Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar të enjten rreth situatës në komunat veriore.
Sipas tij, bandat kriminale ose duhet të largohen për në Serbi, ose Kosova do t’i çojë në burg.
Ai tha se “sot ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues, e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës”.
Kurti tha se prej tyre, “duhet të çlirohet edhe republika jonë edhe komuniteti serb”. Për këtë, ai tha se e kanë përkrahjen e ShBA-së.
“Unë natyrisht që mund ta paramendojë zvogëlimin e policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave atëherë kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shoviznimit të djathtë ekstrem, që e adhurojnë Millosheviqin e Putinin”, tha ai para gazetarëve të enjten, transmeton Syri.net Kosova
“Ata ose le të shkojnë në Serbi ose t’i çojmë në burg. Nuk ka mundësi që mos t’i mbrojmë asetet e Kosovës nga banda të tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen ne e zvogëlojmë”.
Mes tjerash, shefi i qeverisë tha se kryetarët e komunave veriore janë kryetarë legal të cilët kanë legjitimitet ndonëse jo të plotë dhe normal “për shkak të trysnisë që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet”.
Trysnia, siç tha Kurti, la qenë me kërcënime e shantazhe. Vendi i tyre punës duhet të jetë në ndërtesën publike, tha Kurti. “Sepse ndërtesa publike është e republikës. Ka gjendje të jashtëzakonshme sikur koha me pandeminë që edhe ne nuk kemi qenë në vendet e punës, mirëpo vendi i punës është në atë ndërtesë dhe unë besoj që është mirë që të gjithë të jenë atje”.
“Është kryetari ai që ka marrë votat e qytetarëve, dhe ata i marrin vendimet për të cilat gjykojnë kryetarët”, tha kryeministri.
“Jam i bindur që kemi bërë krejt që kemi mundur. I kemi shtyrë zgjedhjet, së dyti i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato janë konsideruar legjitime dhe të drejta nga ndërkombëtarët, që të gjithë e kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve, së katërti e kemi pranuar të mos ketë triumfalizimi e feste për ato fitore”, u shpreh ai
“Edhe ceremonitë e betimit të zhvillohen në ndërtesa publike. Ministria e Financave i paguan njerëzit për punën që bëjnë. Struktura paralele ka Serbia, unë besoj gjithnjë e më të pafuqishme. Ne nuk mund të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare. Kur kanë hyrë në ato zyra, zyrat kanë qenë të braktisura, përveç që kandidatët e braktisën zgjedhjet, i braktisën edhe ndërtesat. Ata mbajnë përgjegjësi për gjendjen e krijuar. Jo ne që duam të punojmë e marrim pjesë në zgjedhje”.
Krejt në fund, kryeqeveritati u shpreh se beson që kryetarët e komunave duhet të jenë në ndërtesat dhe zyrat e kryetarëve të komunave.
“Kemi nevojë për normalitet, republikë, demokraci, për komunë në funksion të qytetarëve”. syri.net