Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mbajur të mërkurën më 24 maj, ka bërë të ditur se kryetarët e ri të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, do betohen të enjten.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha kryeministri, pa përmendur se për çfarë ndërtesash bëhet fjalë.
Derisa Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.
Në anën tjetër, vetëm Zubin Potoku e ka asamblenë komunale funksionale, ndërsa dy komunat tjera, Leposaviqi dhe Zveçani ende nuk i kanë të funksionalizuara ato.
Kryetarët e komunave nuk mund ta kryejnë betimin pa funksionalizimin e asambleve komunale, para të cilave solemnisht marrin detyrën. Kryeministri nuk qartësoi se si do të mundësohet zhvillimi i procesit të betimit.
Kurti gjithashtu bëri të ditur se në komunën e Mitrovicës së Veriut, ku Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit, janë emëruar edhe 4 drejtorë.
“[Janë] një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar – prej tyre dy gra – dhe ky është progres që duhet të normalizohet”, tha Kurit.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.
Kurti tha se qytetarët e serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime, por tha se Qeveria e Kosovës synon të funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, në mënyrë që të garantohen e shërbimet publike për të gjithë qytetarët.
“Kjo nuk është zgjedhje, është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë”, u shpreh Kurti.
Lisa Serbe ka kundërshtuar kryetarët e rinj në vëri.
Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, nënkryetari i kësaj liste Igor Simiq ka thënë se m këtë “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.
Simiq i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.
Ai shtoi se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiq duke mos cekur se cilat janë këto mjete.
Më 18 maj, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk duhet përdorur forcën për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës janë mbajtur më 23 prill, pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që bartnin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, në targat legale RKS – Republika e Kosovës.