Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me udhëheqësit e partive Guxo dhe Alternativa për kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Takimi i Kurtit me bashkëdrejtuesit e partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila u zhvillua mbrëmjen e 14 majit.
“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës, si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.
Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 garuan në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti.
Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare që një kohë po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeverisë me vendin.
Për këtë çështje, më 13 maj, Kurti bisedoi edhe me Memli Krasniqin, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Pas takimit, Kurti tha se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.
Ftesa për takim të ngjashëm u refuzua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.
LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.
Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL