Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në një periudhë katërvjeçare, 2019-2023, në Kosovë janë hapur 87 mijë vende pune më shumë. Ai gjithashtu ka folur për rritjen ekonomike dhe të buxhetit gjatë qeverisjes së tij.
Këto komente kreu i ekzekutivit të vendit, i ka bërë sot gjatë prezantimit të projektit për reformën e asistencës sociale nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).
Kurti tha se statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim.
“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”, ka thënë Kurti.
Më tej ai ka thënë se këtë realitet të ri ekonomik për vendin, e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings.
“Por punën tonë për zhvillim ekonomik të vendit e cila u përkthye në më shumë vende pune për qytetarët e Republikës dhe më shumë të hyra buxhetore për Kosovën, nuk e ndalëm këtu”, tha kryeministri.
Ai tha se Qeveria që ai drejton ka punuar që këto të hyra t’i rishpërndajë përmes skemave të ndryshme sociale e masave të shumta për qytetarët, bizneset e posaçërisht tek grupet e cenueshme të shoqërisë.
Kurti theksoi se skema e re e heq diskriminimin që ekziston me skemën aktuale, duke mos përjashtuar nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin në anën tjetër përmes mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës.
Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se mësimet që do të nxirren nga ky pilotim do të reflektohen edhe në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale. sn