nga takimi i 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë na është thënë që drafti për vetmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha ai.
Ai tha se Kosova do të respektojë kërkesën e diplomatëve që të mos flitet për hollësitë e projektit, të cilin kishte ofruar ta nënshkruaj dje gjatë takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.
“Ofruam që para tyre si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të Brukselit të 27 shkurtit, me gjithë aneks-implementues të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin e zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10. Pra për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në vetpropozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim e për rrjedhojë edhe zbatim mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nëshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se tani është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe kriminal ndaj Kosovës si dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve.
“Ata gjithnjë insistojnë që të dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht edhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues. Mbrëmë morëm vesh se presidenti i Serbisë kërcënoi dhe i përmbushë këto kërcënime me këso letra të cilat thonë tri gjëra. Serbia se njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, kjo e treta është një shtesë sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i paparanueshëm”, tha zoti Kurti.
Partitë opozitare në Kosovë shfaqën të premten qëndrime të ndryshme lidhur me gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti për të nënshkruara projektin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës kritikuan qeverinë për mos transparencë në raport dokumentet e fundit të paraqitura nga faktori ndërkombëtar.
“Mbrëmë vonë doli dhe tha se unë kam pranuar draftin për statutin e Asociacionit, unë nuk po e gjykoj a është i mirë apo i keq sepse nuk e di, nuk e kam parë, po e gjykoj vetëm lëvizjen politike të kryeministrit nga refuzues absolut dhe sjelljes së vendit të sanksionet dhe ndëshkimet e vazhdueshme me kosto edhe me humbjen e jetes së njerëzve ë këtë vend, me një pranim kaq të lehtë. Çka ndhodhi? A duhet të jetë i informuar ky vend dhe ky Kuvend?”, tha Arben Gashi deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Për më tepër qytetarët, shoqëria civile, publiku madje as ne deputetët u kkemi parë se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti. Cili është drafti i pranuar? Cila është materia? Pra pse kaq shumë jo transparencë? Prej kujt është duke u fshehur kryeministri, prej qytetarëve të Kosovës? Pra cili është mesazhi i krejt këtzre zhvillimeve të fundit. Sa herë që Serbia sulmon Kosovën, Kosova duhet të lëshoj pe me diçka. Na sulmojë me 24 shtator dhe me 26 tetor Albin Kurti e pranoi një draft të Asociacionit”, tha deputetja Blerta Deliu Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mbrëmë Kosova ka bërë një hap të madh me pranimin e zbatimit të propozimit të diplomatëve perëndimorë.
“Në këtë rast e ka vendosë Kosovën në pozicion të duhur në këtë kohë pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog. Sipas bindjeve të mija, me zhvillimet e djeshme BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës menjëherë pra qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës ka marrë obligim, ka shprehur gatishmëri me zbatu dokumentin që ka sjellë pesëshja dhe nuk ka shprehë vërejtje në dokument, ka shprehë kërkesa tjera, me këtë besoj që BE duhet menjëherë me i heq sanksionet, pra është e pakuptimtë me vazhdu me sanksione”, tha zoti Haradinaj.
Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.