I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, nuk sheh arsye që vendi të mbetet pa Kuvend të konstituar për shkak të koalicionit PAN.
Ai ka propozuar që deputetët të cilët po marrin pjesë në seancë, ta propozojnë një kandidat për kryetar të Kuvendit, në rast se PAN-i refuzon ta shfrytëzojë të drejtën që i është dhënë me Kushtetutë.
Lexoni të plotë shkrimin e Kurtit:
“Mes zhurmës së madhe të polemikave politike, aty ku proceset humbin substancën, megjithatë dy fakte janë të qarta. Së pari, bllokimi institucional ku ndodhemi tash po e dëmton Kosovën, së brendshmi por edhe ndërkombëtarisht. Së dyti, bllokimi ka një fajtor: PAN, i cili po keqpërdor një prerogativ që ia ka garantuar një vendim i gabuar i Gjykatës Kushtetuese. Duke mos pranuar të paraqitet në seancat e Kuvendit dhe duke mos e emëruar një kandidat për Kryesinë e Kuvendit ata po bllokojnë Kosovën dhe po e gërryejnë demokracinë e saj.
Ne e dimë pse po e bëjnë këtë gjë. Kjo ndodh për shkak se u mungojnë votat, qoftë për të emëruar Kryetarin e Kuvendit që ata kanë dëshirë, qoftë për të formuar qeveri.
Mirëpo, përfaqësuesit e tjerë të qytetarëve të Kosovës nuk mund të vazhdojnë të reagojnë pasivisht ndaj kësaj tallje arrogante e të papranueshme. Ata kanë një detyrë ndaj vendit që t´i japin fund kësaj situate tejet dëmtuese. Edhe mund t´i japin fund. Më lejoni të shpjegoj se si.
Teksti i Kushtetutës i atribuon të drejtën ekskluzive për të propozuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit ‘grupit më të madh parlamentar’. Ky rregull duhet respektuar. Por së pari ai duhet kuptuar. Dhe nuk ka dyshim se ajo çka do të thotë shprehja në Kushtetutë është ‘secili grup që ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit’, pra secili grup parlamentar që i ka 61 vota, apo më shumë se aq. Nuk ka dyshime për këtë, sepse, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së Kryeministrit, ky rregull nuk ofron zgjidhje për ndonjë bllokim të mundshëm. Kështu që, duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos mund të ndodhin bllokime.
Është e vërtetë se në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese i dha një lexim tjetër këtij rregulli. Është po ai lexim që po ia lejon PAN-it që ta bllokojë Kosovën duke bojkotuar seancën konstituive të Kuvendit. Por ai lexim është qartazi i gabueshëm, dhe kjo mund të dëshmohet.
Gjykata është e varur nga Kushtetuta, dhe jo Kushtetuta nga Gjykata, andaj interpretimet e saj mund të përmbysen gjithnjë. Pikërisht kështu në secilin vend të botës jurisprudenca evoluon dhe korrigjon gabimet e të shkuarës. Sidomos në një rast kaq të rëndë sa ky i yni, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës kanë detyrën, e jo thjesht të drejtën, që të mos e marrin parasysh atë interpretim të gabuar dhe të ndjekin kuptimin e vërtetë të Kushtetutës.
Kjo do të thotë se, kur të mblidhet Kuvendi, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre. Kjo është ajo çka planifikon të bëjë Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Sigurisht, të tjerët mund të mos pajtohen me këtë. Ata do të kenë mundësi ta çojnë këtë çështje para Gjykatës Kushtetuese, e ne do t´i bindemi asaj. As që mund ta paramendojmë se Gjykata Kushtetuese do të mund të miratojë bllokimin e qëllimshëm që PAN po i bën institucioneve.
Së këndejmi, Lëvizja VETËVENDOSJE! i propozon të gjitha partive politike që udhëhiqen prej interesit publik dhe që synojnë ta mbrojnë e jo ta dëmtojnë demokracinë e Kosovës, që të na bashkëngjiten në këtë nismë.
Konkretisht, propozojmë që ne deputetët pjesëmarrës të rregullt të seancës konstituive të përzgjedhim një kandidat të përbashkët për Kryetar të Kuvendit për datën 24 gusht. Në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ne do të votojmë tonin. E nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë.
Ne jemi të hapur për çdo propozim sa i përket kandidatit për Kryetar të Kuvendit. Ne mendojmë se ai person duhet të zgjidhet në mes të deputetëve më të respektuar e sa më pak të anshëm, sepse duhet të garantojë të gjitha palët se do të performojë në atë funksion të rëndësishëm pa mbajtur anë, duke i dërguar një sinjal qytetarëve tanë se politika në Kosovë ka filluar të ndryshojë.
Zgjedhjet bëhen për Kuvend që funksionon dhe jo që bllokon veten dhe gjithë Republikën. Pala që nuk shfrytëzon të drejtën e saj e humb atë. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia njeh Presidentit të drejtën për ta thirr seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, por në rastin kur Presidenti dështon të shfrytëzojë këtë të drejtë, neni 66.3, thotë që Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.
Kur të marrë fund ky bllokim dhe kur të arrijmë të zgjedhim si Kryetar Kuvendi një deputet nga ata të nderuarit, atëherë do të mund të vazhdojmë me çështjen e radhës, që do të jetë formimi i qeverisë”.
Prishtinë, 18 gusht 2017
Albin Kurti, deputet, i nominuari për kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Komentet