Kryeministri Albin Kurti tha se liderët e BE-së dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e kishin rastin më 26 tetor që ta merrnin nënshkrimin e tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti tha në një konferencë për media se duhet të pyeten ‘ata atje’ se ‘pse e humbën atë shans aq të mirë’. ‘Unë nuk mund të bëj më shumë sesa të nënshkruaj. Lapsin e kam në dorë, teksti është i dakorduar – thanë jo. Çka t’iu bëj tash? Çka me iu bë unë kur thonë jo ata? Duhet me u kthy me zëvendëskryeministren Gërvalla me u kujdes për qytetarët, sepse kemi shumë punë këtu’, tha ai.
‘Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja. Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia’, tha Kurti.
‘Ajo ishte një shancë e madhe. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan’, shtoi kryeministri.
Kurti tha se ‘Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike’ dhe se kjo është ‘pengesë kapitale për normalizim’.
Ai tha se në mars, kur ishte marrë vesh me Vuçiçin për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kishte propozuar që ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionin, por s’ishte lejuar.
‘Më 18 mars, unë kam propozuar që ta shkruajë draft-statutin me tri principe, por m’u tha jo. Ajo ishte koha kur thuhej që të dyja palët duhet të pajtohen’, tha ai.
Kurti më 26 tetor ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit sipas propozimit që ndërkombëtarët ia kishin sjellë paraprakisht atë muaj. Ai ka treguar më herët se në takimin me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Georgia Meloni atë natë, ata i kishin folur për ‘urgjencën e kësaj çështjeje’.