Një ditë pasi refuzoi rifillimin e bisedimeve më Serbinë më 11 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtua të enjten me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që takimi të mbahet para fundit të muajit qershor.
Mundësia e një takimi të tillë u bë publike në një konferencë të përbashkët me gazetarë ne të cilën zoti Borrell tha se rruga evropiane e Kosovës kalon nëpërmjet bisedimeve dhe nuk ka rrugë tjetër. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha ai, është thelbësore për të ecur drejt ardhmërisë evropiane.
“Pa këtë rruga do të bllokohet. Për këtë arsye e inkurajova zotin Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë proces”, tha ai duke theksuar se nuk do të jetë e lehtë por procesi duhet të rifillojë shpejt dhe pritet që kjo të ndodhë para fundit të muajit qershor.
Kryeministri Kurti tha se bisedimet nuk do të lihen anash nga Kosova. Por gjatë muaji maj tha ai, do të debatojë me opozitën për këtë çështje si dhe është në pritje të mbledhjes së informatave dhe dokumenteve nga procesi i bisedimeve në të kaluarën.
“Ne duam bisedime parimore dhe të përgatitura mirë. Nuk mendoj që mund të lejojmë gabime e dështime të reja. Prandaj përgatitja e mirë nënkupton që ato të trajtohen seriozisht”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se në qershor mund të fillojë kapitulli i ri i bisedimeve.
Kryeministri Kurti, tha se Kosova është e përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, një qëndrim që e theksoi më herët gjatë ditës edhe pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili nga ana e tij tha se mbështetë përpjekjet për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Debatet për mundësinë e rifillimit të bisedimeve ndodhin në një periudhë diskutimesh të nxitura nga dy dokumente të përfolura ditëve të fundit për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan si dhe për rrugët e përmbylljes së bisedimeve Kosovë-Serbi përmes krijimit të një distrikti në veriun Kosovës.
Kryeministri Kurti ritheksoi sot se qasja më e mirë ndaj dokumenteve joformale është që të mos komentohen fare, ndërsa zoti Borrell tha se nuk ka njohuri për dokumente të tilla që krijojnë një mjedis të dëmshëm.
Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar si “spekulime të panevojshme që kërcënojnë të nxisin destabilitet në rajon dhe të zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme”, ndërsa kanë ritheksuar mbështetjen ndaj përpjekjeve për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellë”.
Diplomatët janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve me shpresën për të arritur një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale.
Por, profesori Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins, i tha Zërit të Amerikës se nuk pret ndonjë rezultat të madh para atyre zgjedhjeve.
“Mendoj se zoti Vuçiç e ka bërë shumë të qartë se nuk është i përgatitur të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, që për amerikanët nënkupton njohje të ndërsjellë, para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale serbe. Dhe as pala e Kosovës nuk është e gatshme për ndonjë kompromis në çështje më të mëdha para asaj kohe”. Ajo çfarë mund të bëhet është të përgatitet terreni, tha zoti Serwer duke theksuar se ka shumë çështje të jashtëzakonshme si çështja e të zhdukurve që duhet të zgjidhen ndërmjet dy shteteve fqinje.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane.
Komentet