Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë – i prezantuar ditë më parë – të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.
Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, duke e konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në takimet e 26 tetorit në Bruksel.
Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do t’i takojnë veç e veç presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ata janë ftuar në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet, në disa takime që i kanë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd.
Gjatë takimit në Prishtinë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për një plan.
Qeveria ka thënë se takimi do të jetë “në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”.
Qeveria i është referuar Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes dy vendeve në shkurt të këtij viti në Bruksel. Dy palët më vonë janë marrë vesh për aneksin e zbatimit, në mars, në Ohër.
Çfarë thotë Neni 7?
Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë më 24 tetor se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.
Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.