Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajësoi Beogradin për bojkotimin e zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore nga qytetarët serbë.
“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri”, shkroi kryeministri Kurti të hënën në rrjetet sociale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar, hodhën votën e tyre të dielën në zgjedhjet për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Sipas rezultateve paraprake, kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje fituan në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata të Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politike serb që mbështetet nga Beogradi, thanë se “populli serb në Kosovë nuk do të lejojë kurrë që komunat me shumicë serbe në veri” të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave”.
Zgjedhjet u zhvilluan pa ndonjë incident ndërsa vëzhguesit tërheqin vërejtjen se sfida e vërtete do të mund të shfaqet kur të fillojë zbatimi i rezultateve të tyre.
Grupi i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, tha se “ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”.
Kryeministri Kurti tha se qeveria do të mbështesë të zgjedhurit dhe ata “duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë”, shkroi të hënën ai.
Shtetet e Bashkuara vlerësuan se zgjedhjet e së dielës ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, ndërsa shprehën keqardhjen që “jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje”.
Autoritetet në Serbi i kanë kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me të cilin ata kushtëzojnë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës.
Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Diplomatët perëndimorë nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, ndërsa u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Më 2 maj në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës ndëmrjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të diskutuar zbatimin e një marrëveshjeve të mbështetur nga perëdnimi për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër.
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se po bëhen përgatitje të ngjeshura për takimin e 2 majit.
“Rendi i ditës do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e projekt statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndonëse marrëveshja synon në radhë të parë uljen e tensioneve ndërmjet plaëve, vëzhguesit tërheqin vërejtjen në ligjërimin politik që sipas tyre, nuk i ndihmon krijimit të mirëbesimit.
Presidenti serb, Vuçiç, ka theksuar në disa raste se do ta zbatojë vetëm pjesërisht marrëveshjen e Ohrit dhe Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.